Turqia financon ringjalljen e predikueseve islame në Kosovë
Gratë shqiptare të Kosovës humbën vendin e tyre në Islam me vdekjen e Perandorisë Osmane. Tani Turqia po u ndihmon atyre ta rimarrin atë.
Nga Serbeze Haxhiaj/
Një erë e fortë parfumesh zotëron frymën e hapësirës brenda xhamisë “Uhud” në Prizren, qytetin jugperëndimor të Kosovës, kryeqendrën jo zyrtare kulturore të vendit për shekuj me radhë dhe një udhëkryq për tregtarët dhe religjionet.
Gratë lexojnë me zë të lartë njëtrajtshëm në faqet e Kuranit dhe kokat e tyre përkulen në shamitë me ngjyra të ndezura.
Mejreme Uka shtrëngon fort duart për librin e shenjtë përderisa përskaj celulari i saj shfaq vazhdimisht sinjalet e postimeve në rrjetet sociale.
Uka është një nga predikueset e reja të Bashkësisë Islame të Kosovës, një risi në Kosovën e sotme, por në të vërtetë një ringjallje e një praktike të epokës osmane që vdiq me ardhjen e komunizmit. Turqia po paguan për të.
“Kohët po ndryshojnë”, thotë Uka për BIRN e ulur në vendin qendror në xhami që zakonisht është i rezervuar për imamin.
“Më herët hoxhonicat nuk kanë ditur ta lexojnë Kuranin. Tani ngadalë dhe drejtë gjërat edhe në fe po modernizohen dhe po bien në vendin e vet”, thotë ajo.
Me 1.8 milionë banorë Kosova është një vend me shumicë të popullsisë myslimane, por shumë prej tyre nuk janë praktikues aktivë të fesë dhe zyrtarisht vendi është shtet sekular.
Rënia e komunizmit me shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë dhe traumën e një lufte të vitit 1998-1999 për t’u shkëputur nga Serbia, ka kontribuar në ringjalljen e islamit në mesin e disa shqiptarëve të Kosovës dhe tani, pas një mungese shekullore, gratë janë duke predikuar përsëri nga Kurani.
“Kjo traditë nuk është e re në Kosovë”, thotë Besa Ismaili themeluese e Departamentit të Gruas në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke kujtuar shekuj të sundimit të perandorisë Osmane në Ballkan.
“Në kohën e Perandorisë Osmane ka pasur shumë mualime”, thotë Ismaili për BIRN duke përdorur termin arab për gratë predikuese. “Me rënien e perandorisë (osmane) është shuar prezenca e grave në fe dhe ato janë përzënë nga xhamitë”, thotë Ismaili.
“Si islamiste të reja kemi për detyrë të zbardhim atë pjesë të historisë që është mbyllë dhunshëm”, thotë ajo duke theksuar se në tërë shekullin e kaluar xhamitë iu përshtatën burrave duke larguar hapësirën e rezervuar për gratë.
Ismaili shpjegon se gjatë kohës së Jugosllavisë komuniste “gratë kanë shërbyer vetëm për të larë trupat e grave të vdekura”. “Ajo që po ndodh tani është një ringjallje pas shekujsh ndrydhje”.
Mungesa e rregullimit shtetëror
Kosova nuk është e vetme.
Masooda Bano, profesoreshë e Zhvillimeve Studimore në Universitetin e Oxfordit thotë se ka një rritje të predikueseve dhe mësueseve Islame në gjithë botën myslimane po ashtu edhe në mesin e komuniteteve myslimane në vendet sekulare.
“Në këtë mënyrë trendi në Kosovë nuk është një përjashtim”, ka thënë Bano për BIRN.
Ajo thotë se kjo nuk nënkupton që gratë do ta sekularizojnë Islamin. “Në vend të kësaj, shumica mësojnë t’i mbrojnë më mirë vlerat tradicionale islame si rezultat i leximit më shumë të teksteve islame”.
Në Kosovë, Turqia po promovon në mënyrë aktive ringjalljen e traditës, pjesë e një shtrirjeje në tokat e vjetra osmane nën presidentin gjithnjë e më autoritar Rexhep Tajip Erdogan.
