Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë
Të shkruash sot për Luginën e Preshevës nuk është gjithaq e lehtë, ngaqë ngjarjet me shpejtësinë e erës marrin trajta të ndryshme, duke ndryshuar shumë shpejt shumëçka përpos ndryshimit.
Se kjo gjymtyrë e Shqipërisë vazhdon të jetojë ndërmjet veçimit dhe shtypjes shtetërore serbe, dëshmuan ngjarjet e rastit të vënies së lapidarit me krenari prej vargut politikë shqiptar të Luginës së Preshevës dhe shkuljes së asaj krenarie prej forcave politike, policore dhe ushtarake serbe.
Nuk ka rrugë në botë që nuk të shpie diku, ashtu siç nuk ka urë që nuk i lidh dy brigje. Në rrugën Llojan-Miratoc, që është e shtruar, duhet të ndalesh edhe kur nuk të ndalon askush. Sepse mund të gjuhesh me plumb prej atyre të cilët duhet të ruajnë prej plumbave dhe duhet të sigurojnë lëvizje të lirë. Po ashtu, Ura e Gurit në Shkup dhe ajo e Ibrit në Mitrovicë nuk i lidhin njerëzit a brigjet, por shënojnë ndarjen dhe sigurojnë ndalesat mes njerëzve. Kësi lloj paradoksesh me pasoja të rënda u ndodhën dhe po u ndodhin shqiptarëve. Pikërisht në periudhën e këtyre ndalesave, që kurrë askush nuk arriti të paktën ta thotë një arsye të vetme për këtë vepër, ndodhën shumë ngjarje të pakëndshme si në rajonin e Likovës, ashtu edhe në atë të Preshevës. Menjëherë pas mbylljes së kufirit mugulloi tregtia në të zezë mes këtyre dy rajoneve dhe, për pasojë, u dëmtuan shumë ara pjellore, u burgosën dhe u rrahën shumë shqiptarë, që ujitën prirjen për të zhvilluar tregti të paligjshme. Pastaj, ndodhi vrasja e një të riu preshevar me arsyetimin se kishte vendosur të shkojë në Llojan nëpër rrugën që dikur lirshëm qarkullonte. Ndodhi lufta në Luginë të Preshevës dhe pas saj ajo në Maqedoni. Pas këtyre luftërave, në mënyrë të padrejtë dhe trishtueshëm për banorët e këtyre vendeve, u vendosën dendur xhandarmëria e Serbisë përgjatë vijës kufitare që ndante shqiptarët mes veti. Bllokimi i këtij vendkalimi e shtoi pasigurinë dhe herë pas herësh e kultivoi tregtinë në të zezë, duke u shoqëruar me rrezikimin e jetës. Sidomos së fundmi po kjo klimë e kultivoi tregtinë me ikanakë të Lindjes së Mesme. Llojani dhe Miratoca ishin pikësynimet e çdo ikanaku dhe, fatkeqësisht, çmimi i kësaj tregtie të poshtër ishte i lartë pikërisht në këto dy vende.
Shqiptarët në Luginë të Preshevës ndërmjet veçimit dhe shtypjes
Të shkruash sot për Luginën e Preshevës nuk është gjithaq e lehtë, ngaqë ngjarjet me shpejtësinë e erës marrin trajta të ndryshme, duke ndryshuar shumë shpejt shumëçka përpos ndryshimit. Se kjo gjymtyrë e Shqipërisë vazhdon të jetojë ndërmjet veçimit dhe shtypjes shtetërore serbe, dëshmuan ngjarjet e rastit të vënies së lapidarit me krenari prej vargut politikë shqiptar të Luginës së Preshevës dhe shkuljes së asaj krenarie prej forcave politike, policore dhe ushtarake serbe.
Lapidari nuk ishte gjë tjetër, pos një “copë guri” në kuptimin material, por në kuptimin e pasqyrimit të panoramës së vërtetë në këtë vend ishte një kushtetutë e llojit të veçantë, brenda së cilës lexohej qartë se sa larg ishte ajo që thuhej e shkruhej për shtetin e Serbisë prej vetë krerëve të saj, me atë që vërtet mbretëronte në atë truall.
