Magazina

Çfarë parashikon reforma e Bashkimit Europian për copyright-in?

Reforma e copyright e Bashkimit Europian, që ka marrë votën pozitive të Parlamentit Europian, lind nga konstatimi i vështirësive që has sot ruajtja e të drejtës së autorit në botën dixhitale. E drejta e autorit dhe të drejtat e lidhura me të janë të drejtat ekskluzive e pronësisë intelektuale, që me ndonjë përjashtim mbrojnë punën e autorit apo të krijuesit (një libër, një film, një software, etj.) dhe interesat e atyre, si botuesit apo televizionet, që kontribuojnë t’i bëjnë punët e tyre të disponueshme për publikun.

Direktiva e Bashkimit Europian për copyright në fuqi, shpjegon Tambiama Madiega e Shërbimit Kërkimor të Parlamentit Europian në një dokument shumëfaqësh (“Copyright in the digital single market”) kushtuar çështjes në fjalë, i përket vitit 2001: megjithatë, normativa “ka vuajtur për t’u përshtatur” me mjedisin dixhital, pranon Shërbimi Studimor i Parlamentit Europian. Nga këtu edhe vendimi për të proceduar me një reformë: pas një serie konsultimesh, Komisioni Europian ka vendosur që kuadri ligjor i Bashkimit Europian duhet të modernizohet dhe, për pasojë, ka propozuar një paketë normash në shtatorin e 2016, midis të cilave edhe direktiva lidhur me të drejtën e autorit në tregun unik dixhital.

Në thelb, debati është përqëndruar mbi 3 çështje: krijimi i një të drejtë të re që do t’u mundësonte botuesve të publikimeve gazetareske të sigurojnë një shpërblim për përdorimin dixhital e artikujve të tyre (Neni 11); vendosja ndaj platformave online, si puna e You Tube, e masave të prirura ndaj monitorimit të përmbajtjeve, me qëllim që ruhet shpërblimi i të drejtave të autorit (Neni 13) dhe krijimi i një përjashtimi të ri lidhur me copyright për të mundësuar përdorimin e teknikave të “text and data mining” në Bashkimin Europian (Neni 3).

Normative aktuale, në Nenin 5 e direktivës në fuqi lidhur me copyright, mundëson përdorimin e gjërave të mbrojtura nga e drejta e autorit për disa qëllime pa autorizimin paraprak të autorit apo të të tjerëve që kanë të drejtë. Megjithatë, lista e përjashtimeve nuk është e detyrueshme, por opsionale: kjo bën që shtetet anëtare të mund të vendosin në autonomi të plotë se çfarë përjashtimesh dhe kufizimesh të parashikojnë. Pastaj, sot “text and data mining”, siç quhen në zhargonin teknik eksplorimi dhe përpunimi i sasive të mëdha të të dhënave, që u mundëson hulumtuesve të përcaktojnë tendencat dhe informacione të tjera të çmuara për kërkimin, mund të shkelë ligjet mbi copyright në disa vende dhe jo në të tjerë, gjë që përbën një problem jo të pakët për sektorët që i përdorin këto teknika, si puna e shëndetësisë.

Një tjetër problem i madh janë vështirësitë dhe pengesat që hasin emetuesit, furnizuesit e shërbimeve dhe institucionet kulturore për të siguruar të drejtat dhe për t’i bërë përmbajtjet e tyre të disponueshme online përtej kufirit, kryesisht për shkak të kufizimeve kontraktore që e kufizojnë ndjeshëm disponueshmërinë e përmbajtjeve audiovizive në platformat video on demand. Prandaj shumë produkte audiovizive europiane nuk janë të disponueshme në këto platforma. Në të njëjtën mënyrë, institucionet kulturore (biblioteka, muzeume, e të tjera) kanë vështirësi t’i dixhitalizojnë përmbajtjet e tyre dhe t’i bëjnë të disponueshme përtej kufirit: problem është shumë i madh për veprat jashtë tregëtimit, të mbrojtura akoma nga copyright, por jo më të disponueshme për publikun.