Në Prishtinës, kryeqytetin e Kosovës, dy xhami mbajnë emrat femrash “Hatunije” dhe “Kaderije” që të dyja të ndërtuara nga gratë predikuese në kohën e Perandorisë Osmane.
Ndihmësja e Ukës në lutjet dhe mësimin e Kuranit është Hylia Bash, një grua turke dërguar në Kosovë bashkë me bashkëshortin e saj, Murat Bash, nga Bashkësia Islame Turke, Diyanet. Të dy gratë janë në listën e pagave të institucionit kryesor islam të Turqisë.
“Vajzën e kam lënë te motra dhe jam detyruar të vij këtu për të kryer shërbimin e dhënë prej Diyanetit”, thotë Bash. “Kur i shërben Zotit nuk ka rëndësi ku je, ti e përhap këtë dritë”, thotë ajo për BIRN.
“Qëllimi i shtetit turk është që jo vetëm në Kosovë, por gjithkund tjetër të fshijë paragjykimet që islami është jo i mirë ose diçka për t’iu frikësuar. Synimi i Turqisë është për të treguar që feja islame është e mirë”, thotë ajo.
Uka thotë se para se Diyanet ta merrte nën krahun e vet, paga që ajo merrte prej Bashkësisë Islame të Kosovës nuk mjaftonte sa duhet për të jetuar.
Qeveritë e njëpasnjëshme në shtetin e ri, që shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, nuk kanë arritur ta rregullojnë krejtësisht me ligj pozitën e bashkësive fetare në vend.
Vedat Sahiti, këshilltar i kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava, thotë se aktualisht 10 mualime paguhen nga Turqia.
“Duke dashur ta fuqizojmë rolin e gruas me qëllim që t’i mbrojmë të rinjtë tanë larg çdo ekstremizmi dhe radikalizmi të mundshëm kemi kërkuar një mbështetje financiare nga Turqia”, thotë Sahiti për BIRN duke aluduar te kërcënimi nga rrymat më radikale të islamit që kanë parë qindra shqiptarë të Kosovës të marrin armë dhe t’i bashkohen luftërave në Lindjen e Mesme.
Mbështetja nuk është vetëm financiare.
Sahiti thotë se Bashkësia Islame, duke pasur parasysh kapacitetin e saj të kufizuar, ka kërkuar gjithashtu nga Turqia të dërgojë imamë për të shërbyer në disa vende ku jeton komuniteti turk në Kosovë, një praktikë e kthyer nga Kosova në dërgimin e imamëve në zonat e Turqisë ku jetojnë shqiptarët.
“Besojmë se kështu ne përmbushim obligimin tonë ndaj besimtarëve, kudo që janë,” ka thënë ai.
BIRN ka kontaktuar komunitetin islam turk, Diyanet dhe Ambasadën turke në Prishtinë për mbështetjen e grave predikuese, por ata kanë refuzuar të përgjigjen.
Reagimet e ndryshme
Në një dhomë të ngushtë të një qendre tregtare në Gjakovë, Violeta Smajlaj -Myrtaj dëgjohet tek shqipton rrokjet e vargjeve kuranike. Asnjëra nga femrat nuk i kuptojnë fjalët e saj.
“Rregullat e Texhvidit (bukur-leximit) nuk mundësojnë ndryshe, por unë mundohem t’ua shpjegoj edhe kuptimin”, thotë ajo për BIRN. “Një tekst sado madhështor që të jetë mund të keq-praktikohet. Për këtë arsye nevojiten mësuese të denja”.
Smajlaj- Myrtaj, e cila ka një doktoraturë në jurisprudencën islame në Jordani, drejton degën lokale të Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame. Ajo thotë se përveç të mësuarit, detyra e saj është edhe forcimi i rolit të gruas në shoqëri.
“Po punojmë në obligimin tonë, misioni ynë është ta forcojmë besimin në Allah kudo që jemi, sa më shumë që mundemi”.