Gjendja e sotme ekonomike dhe sociale, padrejtësia që u bëhet qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga vetë shteti ku jetojnë, vërtet është bërë e papërballueshme. Siç shihet, Serbia është duke e ditur se çfarë pune është duke bërë shteti amë, Shqipëria. Edhe pse shumicë në këtë komunë janë shqiptarët, ata vijojnë të trajtohet si punonjës pakicë. Mungon akusheria për lindje, gjykata, ndërsa përpjesëtimi i policisë shumetnike në rajonet shqiptare është dy serbë dhe një shqiptar, kurse në rajonet me shumicë serbe tre serbë dhe asnjë shqiptar. Ndërkaq pikëndalimi ndërmjet fshatit Miratoc dhe atij Llojan dukshëm i ka veçuar banorët e këtij rajoni.
Po ashtu edhe Maqedonia, në njërën anë, përmes vënies së sigurimit shumë të shtrenjtë për studentët e Luginës dhe, në anën tjetër, Kosova me vënien e sigurimit për makina me targa të Serbisë (edhe pse herë hiqet e herë vihet kjo taksë, por sidoqoftë është fyerje për bashkëkombësin e vet), shqiptarët e kësaj ane i kanë ngujuar keqas në kridhën e baltës së veçimit dhe të shtypjes shtetërore serbe.
Për ta harruar për pak çaste gjithë atë vargan faktorësh që jetën dhe jetesën në Luginë të Preshevës e bënte të mjerë, politika serbe në bashkëpunim me papjekurinë dhe mendjemadhësinë e politikanëve shqiptarë, banorëve të kësaj ane ua dhuruan një trishtim dhe zhgënjim të thellë: në mëngjesin e një të diele, teksa dikush sikur ariu polar flinte thellë, të hershmit në keqbërje i vranë për së dyti ata që amanetin ua kishin lënë atyre, që të fortë ishin vetëm kur flisnin dhe kur premtonin dhe të cilët në fazën e jetësimit të gjërave avulloheshin në errësira të thella. Lapidari u hoq.
Pyesnim, vallë ç’të duhej makina e bukur pa rrota, ç’të duhej asfalti i bukur pa sistemin e kanalizimit poshtë, ç’të duhej rruga që nuk të shpinte asgjëkund, ç’të duhet gurra e ujit pa një shtrat të lumit, ç’të duhet lapidari pa përkujdesjen e të gjallëve dhe vdekjen e mistershme të Komandant Lleshit, me këtë edhe të Marrëveshjes së Konçulit?!
Xhandarmëria nuk e di pse ruheshin aq shumë. Vallë, kush do t’i sulmonte? Mirë që dikush prej popullit nuk mori hapa të tillë, ngase kjo ishte një tejfryerje e panevojshme e krijuar prej vargut të përgjithshëm politikë. Lapidarit ia kishin vënë një thes, thuajse bëheshin gati për ta varur me litar ndonjë të rrezikshëm për sistemin e pushtetit. Meqë bota ishte në gjumë dhe gjoja nuk e paska parë dramën tragjike me rastin e heqjes së lapidarit, tani shqiptarët përmes protestës së harlisur do t’i tregojnë botës dhe gjithë atyre me ndërgjegje të fjetur se në oborrin tonë kanibalët na e kanë grabitur epitafin e ngjeshur me emra të ndritur.
Kjo perde e hekurt u shoqërua me një dëshmor shqiptar
Pikëkalimi Llojan dhe Miratoc, që është trajtësuar në vendtrishtim, ka hijezuar me turp tërë shqiptarët. Paturpësisht i ka ndarë familjarët dhe padrejtësisht vijon të qëndrojë si një gjak i ngjizur në arteriet tona. Ai pafundësisht sjellë pasoja dhe përfundimisht shkakton ngecje dhe humbje ekonomike dhe financiare. Përkundër këtyre argumenteve, të cilat janë shumë më shumë se sa dikush mund t’i radhisë, sërish funksionarët e lartë, që janë në politikën shqiptare andej dhe këndej kufirit, dikur gënjenin se do ta rihapnin këtë rrugë, kurse tani – për dallim prej asaj kohe – duket se e kanë kuptuar se populli e ka kuptuar se ata haptazi po gënjejnë. Në vend të kësaj ata zgjodhën heshtjen dhe mosveprimin. Ata, madje, harruan se para më shumë se një dekade një djalë i ri u vra po në këtë zonë, po si rrjedhojë e kësaj mbylljeje pa asnjë arsye, të cilën të rrezikshme e bënë ata që realisht ishin dhe janë rrezik të këtij vendi dhe jo shqiptarët. Nuk mund të jenë rrezik shqiptarët, ata të cilët këtë arterie e kishin përdorur për lëvizje të lirë. Fatkeqësisht, kjo liri iu ndalua popullatës shqiptare pa asnjëfarë arsye dhe atyre që nuk u pajtuan me këtë privim të dhembshëm sakaq, përpos lirisë për të lëvizur, iu privua edhe liria e jetës.
