Kur hyjnë Kamberi dhe Mehmeti në Kuvendin e Serbisë?

Pas zgjedhjeve të 25 tetorit, “Koalicioni Shqiptar” ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë, të cilat sipas renditjes në listë u takojnë Shaip Kamberit dhe Visar Mehmetit. Pas përfundimit të numërimit të votave, mbeten edhe disa hapa deri në ditën kur ata do të ulen zyrtarisht në Kuvend.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ) ka publikuar rezultatet nga të gjitha 8.392 vendvotimet. Para kësaj, votimi u përsërit në 53 vendvotime* Sipas KRZ-së, Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.683 vota, ose 0,62 për qind.
Pasi të ketë marrë të gjitha procesverbalet, KRZ ka *6 orë kohë për të publikuar raportin përfundimtar dhe për të shpallur zyrtarisht rezultatet. Vetëm atëherë konfirmohet zyrtarisht edhe numri i mandateve të secilës listë.
Kuvendi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Kryetarja aktuale e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se do ta thërrasë seancën konstituive “në kohën më të shkurtër të mundshme”, sapo KRZ t’i shpallë rezultatet.
Në këtë seancë verifikohen mandatet e deputetëve, dhe pikërisht atëherë Kamberi dhe Mehmeti marrin zyrtarisht detyrën e deputetit. Nëse rezultatet përfundimtare shpallen këto ditë, seanca konstituive duhet të mbahet më së voni në fillim të dhjetorit, por mund të mbahet edhe më herët.
Pas konstituimit të Kuvendit fillon afati prej 90 ditësh për zgjedhjen e qeverisë së re. Lista Studentore ka shumicë absolute dhe nuk ka nevojë për partnerë për ta zgjedhur qeverinë.
Pas dorëheqjes së Aleksandër Vuçiqit nga posti i presidentit më 27 shtator, Serbia duhet të mbajë edhe zgjedhjet presidenciale, më së voni deri më 27 dhjetor.
Presheva.AL do t’ju njoftojë sapo KRZ të shpallë rezultatet përfundimtare dhe datën e seancës së parë të Kuvendit.
