Magazina

A dëshiron të shpërblehesh sikur ke agjëruar një vit?

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe madhërimet i përkasin Allahut të Madhëruar, Krijuesit të gjithësisë. Paqja dhe begatia e të madhit Zot qofshin mbi Profetin Muhamed (alehji selam), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën e tij deri në ditën e fundit, Ditën e Gjykimit.
Tashmë jo vetëm që muaji i begatë i Ramazanit është larguar, por edhe kurorës stolisëse e tij që është Fitër Bajrami nuk i ka mbetur asnjë gjurmë.

Iku muaji i Ramazanit dhe bashkë me të ikën dhe shumë mirësi të cilat Allahu i ka sjellë përmes adhurimeve në këtë muaj.
Por, edhe pse muaji i Ramazanit ka ikur, Krijuesi i këtij muaji që është Allahu i Madhëruar është i pavdekshëm. Edhe pse agjërimi i muajit të Ramazanit mbaroi agjërime të tjera alternative ekzistojnë, në mënyrë që robi dhe robëresha të marrin shpërblime sa më shumë.

Koha rrotullohet e ditët pasojnë njëra-tjetrën, muaji ynë i fiku dritat e tij, i uli perdet e tij, u venit ylli i tij pas vezullimit. U errësuan netët e tij pasi ishin të ndriçuara. E gjithësinë e ka pushtuar heshtja, pasi më parë ishim të preokupuar e si mbi gjemba sesi do ta kalojmë Ramazanin. Iku Ramazani, ikën ditët dhe netët e tij. Iku dhe do të kthehet vetëm për ata që do të mbeten.
Ndjemë kënaqësinë tonë me agjërimin gjatë këtij muaji. Tani një muaj tjetër ka zënë vend në mesin tonë, muaji sheval, muaji pasardhës i Ramazanit për të cilin Profeti alejhi selam ka thënë: “Kush agjëron gjashtë ditë nga muaji sheval është njësoj sikur të ketë agjëruar gjithë kohën”.

Prandaj, çdo musliman dhe muslimane duhet të vërë në zbatim fjalën e Profetit (alejhi selam).

Çfarë rregullash dhe gjykimesh duhet të zbatohen në këto ditë?

Për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që duan të marrin shpërblimin e agjërimit të gjithë kohës, po përmbledhim disa rregulla që i përkasin agjërimit të këtyre ditëve:
1. Gjykimi i agjërimit të këtyre ditëve.

Agjërimi i këtyre ditëve është (synet) i preferuar për arsye se transmetohet nga Ebu Ejubi (radijAllahu anhu), nga Profeti (alejhi selam): “Kush agjëron muajin e Ramazanit, pastaj e pason me gjashtë ditë nga shevali, është njësoj sikur të ketë agjëruar gjatë gjithë kohës”.[1]

Gjithashtu, edhe dijetarët e medh’hebeve të atij hanbeli, shafi’, maliki dhe dijetarët e mëvonshëm të hanefive janë të mendimit se agjërimi i gjashtë ditëve të shevalit pas Ramazanit është synet. Ndërsa hanefitë në vetvete janë të ndarë në dy mendime: preferohet dhe nuk preferohet.

2. Vlera e agjërimit të këtyre ditëve.

Profeti (alejhi selam) e ka bërë mjaft të qartë vlerën e këtij agjërimi në hadithin që ne përmendëm më lart ku agjërimi i gjashtë ditëve nga muaji shevalit është i barabartë me agjërimin e gjithë vitit dhe kjo për arsye se në një hadith tjetër thotë se: ”Vepra e mirë shpërblehet dhjetë herë”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se: “Allahu i madhëruar veprën e mirë e shpërblen me dhjetë herë, një muaj herë dhjetë dhe gjashtë ditët herë dhjetë plotësojnë një vit hënor”.[2]

Imam Enevevi thotë se konsiderohet si agjërimi i gjithë vitit për arsye se agjërimi i Ramazanit është i barabartë me agjërimin e dhjetë muajve, ndërsa agjërimi i gjashtë ditëve është i barabartë me agjërimin e dy muajve, kështu që plotësohet agjërimi i një muaji të plotë.

Pra, 30 ditët e Ramazanit shumëzohen me dhjetë dhe rezultati është 300, pastaj 6 ditët e shevalit shumëzohen me dhjetë dhe rezultati është 60. 300 + 60 = 360 ditë aq ditë sa ka edhe një vit hënor që merret në konsideratë në fenë islame.3. Dobitë e agjërimit të këtyre ditëve.
1. Agjërimi i këtyre gjashtë ditëve nga muaji sheval konsiderohet njësoj sikur të kesh agjëruar të gjithë vitin.

