MUHAMEDI S.A.V.S. MËSUES I SOLIDARITETIT MBARËNJERËZOR
Solidariteti në këndvështrimin islam është vlerë mbarë njerëzore e cila duhet kultivuar në të gjitha rrafshet dhe me të gjithë njerëzit. Kështu, krahas se me vëllezërit e tij muslimanë, muslimani duhet të solidarizohet edhe me të gjithë njerëzit tjerë e të kontriubojë për të mirën e të gjithë njerëzve, pa marrë parasyshë se a pajtohet apo dallon me ata në fe dhe pikëpamje. Bashkëpunimi me njerëzit në atë që është e dobishme dhe kontributi në përmirësimin e gjendjes së shoqërisë, është vlerë universale që Islami e promovon para botës, thirr në të dhe identifikohet me të.
Solidariteti si vlerë universale, konsiston në atë se muslimani duhet solidarizuar:a) me gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, etnike dhe racore në atë që është e dobishme dhe e lejuar sipas parimeve islame; b) me botën jo intelektuale, që tregon se Islami u ka paraprirë të gjithëve, gjegjësisht mbrojtja e natyrës dhe kafshëve që trumbetohet në kohën tonë, është promovuar nga Kur’ani që para 14 shekujsh.
I Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s., e ka theksuar solidaritetin si vlerë të rëndësishme për muslimanin, e po ashtu, ai vetë me veprimet e veta, ka dhënë shembullin më të mirë për këtë gjë. Ai aq tepër ka folur dhe ka vepruar në drejtim të solidaritetit. Sa që me plotë të drejtë mund të quhet mësuesi më i madh i njerëzimit për solidaritet.
a) Solidarizim me gjithë njerëzit: Si që përmendëm më parë, Islami kërkon që muslimani të solidarizohet me gjithë njerëzit për të mirën e shoqërisë dhe njerëzimit dhe asnjiherë nuk duhet të ngurojë të ofrojë bashkëpunim sa herë që thirret në atë që është për të mirën e njerëzimit. Këtë konstatim mund ta mbështesim në një varg argumentesh nga burimet islame, e ne me këtë rast do të përmendim sa vijon:
• Ajetin:<< O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë >>. Pasi njerëzit rrjedhin prej prindërve të njejtë, atëherë është e kuptueshme se duhet punuar dhe bashkëpunuar me njerëzit, pa marrë parasyshë përkatësinë e tyre fetare, për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
• Hadithin:” Një njeri ecën rrugës, ai sheh një ferrë dhe e largon atë nga rruga; për këtë veprim atë e falënderon Allahu dhe i fal atij mëkatet”. Në këtë hadith, njeriu thirret të bëjë mirë ndaj njerëzve duke bërë vepra nga të cilat ka dobi e gjithë shoqëria. Largimi i pengesave nga rruga, nuk i referohet vetëm rrugës në të cilën kalojnë muslimanët, por edhe tjerët, gjegjësisht nuk ka të bëjë me aspektin fetar të personave të cilët kalojnë në atë rrugë, por me largimin e pengesave nga rruga. Ky hadith qartë tregon se solidariteti dhe mirësia ndaj njerëzve është vlerë univerzale islame.
• Hadithin në të cilin qëndron se Hadixheja i ka thënë të dërguarit të Allahut:”Jo, për Allahun, kurrses! Allahu kurrë nuk do të turpërojë dhe nuk do të lëshojë ty asnjiherë; sepse ti mban lidhjet me të afërmit; u ndihmon jetimëve dhe atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën”. I dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, këto cilësi i posedonte ende pa i ardhur zyrtarisht lajmi prej Allahut të Madhërishëm se është pejgamber. Pra, Muhamedi s.a.v.s. është solidarizuar me të pafuiqshmit, jetimët dhe ata që kanë patur të drejtë, pa marrë parasyshë se nuk kanë qenë muslimanë.
