Jo të Bashkuar për Testamentin e Gligorovit!
Nëse deklarata e publikuar njëherazi nga subjektet politike shqiptare, do të nënshkruhet ashtu siç është dhe siç duket e njëjta është drafti i përfolur i Tiranës, atëherë (injoranca si mungesë strategjie dhe njohurie bazë, nga ana e shtetit shqiptar) si e tillë do të shënojë disfatën e madhe për shqiptarët e Maqedonisë. Të bashkuar në aktin e kapitullimit politik është më shumë se paturpësi…
1. Të nënshkruash, që barazia e plotë të arrihet në përputhje të plotë me MO-në dhe Kushtetutën e RM-së, është njëjtë sikur të thuash “fluturon gomari”.
*Të mendosh se ke ruajtur multietnicteitn duke u mbeshtetur në Kushtetutën aktuale eshte absurd, pasi Parimi i multietncitetit është përjashtuar që nga preambula e vitit 2001 dhe kjo na ka lënë në një kosh me gjithë të tjerët, por jo edhe të barabartë me maqedonasit. Pretendimi jonë duhet të jetë: ngritja në nivelin e popullsive shumicë ose zbritja e maqedonasve në koshin e të gjithë të tjerëve.
*zotërimi për hapjen e debatit për flamurin, stemën dhe himin e Maqedonisë (debatet janë konsumuar që nga viti 1991), s’është gjë tjetër veçse ndihmë për hegjemoninë maqedonase, që të na mbajë të mbërthyer me debate dhe kërkesa të riciklueshme, por asnjëhëre me rezultate të afatizuara.
2. “Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqënies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal”
*perveç emërtimit të bukur, që veçmë është e inkorporuar në sistemin legjislativ të Maqedonisë, sipas normave europiane, me 1% të GDP-së, jo vetëm që nuk ka qënë funksionale, por ka qënë një ligj me sigël europiane, që ka gëzuar miqtë europian, por ka mbetur veç si i tillë dhe asnjëherë nuk ka gjetur zbatim. Sot regjioneve u jepet më pak se 0.01% nga 1% i GDP-së, që e garanton ligji. E gjithë kjo ka ndodhur sepse kjo gjë do t’iu garantonte komunave shqiptare (dhe jo vetëm) mirëqënie dhe prosperitet. Nga ky fakt edhe pse Ministër i Pushtetit Lokal ka qënë shqiptar, i njëjti ka qënë veç “kukull e bukur” në centralizimin e të gjitha fondeve, që mandej iu dhurohen në shumë forma, komunave maqedonase.
*Skandal i llojit të vet, do të jetë nënshkrimi me dorën tonë i kerkesës së krijimit të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve. Ëndrra e kahmotshme maqedonase, do të bëhej realitet me kërkesën e vet shqiptarëve.
Çfarë irionie!? Ky organ gjoja do të bëjë nxitjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe do të kishte qënë përgjegjës për të drejtat e komuniteteve, respektivisht të shqiptarëve. Një super tallje.
Të nderuar propozues, organi dhe organizata, që ruan të drejtat tona dhe të cdokujt në botë, janë ligjet dhe organet gjyqësore (jo këta të tanishmet). Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror nuk do të arrihej me krijimin e komisioneve dhe zorrëve tjera qorre deri në absurd, duke shprehur vetëm deklarativisht mbrojtje apo zhvillim. Thelbi i zhvillimit ekonomik, sidomos në zonat shqiptare, është mbetja e përqindjes (%) më të madhe të tatimeve dhe dhënia në dispozicion e resurseve natyrore, qe janë brenda kufijve të këtyre zonave. Çdo filozofim mbi këto premisa është lajthitje e qëllimshme dhe dashakeqe.
* Formulimet “alla bdi-ste”, për “realizim të përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, intelegjences dhe drejtësisë” si dhe “në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe agjencitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike”, është gjella e njëjtë e Marrëveshjes së Ohrit ose e shumë ligjeve administrative, që përveç se mjegullojnë opinionin vendas dhe të huaj, nuk bëjnë asnjë hap përpara, drejt realizimit të tyre. Afatizimi i perfaqësimit, është postulata themelore për të gjitha nivelet, horizontale dhe vertikale qeverisëse. Por kjo është gjysma e shqetësimit të shqiptarëve të Maqedonisë. Edhe sistemi bankar, energjetik, telekomunikacioni dhe nje pjesë e madhe e kompanive, qofshin ato edhe private, duhet detyrimisht, ti nënshtrohen përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë. Urgjenca e qeverisjes së re, duhet të jetë Enti i Statistikave dhe ai i Revizionit Shtetëror, brenda 60 ditëve të para.
