Koalicioni Shqiptar me 27.663 vota, Presheva i dha 15.248, Bujanoci 11.632

Sipas rezultateve të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ), pas përpunimit të 96,9 për qind të vendvotimeve në Serbi, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.663 vota, ose 0,65 për qind të votave në nivel vendi.
Në Luginë, të gjitha vendvotimet janë përpunuar.
Presheva: Koalicioni Shqiptar mori 15.248 vota, ose 77,65 për qind. Në Preshevë votuan 19.636 nga 44.599 votues të regjistruar, që e çon daljen përfundimtare në 44,02 për qind. Lista e Vuçiqit mori 2.170 vota, ndërsa Lista Studentore 291.
Bujanoci: Koalicioni mori 11.632 vota, ose 56,02 për qind. Dalja ishte 47,97 për qind, me 21.377 votues nga 44.554. Lista e Vuçiqit mori 5.504 vota, ndërsa Lista Studentore 2.063.
Medvegja: Koalicioni mori 296 vota, ose 8,71 për qind, me dalje prej 56,96 për qind.
Nga tri komunat e Luginës, Koalicioni Shqiptar mori gjithsej 27.176 vota. Pjesa tjetër, rreth 490 vota, erdhi nga pjesë të tjera të Serbisë.
Sipas llogaritjeve të Presheva.AL me metodën e ndarjes së mandateve dhe bonusin prej 35 për qind për pakicat, ky rezultat i jep Koalicionit Shqiptar dy mandate, njësoj si projeksioni i CeSID-it. Për mandatin e tretë do të duheshin afërsisht 8.000 vota më shumë. Meqë në Luginë të gjitha vendvotimet janë numëruar, mandati i tretë tani duket i paarritshëm.
Në nivel të Serbisë, dalja është 68,81 për qind, me 4.267.018 votues nga 6.451.292 të regjistruar. Lista Studentore ka 52,65 për qind, ose 2.245.082 vota, ndërsa lista e Vuçiqit 39,22 për qind, ose 1.672.327 vota. Lista e Ivica Daçiqit, me 2,17 për qind, mbetet nën pragun prej 3 për qind.
Rezultatet përfundimtare do t’i shpallë KRZ pas përpunimit të të gjitha vendvotimeve.
