Nga qershori vjen kontroll i ri për kontrollimet teknike – nuk do të ketë më “marrëveshje”, gjithçka shkon direkt në MPB

Nga mesi i muajit qershor fillon testimi i Sistemit të ri Qendror Informativ për kontrollimet teknike të automjeteve, i cili synon të parandalojë çdo keqpërdorim, përfshirë mashtrimet dhe ryshfetin. Të gjitha të dhënat nga kontrolli teknik do t’i dërgohen në kohë reale Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Siguri në Komunikacion, pa mundësi ndryshimi të mëvonshëm.

Risia më e madhe është se rezultatet e kontrollit teknik do të regjistrohen automatikisht dhe do të lidhen me sistemin e eUprava-s. Kjo do të thotë:

– Regjistrimi i automjetit do të jetë i mundur vetëm me raport valid nga kontrolli teknik
– Nuk do të ketë më “korrigjime” pas kontrollit
– Çdo e dhënë do të regjistrohet drejtpërdrejt nga pajisjet matëse

Testimi i sistemit do të zgjasë deri më 15 dhjetor, periudhë gjatë së cilës do të kontrollohet funksionaliteti dhe besueshmëria e tij.

Vetë procedura e kontrollit teknik nuk ndryshon – do të kontrollohen të njëjtat elemente si deri tani. Por kontrolli digjital do të bëjë që çdo parregullsi të evidentohet menjëherë, pa mundësi “marrëveshjeje”.

Një nga arsyet më të shpeshta pse automjetet nuk e kalojnë kontrollin teknik mbetet kompleti i ndihmës së parë i skaduar ose jo i rregullt. Sipas rregullave:

– Afati i përdorimit është 5 vjet
– Çmimi i kompletit sillet nga 1.500 deri në 3.000 dinarë
– Mund të zëvendësohet me pagesë shtesë rreth 900 dinarë, nëse nuk është përdorur

Kompleti standard duhet të përmbajë:

– Fasha dhe materiale sterile
– Flasterë dhe shirita ngjitës
– Shamija trekëndëshe për imobilizim
– Gërshërë, gjilpëra sigurie dhe doreza
– Batanije izotermike
– Maskë për frymëmarrje artificiale
– Udhëzim për dhënien e ndihmës së parë

Gjoba për mungesë ose komplet të parregullt të ndihmës së parë është:

– 5.000 dinarë për personat fizikë
– Nga 60.000 deri në 600.000 dinarë për personat juridikë dhe ndërmarrësit

Për shoferët në Serbi kjo do të thotë se kontrolli teknik duhet të jetë plotësisht i rregullt, sepse me sistemin e ri çdo parregullsi do të shihet menjëherë dhe regjistrimi do të bëhet vetëm me të dhëna të verifikuara.

Back to top button