“Është e rëndësishme që kjo gjë nuk është një çështje që gratë sfidojnë burrat në fe”, tha Smaljaj-Myrtaj. “Është thjesht një hapësirë që është krijuar ashtu siç ka qenë që nga koha e krijimit të islamit”.
Një 66 vjeçare, Gjejrane Lulaj, përsëriti fjalët që i dëgjoi duke u recituar. Si e sapoardhur në grup, ajo thotë se e ka më vështirë se tjerat. “Gjithmonë kam dashur të mësoj Kuran. Tani kam vendosur të bashkohem. Vi këtu, takoj gratë tjera dhe ndjej se po mësoj më shumë për fenë”, tha Lulaj për BIRN.
“Nëse nuk flet arabisht, leximi, kuptimi dhe domethënia i tekstit është më e vështirë, sidomos për mua”.
Afërsisht 30 gra diplomojnë në Fakultetin e Studimeve Islame në Kosovë çdo vit, por Smajlaj- Myrtaj thotë se vendit i mungojnë mualimet, përderisa Bashkësia Islame thotë se nuk ka para për t’i paguar ato.
Masooda Bano thotë se një ritje në arsimimin e gruas ka sjellë dy reagime të ndryshme brenda komuniteteve myslimane.
“Ato që janë të etura për t’i reformuar normat gjinore të islamit advokojnë për ndryshimin e ligjeve të ashpra islame (siç është ai që gratë marrin gjysmën e trashëgimisë ose që burra lejohen të kenë më shumë se një grua). Grupi tjetër advokon kundër kësaj dhe mbron normat tradicionale gjinore,” tha ajo për BIRN.
“Se si do ta formësojnë gratë në Kosovë të ardhmen, kjo varet nga ajo se cili nga grupet është më dominues”.
Nënçmimi
Roli i Turqisë në mbështetjen e islamit në Kosovë dhe më gjerë në Ballkan shikohet me dyshime nga shumë veta në rajon.
“Në vitet e fundit, investimet janë bërë me fokus të vetëm në çështjet fetare”, tha Xhabir Hamiti, profesor i teologjisë në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
“Përveç vendeve të lutjes, vendi ka nevojë për laboratorë shkencorë, institute kërkimi dhe investime tjera të cilat do ta ndihmonin përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, tha ai.
“Qëllimi këtu është të përhapet ndikimi turk në Kosovë. Por varfëria dhe mungesa e perspektivës zbeh dhe rrezikon marrëdhënien me besimin dhe Zotin”.
Një nga mualimet e paguara nga Turqia, 35 vjeçarja Sala Mehmeti Hajdari, përballet me nënçmim në qytetin verilindor të Podujevës, aty ku ajo mëson Kuranin për gratë dhe fëmijët në dy ndërrime në katin e dytë të xhamisë kryesore të qytetit.
“Çka je mbështjellë kështu?”, e pyeti Hajdarin një burrë në një kafene në qendër të qytetit së fundmi, duke aluduar në mbulesën e saj, formën më të zakonshme të shamisë islame në Kosovë e cila mbulon kokën dhe qafën, por jo fytyrën. “Shiko përreth, askush nuk është si ti”, i thotë asaj.
Hajdari u largua pa dhënë përgjigje. “Gratë e mbuluara janë edhe më tej të paragjykuara”, tha ajo për BIRN. “As unë nuk bëj përjashtim. Nuk mund të gjesh respekt kudo.”
Hajdari tha se mësimdhënia e saj, dhe ajo e mualimeve tjera, gjithashtu prek çështjet që gratë nuk mund t’i flasin me imamët lokalë, siç është seksi dhe shëndeti reproduktiv.
“Interesi i grave po rritet dhe unë mundohem t’u ofroj atyre njohuritë që i kërkojnë”, tha Hajdari. Por edhe atëherë, Hajdari tha se është e brengosur për stabilitetin e saj financiar dhe statusin e pasigurt të punësimit.
“Edhe pse në bazë të Kushtetutës kjo nuk ndalohet, pjesa më e keqe është se ne nuk kemi të drejtë të bëjmë tjetër punë. E duam apo jo, nuk kemi shumë zgjidhje tjera”.