Visar Mehmeti pas zgjedhjeve: Uniteti sjell rezultate, zëri i Luginës do të dëgjohet fuqishëm në Parlament

andidati i dytë në listën e “Koalicionit Shqiptar”, Visar Mehmeti nga Alternativa për Ndryshim, ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Sipas rezultateve paraprake, ai do të jetë një nga dy deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.

Në një mesazh drejtuar bashkëkombasve, Mehmeti kujton se procesi nisi më 29 shtator në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, me nënshkrimin e marrëveshjes për listën e përbashkët. Sipas tij, rezultati dëshmon se kur shqiptarët bashkohen rreth interesave të përbashkëta mund të arrijnë rezultate të rëndësishme. Ai thekson se pas një periudhe të gjatë, shqiptarët e Luginës sigurojnë më shumë se një ulëse në Parlamentin e Serbisë, “ku pjesë e përfaqësimit tonë do të jem edhe unë”.

Mehmeti i vlerësoi zgjedhjet e djeshme edhe si moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të Serbisë. Ai shprehu bindjen se ndryshimet politike do të hapin rrugën për “ditë më të mira, më shumë demokraci dhe më shumë të drejta” për shqiptarët e Luginës.

Ai falënderoi votuesit, aktivistët e Alternativës për Ndryshim dhe të të gjitha partive të koalicionit, si dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, institucionet dhe partitë politike në Kosovë. Një falënderim të veçantë ua bëri bashkëvendësve nga Lugina që jetojnë në Kosovë dhe në diasporë dhe që u kthyen për të votuar.

Mehmeti tha se mandati nuk është vetëm përgjegjësi personale, por obligim ndaj çdo qytetari që besoi në këtë proces, si dhe ndaj atyre që mbetën skeptikë deri në fund. Ai u zotua të angazhohet që zëri i shqiptarëve të Luginës “të dëgjohet fuqishëm në Parlamentin e Serbisë”, që të drejtat e tyre të mbrohen dhe interesat të përfaqësohen me dinjitet.

“Së bashku dëshmuam se uniteti sjell rezultate dhe se e ardhmja ndërtohet me angazhim, guxim dhe përgjegjësi”, e përmbyll ai mesazhin.

Back to top button