3. Eurointegrimet dhe çështja e emrit kanë qënë të lidhura ngushtë me eksploatimin dhe aparteidin ndaj shqiptarëve. Ngecja e zgjidhjes së çështjes së emrit, ka qënë jorgani më i bukur, që e ideuan maqedonasit, për të vazhduar luftën e brendshme në të gjitha nivelet, kundër shqiptarëve dhe mjegulla më perfekte, që iu servua faktorit ndërkombëtar. Marrja përsipër e aktivizimit shqiptar në çështjen e emrit dhe identitetit sllavomaqedonas si dhe lidhja e kësaj me eurointegrimet, është agjendë VMRO-iste dhe një hendek i panevojshëm, që faktori politik shqiptar ia bën vetes. Kështu i jep bonus dhe energji të panevojshme palës maqedonase, gjoja për zgjidhjen e problemit të emrit, kur fare mirë, ne mund të integrohemi edhe si FYROM.
*Kërkesa për miratimin e një rezolute nga Kuvendi i RM-së, me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullsisë shqiptare në RM vetëm për periudhën 1912-1956, është një favor “par excellance” ndaj një shteti që deri në ’45-ën nuk ka ekzistuar. Kjo amneston këtë shtet nga gjenocidi para dhe pas vitit 2001. Normalisht e gjithë kjo, do ti zinte vendin, aktualitetit të mjerë të tanishëm, me doza nacionalizmi të rrejshëm dhe të përmbysur, duke shpikur debat veç për amulli kuaziakademike dhe historike.
4. Rastet e montuara politike, duhet të jenë maja e kerkesave tona, drejtuar spektrit politik maqedonas dhe faktorit ndërkombëtar, ku bëhet fjalë për Prokurorinë Specialë dhe eventualisht Gjykatën Speciale. Vazhdimi i punës së Prokurorisë Speciale Publike duhet të kushtëzohet detyrimisht me zgjidhjen më primare të rasteve të montuara politike (të zbardhura në përgjime) si “Monstra”, “Sopoti”, “Brodeci”, “Lagjia e Trimave” etj. Emergjenca e zgjidhjes së rasteve është kjo: deri sa tek shumica e rasteve që hetohen, dyshohet për korrupsion dhe krime tjera të organizuara, tek rastet e montuara politike për shqiptaret, dhjetëra njerëz po mbahen pa të drejtë nëpër burgje. Kështu mbahen peng fatet e tyre brenda katër mureve, vuajtja e familjarëve, por mbahet peng edhe ndërgjegjia e poitikanëve tonë. Këto të fundit, veçmë do të manifestonin impotencën e trashëguar politike dhe ndërgjegjen e cunguar morale.
5. “Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike, si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit”, është sintagma Gligoroviane, që u shqipërua përmes deklaratës së publikuar nga partitë shqiptare. Zemërimi i shqiptarëve të Maqedonisë, gjithmone ka qënë i kontrolluar (në kuptimin e mirë të fjalës). Ai kurrë nuk ka qënë kundër popullsisë maqedonase, por kundër shtypjes dhe aparteidit, gjegjesisht kundër shtetit (që fatkeqësisht ose jo, është i përvetësuar si maqedonas). Jo populli maqedonas, por shteti maqedonas i ka duart të lyera me gjak. Shteti i Maqedonisë ka sulmuar njerëz të pambrojtur dhe të paarmatosur përgjatë gjysëm shekulli dhe kjo tregon se shqiptarët kanë problem drejtpërdrejtë me të dhe jo me kualifikimin pansllavik “të marrëdhënieve të mira ndëretnike”.
*Kërkesa për “krijimin e një institucioni qëndror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesëve, redaktuesëve dhe lektorëve”, sa është tragji-komike aq është edhe naive, poshtëruese dhe diletanteske. Veç njerëz të natyrës së nënshtruar mund të propozojnë institucione, që do ti mbrojnë në nivelin e pakicave. Garanti i çdo shkeljeje, avancimi dhe sanksionimi është ligji dhe vetëm ligji dhe assesi institucionet që do të shërbejnë për t’iu siguruar vende pune dhe kolltuqe të shpifura…
Për fund, desha të shtoj edhe diçka. Drafti i servuar në Tiranë, më duket si “testamenti i Kiro Gligorovit”, i dorëzuar atje në vitin 1991 e që unë akoma nuk dua ta besoj se i ka rënë në hise Edi Rames për ta hapur…
Nëse kjo Marrëveshje është nënshkruar me atë tekst, që unë arrita ta marr nga rrjetet sociale, me plotë përgjegjësi e them se kështu i vendosni qaforen e turpit, elitës politike shqiptare në Maqedoni dhe thikën me helm shqiptarëve të Maqedonisë.
Nëse ky është teksti, që është nënshkruajtur, më mirë na lini të vuajmë edhe ca kohë, derisa të rigjejmë veten në trupin dhe mendjen e shëndoshë.
Sot e gjithë Maqedonia, po lëngon nga atrofia celebrale (që është humbja e trurit) dhe të menduarit palidhje, por që kësaj do ti jepte kurën për të lajthitur edhe Tirana zyrtare…kjo po që është goxha lajm!
Ne të gjithë mund të qeverisim, bashkë ose edhe të ndarë, por ama qaforen mos na hiqni nga trupi. Prej sot, atë qafore e kam të varur edhe unë.
Krenar Lloga
Janar 2017
Strugë