Sa kushton ngrohja këtë dimër në Preshevë: një traktor dru deri 360 euro, peleti deri në 50.000 dinarë për ton

Sa kushton ngrohja këtë dimër në Preshevë: një traktor dru 300 deri 360 euro, pelleti deri në 50.000 dinarë për ton.
Me fillimin e sezonës së ngrohjes, familjet në Preshevë po përgatiten për dimër, ndërsa çmimet e druve dhe të pelletit mbeten të larta.
Sipas informacioneve të Presheva.AL nga terreni, një traktor me dru, rreth 5 metra, kushton nga 300 deri në 360 euro. Kjo do të thotë rreth 60 deri në 72 euro për metër, varësisht nga lloji i drurit dhe shitësi.
Këto çmime përputhen me ato në pjesën tjetër të jugut të Serbisë, ku sipas medieve serbe një metër dru kushton rreth 8.000 dinarë. Në Beograd dhe në veri, drutë janë më të shtrenjta: nga 10.500 deri në 11.500 dinarë për metër.
Një ton pellet në depot e shitjes kushton kryesisht 42.000 deri në 48.000 dinarë, ndërsa pelleti i importuar dhe i cilësisë më të lartë arrin deri në 50.000 dinarë. Kush e blen drejtpërdrejt në fabrikë mund ta gjejë rreth 38.000 deri në 40.000 dinarë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur pelleti mungonte në Luginë, këtë vit furnizimi është më i mirë. Sipas ekspertëve, shumica e shitësve kanë mall të mjaftueshëm dhe dërgesat bëhen rregullisht.
Këshillë për një dimër më të lirë: Blini dru të thara mirë dhe, nëse keni mundësi, dru të forta si ahu, lisi apo shkoza, sepse digjen më gjatë.
