Sa vota i munguan Koalicionit Shqiptar për mandatin e tretë?

Natën e zgjedhjeve, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Albin Kurti thanë se Koalicioni Shqiptar ishte “në garë për mandatin e tretë”. Tani që janë numëruar të gjitha votat, rezultati është i qartë.
Sipas llogaritjeve të Presheva.AL me metodën e ndarjes së mandateve dhe bonusin prej 35 për qind për pakicat, Koalicionit Shqiptar do t’i duheshin rreth 37.300 vota për mandatin e tretë. Lista mori 27.683, që do të thotë se i munguan afërsisht 9.600 vota.
Për krahasim, kufiri për dy mandate ishte rreth 24.900 vota, të cilin Koalicioni e kaloi me rreth 2.800 vota.
Shaip Kamberi ka deklaruar se pasivizimi i adresave i dëmtoi shqiptarët dhe i pengoi ta fitonin ulësen e tretë, sepse shumë qytetarë të prekur janë fshirë edhe nga listat e votuesve. Ai e cilësoi këtë si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës.