• Hadithet të cilat flasin për obligimet e muslimanit ndaj fqinjve të vet. I dërguari i Allahut s.a.v.s. në një varg hadithesh e ka potencuar se muslimani ka obligime ndaj fqinjve të vet. Ai duhet mos u pengojë, mos i dëmtojë dhe t’u ndihmojë kur të kenë nevojë. Me këtë rast, duhet patur parasyshë se hadithet nuk kanë bërë specifikimin e fqiut në bazë të besimit, por hadithet e kanë theksuar oblgimin e muslimanit ndaj fqiut si fqinj, edhe nëse është jomusliman. Bile, këtë më së miri e ka sqaruar me shembuj praktikë vetë i dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili ka qenë shembull ma i mirë se si duhet të sillet muslimani me fqiun e vet jomusliman. I dërguari i Allahut nuk i ka larguar fqinjët jomuslimanë nga kujdesi i tij. Në rastet e festave islame, fqinjët jomuslimanë kanë përfituar nga të mirat e muslimanëve. I dërguari i Allahut s.a.v.s. i urdhëronte familjarët e vet që nga mishi i kurbanit, me rastin e festës së Kurban Bajramit, t’u japin edhe fqinjve jomuslimanë.
• Hadithin të cilin e ka transmetuar Ebu Musa El-Esh’ariju e ku qëndron se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë:”Ju kurrë nuk do të jeni besimtarë, nëse nuk mëshironi njëri-tjetrin”. I thanë:”O i dërguar i Allahut, që të gjithë ne jemi të mëshirshëm”. I dërguari i Allahut s.a.v.s. ua ktheu:”Nuk është fjala se njëri prej jush ka mëshirë për për shokun e vet, por fjala është për mëshirë të përgjithshme”. Pra, hadithi jep mesazh të qartë univerzal se muslimani duhet të jetë i mëshirshëm ndaj gjitha krijesave.
• Hadithin:”Me të vërtetë, Allahu, melekët e Tij, banorët e qiejve dhe tokës, bile edhe thnegla në vrimën e saj dhe peshqit në thellësitë e detrave, kërkojnë mëshirë për ata që ua mësojnë njerëzve të mirën”. Pra, këtu nuk është kufizuar mësimi i të mirës vetëm për muslimanët, por për të gjithë njerëzit, ngase i dërguari i Allahut, s.a.v.s. qartë është shprehur në këtë drejtim. Mësimi i të mirës njerëzve është nga format më madhështore të solidaritetit me ta, e kjo në bazë të këtij hadithi është vlerë mbarënjerëzore.
• Rastin e pjesëmarrjes së të dërguarit të Allahut, paqa e Allahut qoftë mbi të, në këshillin e njerëzve të vyeshëm të njohur si “hilfu-l-fudul”. Ky këshillë ishte themeluar në Mekë para se t’i vjen shpallja të dërguarit të Allahut dhe kishte për qëllim që t’u ndihmojë të huajve të cilët vinin në Mekë dhe u bëhej ndonji padrejtësi nga banorët e Mekes. Ky këshill u dilte në ndihmë njerëzve të këtillë. I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka treguar për misionin fisnik të këtij këshilli dhe ka thënë se sikur të ishte thirrur në një këshill të tillë edhe pasi i ka ardhur pejgamberllëku. Pra, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka qenë në një këshillë me jobesimtarët, gjegjësisht ka bashkëpunuar me ata për t’u ndihmuar njerëzve të cilëve u bëhej padrejtësi. Me këtë gjest, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka dëshmuar se solidarizimi me njerëzit dhe bashkëpunimi për gjëra të mira është vlerë univerzale islame.
• Vlerësimi i Pejgamberit s.a.v.s. për veprimtarinë e Hatim et-Tajit. Hatim et-Taij vdiq si jomusliman. Megjithatë, Muhamedi s.a.v.s. e vlerësoi bujarinë dhe mikpritjen e tij. Kur vajzën e tij e morën muslimanët si robëreshë në një betejë, Pejgamberi s.a.v.s. i tha:”Nëse babai yt do të kishte qenë musliman, do të ishim lutur që Zoti ta mëshirojë”. Më pas u drejtua nga ushtarët e tij dhe u tha:”Lëreni të lirë, pasi ka pasue një baba me moral të lartë”.
