62 pako heroinë të fshehura në një depo në Ferizaj: zbulohet si e sillnin drogën nga Irani

Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës kanë goditur një grup kriminal ndërkombëtar që dyshohet për trafik droge. Gjatë aksionit u sekuestruan rreth 37 kilogramë heroinë.

Droga u gjet në depon e një fabrike në rajonin e Ferizajt, e ndarë në 62 pako. Vlera e saj në treg vlerësohet mbi gjysmë milioni euro, rreth 550.000 euro sipas raportimeve të medieve.

Në aksion u arrestuan pesë persona, të dyshuar se janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal që merrej me blerjen, mbajtjen, shpërndarjen dhe shitjen e paligjshme të narkotikëve. Sipas Portalb, mes të arrestuarve janë dy shtetas të Kosovës, dy të Turqisë dhe një i Maqedonisë së Veriut.

Sipas hetuesve, heroina dyshohet të jetë sjellë nga Irani në Kosovë, e fshehur në mallra tregtare të dërguara nga vende të Azisë dhe të Lindjes së Mesme. Grupi dyshohet se synonte ta shiste drogën jashtë Kosovës.

Për aksionin njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa hetimet nisën pas informacioneve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Back to top button