Dëshmori i kësaj padrejtësie ishte Dashnim Hajrullahu nga fshati Rahovicë i Komunës së Preshevës. Ai në lule të rinisë, saktësisht në moshën 16-vjeçare u bë kurban i një padrejtësie, të cilën e heshtën dhe me kalimin e kohës e harruan pikërisht ata që këtë argument nuk duhej ta harronin kurrë. Mbase jo vetëm padrejtësinë, por edhe Dashnimin, sepse Dashnimi është dëshmi e gjallë e kësaj padrejtësie. Sa herë kur të kujtohet Dashnimi, të kujtohet me rrëqethje edhe tmerri që jemi duke e përjetuar çdo ditë, edhe pse “skllevërit e lumtur” duket se janë përshtatur me këtë të keqe, ashtu siç iu përshtatën shumë të këqijave të tjera. Nuk është tragjedia në vdekjen e tij, sepse askush nuk mund t’i ikë vdekjes, por tragjedia është se këtë e vranë forcat e rendit dhe të sigurisë serbe, pikërisht ata që në thelb duhet të krijojnë rend në vend të çrregullimit dhe siguri në vend të pasigurisë. Ai nuk kishte mundësi t’i udhëtojë 35 kilometra dhe të priste me orë të tëra në kufirin kryesor, duke qenë se shtëpinë e të afërmeve e shihte me sy. Ai nuk njohu kufi, sepse kufi nuk kishte. Si çdo i ri që ka dëshirë të zjarrtë të shkojë te halla, tezja ose të daja, edhe ai e kishte një dëshirë të tillë, por nuk e kishte menduar se atë ditë do të trajtohej si një kriminel, i cili do të qëllohej me plumb. Ai në moshën 16-vjeçare u qëllua për vdekje pikërisht prej forcave të rendit dhe të sigurisë. Të paktën ta kishin kapur këtë “kriminel” të vogël, i cili atë ditë kishte menduar t’i gëzojë të afërmit, edhe pse nuk e kishte menduar se do t’i pikëllojë ata dhe për vite të tëra do ta turpërojë gjithë elitën politike shqiptare, pse jo edhe atë shoqërore. Kësisoj ai u vra, kurse vrasësi askund nuk u pa. Ai vdiq, por edhe shkaku i asaj vdekjeje vdiq. Por, jo edhe shkaktari. Ai u vra, por elita jonë sërish nuk u mbushë me mend. Ai u vra, por të gjallët ende paraqiten si të hutuar rreth arsyes për të cilën ai ra.
…rrojmë me krenari të rruar
Rihapja e kësaj arterie është nevojë e ngutshme dhe e patjetërsueshme. Meqë politikanët nuk duan ta vrasin mendjen, atëherë duhet një nxitje dhe një thumbim pak më i shpeshtë prej popullit. Aq më tepër kur e dimë se nuk ka ndonjë arsye për moshapjen e këtij vendkalimi, kurse kemi me qindra argumente, që dëshmojnë se ky vendkalim duhet të bëhet realisht i kalueshëm. Ky pikëndalim me dekada është duke i kërcënuar shqiptarët, fillimisht me vetë aktin e mbylljes, që lihet të nënkuptohet se në këto rajone shumëçka nuk është në rregull dhe pastaj me nevojën e lartë për të kaluar andej dhe këndej këtij pikëndalimi. Kësodore, nuk mund të mbahet një popullatë me 27 mijë banorë e mbyllur kundrejt 30 mijë banorëve të cilët miqësisht dhe organikisht janë të lidhur mes veti.