2. Agjërimi në muajin sheval dhe shaban është i barabartë me namazet vullnetare (synetet) para dhe pas namazeve të detyrueshme (farzeve), të cilat janë plotësuese të namazeve të detyrueshme, kështu edhe agjërimi në këto dy muaj është plotësues i agjërimit të detyruar të muajit të Ramazanit, për arsye se ashtu si namazi edhe agjërimi ka mjaft mangësi dhe të meta. Ditën e Gjykimit të detyruarat (farzet) do të plotësohen nga synetet.
3. Praktikimi i agjërimit pas muajit të Ramazanit konsiderohet si shenjë e pranimit të agjërimit në muajin e Ramazanit. Kjo, për faktin se kur Allahu i Madhëruar e pranon ndonjë vepër prej robit të tij i jep atij mundësinë që ai të kryejë dhe të vazhdojë me vepra të mira edhe në të ardhmen. Ai i cili pasi ka kryer një vepër të mirë e pason po me ndonjë vepër të mirë, tregon që vepra e tij e parë është pranuar. Ndërsa ai i cili pasi ka kryer një vepër të mirë e pason me ndonjë vepër të keqe, atëherë kjo tregon se vepra e tij e mirë nuk është pranuar, por është refuzuar.

4. Ata që kanë agjëruar gjatë Ramazanit marrin shpërblimin e premtuar në ditën e Fitër Bajramit dhe agjërimi pas kësaj dite të shpërblimit konsiderohet si falënderim për këtë shpërblim madhështor, për këtë begati nga ana e Allahut të Madhëruar. sepse nuk ka begati më të madhe sesa falja e gjynaheve nga Allahu i Madhëruar. Shembull për këtë kemi Profetin Muhamed (alejhi selam) i Cili falej aq shumë saqë i ënjteshin këmbët dhe kur Aishja (radijAllahu anha) i tha: “O i Dërguari i Allahut, pse falesh kaq shumë, ndërkohë që Allahu t’i ka falur gjynahet e mëparshme dhe ato të ardhshme?” Por, Ai (alejhi selam), u përgjigj: “Pse të mos jem rob falënderues”.
Pra, pse të mos e falënderoj Allahun për këtë begati që më ka dhënë (faljen e gjynaheve).
Disa prej të parëve tanë nëse arrinin të ngriheshin e të falnin natën agjëronin të nesërmen si shenjë falënderimi ndaj Allahut që ua bëri të mundur marrjen e këtij shpërblimi, arritjen e kësaj begatie.
4. Disa çështje të ndryshme që kanë lidhje me agjërimin e këtyre ditëve.
1. Preferohet që agjërimi i këtyre ditëve të fillojë menjëherë pas festës së Bajramit. Për arsye se një gjë e tillë konsiderohet si shpejtim për vepra të mira. Siç thotë dhe Allahu i Madhëruar: “Shpejtoni për tek falja e Zotit Tuaj dhe xheneti, gjerësia e të cilit është sa e qiejve dhe tokës, i përgatitur për të devotshmit”.

2. Lejohet që këto ditë të agjërohen të shpërndara gjatë gjithë muajit të shevalit dhe nuk është kusht që atë të agjërohen njëra pas tjetër të pandërprera, për faktin se Profeti (alejhi selam) e ka përgjithësuar agjërimin në këtë muaj dhe nuk ka specifikuar ndonjë gjë. Ai ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe e pason me gjashtë ditë nga muaji sheval është njësoj sikur të ketë agjëruar gjatë gjithë kohës”.

3. Ai i cili i agjëron në një vit nuk obligohet që t’i agjërojë edhe vitin tjetër, mirëpo diçka e tillë është e preferueshme, për arsye se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Punët më të dashura tek Allahu janë ato punë që janë të vazhdueshme, qoftë edhe të pakta”.

4. Nuk është e detyrueshme që agjërimi i këtyre ditëve të plotësohet domosdoshmërish, për arsye se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Agjëruesi që është duke agjëruar agjërim vullnetar është i pari i vetes së tij, nëse do e prish e nëse do e vazhdon”.

5. Në agjërimin e këtyre ditëve të shevalit dhe të gjitha agjërimeve vullnetare me shkak është i domosdoshëm nijeti përpara agimit, për arsye se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush nuk e bën nijetin deri para agimit nuk ka agjërim për të”.

6. Ai i cili ka për të shlyer ditët që i kanë mbetur nga Ramazani pa agjëruar është më mirë që të fillojë të agjërojë ditët që ka për të shlyer nga Ramazani dhe jo ditët e muajit shevar, për shkak se shlyerja e ditëve të Ramazanit është detyrë, ndërsa agjërimi i ditëve të shevalit është i preferuar dhe përparësi i jepet të detyruarve ndaj atyre të preferuarve.
Dhe së fundi, lusim të Madhin Zot që të na i pranojë veprat e mira e të na udhëzojë për në rrugën e drejtë! Dhe Allahu e di më së miri.

Kujtim Hasani

Related Articles

Back to top button