Hatim et-Taij ka qenë njeri bujar dhe solidar me njerëzit, e për shkak të kësaj cilësie të lartë, Pejgamberi s.a.v.s. e ka lavdëruar, edhe pse ai ka vdekur si jomusliman. Në shenjë respekti dhe mirënjohje ndaj bujarisë së tij, i dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka liruar vajzën e tij. Kjo tregon se solidariteti në Islam është vlerë mbarënjerëzore.
Për Hatim et-Tajin tregohet se kur gruaja e tij ka gatuar, ai i ka thënë:”Nëse gatuan, më gjej dikë që të hajë me mua, pasi vetëm nuk më shkon”.
Po ashtu, ky njeri e ka nxitur skllavin e tij të ndezë zjarr në shkretëtirë me qëllim që ta shohin udhëtarët dhe të ndalojnë për t’u ushqyer në çadrën e tij. Ai i premtonte skllavit se, po të vinte ndonjë mik për shkak të zjarrit që ndizte, do t’i falte lirinë.
b) Solidarizimi me botën jointelektuale: Muslimanit i kërkohet të solidarizohet me të gjitha krijesat, gjegjësisht jo vetëm me njerëzit, por edhe me kafshët dhe bimët. Në këtë drejtim ka folur mjaftë Muhamedi s.a.v.s. Trajtimi i kësaj pike është çështje në vete që kërkon qasje të gjërë, e ne me këtë rast do të përmendim dy argumente nga praktika profetike sa për ilustrim:
• Hadithi:”Një grua do të dënohet për shkak të një maceje që ajo e kishte mbajtur të lidhur derisa macja ngordhi. Për këtë ajo grua do të hyjë në zjarr. Gruaja nuk i kishte dhënë maces as ushqim, as ujë e as që e kishte lënë të lirë që vetë të gjej ushqim në tokë”. Kjo grua nuk e kishte merituar Xhehenemin se i kishte bërë dëm ndonji njeriu, por ajo e kishte merituar Xhehenemin për shkak se e kishte dëmtuar një kafshë, gjegjësisht macën ashtu që e kishte lidhur dhe nuk e kishte lënë të lirë vetë të gjen ushqim e as që i kishte dhënë ushqim. Për këtë sjellje jo njerëzore ndaj kafshëve, ajo hyri në Xhehenem. Kjo tregon qartë se besimtari duhet të solidarizohet edhe me kafshët, apo thënë ndryshe, edhe mirësia ndaj kafshëve është mirësi.
• Hadithi:”Një herë, një njeri duke ecur e mori etja fort dhe zbriti në një bunar për të pirë ujë, e pasi që doli prej bunari e pa një qen me gjuhë të qitur jashtë, rënkonte nga etja e madhe dhe e rrëmihte dheun në kërkim të ujit, kurse ai tha:”Halli i këtij qeni qenka si halli im”, pastaj e zbathi këpucën e tij për ta mbushur me ujë dhe zbriti poshtë në bunar. E mbushi me ujë dhe doli e i dha qenit ujë derisa u ngop. Allahu e falënderoi atë për këtë vepër dhe ia fali mëkatet”. Me të dëgjuar këtë ngjarje, sahabët e pyetën të dërguarin e Allahut s.a.v.s.:”O i dërguar i Allahut, a thua edhe për kafshët paskemi shpërblim?!” Ai tha:”Në çdo mëlçi të lagur (frymor) do të ketë shpërblim”. Pra, ky njeri e ka fituar falënderimin e Allahut dhe faljen e mëkateve për një bamirësi ndaj kafshëve. Kjo ngjarje e treguar nga i dërguari i Allahut s.a.v.s. nga njëra anë është nxitje për bamirësi edhe ndaj kafshëve, e nga ana tjetër flet se solidariteti është vlerë universale islame e cila i prëfshinë jo vetëm njerëzit, por edhe gjallesat tjera