Magazina

Përse në Islam, për dallim nga fetë tjera, namazi nuk lejohet vetëm se në gjuhën arabe?

PËRSE NUK LEJOHET NAMAZI VETËM SE NË GJUHËN ARABE?
Përse në Islam, për dallim nga fetë tjera, namazi nuk lejohet vetëm se në gjuhën arabe?
Thotë Allahu i Madhëruar:

Elif, Lam, Ra. Këto (ajete që t’u zbritën) janë ajetet e librit të qartë. 2. Ne e zbritëm atë Kur’an arabisht, ashtu që ta kuptoni.“ (Jusuf, 1-2).

Këto ajete tregojnë se gjuha arabe ka rol të madh në të kuptuar, medituar dhe logjikuar, për këtë shkak, Allahu e shpalli Kur’anin në gjuhën arabe, në këtë më të mirën gjuhë, gjuhë e banorëve të Xhennetit…

Urtësia pse nuk lejohet leximi i Kur’anit në namaz në gjuhë tjera përveç arabishtes përmblidhet në disa pika, si: Ngase është të folur të Allahut dhe neve nuk na lejohet ndryshimin e tij, qoftë edhe të një shkronje.

Ngase leximi shpërblehet shkronjë për shkronjë, një shkronjë me dhjetë sevape, ndërsa në rast të përkthimit, shkronjat me gjasë do të shtoheshin ose do të pakësoheshin.

Allahu e ka marrë përsipër ruajtjen e librit të Tij nga ndërrimi dhe shtrembërimi. Thotë Allahu: Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.“ (el-Hixhr, 9) Sikur t’i lejohej çdo njeriu leximi i Kur’anit në gjuhën e tij përkatëse, gjithsesi se kjo do të shtrembëronte domethëniet dhe kuptimet e tij.

Lejimi për leximin e Kur’anit në gjuhë të ndryshme do të kishte për pasojë shtrembërimet në botëkuptimet e Kur’anit, sepse njerëzit do të kishin mospajtime rreth domethënieve dhe se secili do të pretendonte se përkthimi i tij është më autentik dhe më origjinal.
Pra, Kur’ani si referencë do të dobësohej shumë. Leximi i Kur’anit në gjuhën arabe ndikon në unitetin e myslimanëve. Drejtimi i tyre kah një kibël dhe leximi i të njëjtave tekste, kontribuon shumë në ruajtjen e unitetit dhe bashkimit të tyre.

Gjuha arabe është gjuha e njeriut më të dashur tek Allahu, Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Është po kështu gjuha të cilën e ka folur Ademi [alejhiselam] dhe të cilën do ta flasin banorët e Xhennetit.

Është gjuhë, të cilën logjika e kupton ndërsa ndikimi i saj në trurin e njeriut është i pashmangshëm. Kjo teori ka nevojë për një provë shkencore por ne besojmë fuqishëm dhe kemi arsye sepse Allahu e shpalli Kur’anin në gjuhën arabe me qëllim të shpjegimit, të kuptuarit dhe medituarit.

Për fund, do të doja të meditojmë ajetet në vijim:
Ligjvënësit thonë se gjuha arabe është gjuha më e mirë në botë për të shprehur qartë dhe mirë termet dhe ligjet. Është gjuhë elokuente. Për këtë arsye, Alalhu e ka quajtur ‘kushtetutë.’ Thotë Allahu: Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kur’anin) kushtetutë në arabishte. E nëse ti pasi të kanë ardhur argumente të qarta shkon pas dëshirave të tyre, ti nuk ke prej All-llahut as ndihmë as mbrojtje.“ (err-Rra’d, 37)

Gjuha arabe është ndër gjërat që motivon devotshmërinë. Thotë Allahu: Kështu Ne e shpallëm këtë Kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.“ (Taha, 113)

Gjuha e Kur’anit është mjet për ta shtuar devotshmërinë dhe për tu kthyer robi tek Krijuesi i tij. Thotë Allahu: Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur’an shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, ashtu që ata të marrin përvojë (mësim), 28. Duke qenë Kur’ani arabisht që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.“ (ez-Zumer, 27-28)

Gjuha arabe është mjet për të shtuar diturinë. Thotë Allahu: Ha, Mim. 2. Zbritje prej Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 3. Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kur’an arabisht për një popull që di ta kuptojë.“ (Fussilet, 1-3)
Gjuha arabe është mjet adekuat për tërheqje vërejtjesh. Elokuenca që ka dhe ndikimi i nevojshëm që bën, bëjnë që shpirti të këshillohet. Thotë Allahu: Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’anin arabisht që ta këshillosh kryefshatin (Meken) dhe ata përreth saj, dhe t’u tërheqish vërejtjen për ditën e tubimit (kijametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në xhennet, kurse një grup për në zjarr.“ (esh-Shura, 7)

Gjuha arabe është mjet vërtetimi, për shkak të karakterizimit me struktura fjalësh të veçanta. Sikur shkencëtarët të bënin analiza, do ta vërenin këtë gjë. Thotë Allahu: E para tij ishte libri i Musait, prijës dhe mëshirë, e edhe ky është libër që vërteton (librin e Musait), është në gjuhën arabe për t’u tërhequr vërejtjen atyre që nuk besuan, kurse myzhde për besimtarët.“ (el-Ahkaf, 12)

Gjuha arabe është mjet i shpjegimit dhe sqarimit. Thotë Allahu: E edhe ai (Kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. 193. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). 194. (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (pejgamber). 195. (Të shpallëm) Me gjuhë të kulluar arabe.“

(esh-Shuara, 192-195)
Është gjuhë e shprehjes së detajeve dhe shpjegimeve të hollësishme. Thotë Allahu: Sikur Ne ta bënim Kur’anin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kur’ani) në gjuhë të huaj, kurse ai (pejgamberi) është arab?”

Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë”.“ (Fussilet, 44)

Është gjuhë e shtimit të të kuptuarit. Thotë Allahu: Ha, Mim. 2. Pasha librin (Kur’anin) sqarues! 3. S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kur’an arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni. “ (ez-Zuhruf, 1-3)

Pas këtyre shpjegimeve, athua mbetet vend për të ndërruar këtë gjuhë madhështore me gjuhë të tjera?!

Le të jetë moto e këtij artikulli mësimi i gjuhës arabe!

Related Articles

Back to top button