Një problem tjetër, i mirënjohur, ka të bëjë me shtypin, i cili po kalon në dixhital: megjithatë, të ardhurat e siguruara nga dixhitali nuk e kompensojnë rënien e të ardhurave nga shtypi i shkruar. Sipas Komisionit Europian, shkaqet janë të shumta: midis këtyre është paaftësia e botuesve për të nxjerrë fitime nga përmbajtjet dixhitale, ndërsa rrjetet sociale, agreguesit e lajmeve dhe motorët e kërkimeve janë bërë kanalet kryesore e përdorimit të lajmeve online. Botuesit kanë edhe vështirësi të mëdha në konkludimin e marrëveshjeve të liçencës me furnizuesit e shërbimeve online për përdorimin e përmbajtjeve të tyre. Më pas botuesit duhet të përballojnë paqartësinë juridike lidhur me mundësinë praktike që të shpërblehen për përdorimin e përmbajtjeve të tyre. Pavarësisht tentativave të disa shteteve për t’u dhënë botuesve të ashtuquajturat të drejta ndihmëse, ose të drejta afërsie, mungesën e të drejtave specifike për botuesit e dobëson pushtetin kontraktor, kur shkojnë të bëjnë traktativa me kolosët e shërbimeve online.

Kjo, vëren Parlamenti, vë në rrezik mbështetshmërinë e të gjithë industrisë botuese, që investon në prodhimin dhe në publikimin e përmbajtjeve, por që në shkëmbim nuk nxjerr më një fluks të duhur të ardhurash. Në përgjithësi, titullarët e të drejtave gjenden në vështirësi kur bëhet fjalë për të nxjerrë fitim dhe kontrolluar shpërndarjen online e përmbajtjeve të tyre, një situatë që në zhargonin teknik quhet “value gap”.

Për shembull, titullarët e të drejtave nuk arrijnë që të zbulojnë se kur përdoruesit ngarkojnë në platforma përmbajtje të mbrojtura nga copyright dhe ka një paqartësi të konsiderueshme juridike, nënvizojnë ekspertët e Parlamentit, për sa i përket lidhjes së marrëveshjeve të liçencës, si edhe për mbrojtjen online e përmbajtjeve të mbrojtura nga e drejta e autorit. Këtu hyn në lojë një direktivë tjetër, ajo mbi tregëtinë elektronike e vitit 2000, që shkarkon nga përgjegjësia, edhe në raport me shkeljen e copyright, furnizuesit e shërbimeve informatike që transmetojnë përmbajtje ilegale të furnizuara nga një i tretë në Bashkimin Europian, kur kualifikohen si ndërmjetës të thjeshtë internetorë teknike, automatikë dhe pasivë.

Ky përjashtim ka kufij mjaft të brishtë dhe jurisprudence është kontradiktore, aq sa nga shumë anë janë ngritur kërkesa për të modifikuar ligjet në fuqi. Parlamenti dhe Këshilli e kanë ftuar shumë herë Komisionin, që ka edhe iniciativën ligjore në Bashkimin Europian, për të ndërhyrë. Në rishikimin e direktivës të propozuar nga Komisioni, që i përket vitit 2016, shtetet duhet të fusin (Neni 3) në legjislacionet respektive kombëtare një përjashtim të ri, të detyrueshëm, të së drejtës së riprodhimit dhe të drejtës për të ndaluar nxjerrjen nga një databazë: ky përjashtim i ri synon që t’u mundësojë organizatave që punojnë me teknikat e “text and data mining” (Tdm në zhargonin teknik) për të përdorur përmbjajtje të mbrojtura nga copyright, në të cilat kanë akses në mënyrë ligjore, për qëllime kërkimi shkencor, pa nevojë autorizimi paraprak.

Në propozimin e Komisionit, ky përjashtim kufizohej në universitetet dhe qendrat kërkimore pa qëllim fitimi apo që veprojnë në kontekstin e veprimeve me interes publik, të njohura nga shteti, jo për qëllime komerciale. Përjashtimi do t’u zbatohej edhe organizmave kërkimore të impenjuara në partneritetin publik – privat me bizneset, por jo me bizneset private. Titullarët e të drejtave nuk mund ta kufizojnë nëpërmjet kontraktimit as përdorimin e të dhënave nga ana e subjekteve të listuar, as të kërkojnë shpërblim; megjithatë, mund të marrin masa për të parandaluar rreziqet lidhur me sigurinë dhe integritetin e databazës.

Shteteve u është kërkuar që fusin në legjislacionin kombëtar një kufizim të ri të copyright për të drejtat e riprodhimit, komunikimit dhe vënies në dispozicion të materialeve me qëllime mësimore, të kufizuara tek shkollat me qëllime jokomerciale. Megjithatë, direktiva u lë një hapësirë diskrecionaliteti shteteve kombëtare. Parashikohet edhe një përjashtim i detyrueshëm që u mundëson institucioneve kulturore (biblioteka dhe muezume) që t’u bëjnë kopje dixhitale materialeve të ruajtura nga copyright që kanë në katalog. Në direktivën e propozuar nga Komisioni, mbetet parimi drejtues i direktivës aktuale, domethënë që një shtet mund ta parashikojë një përjashtim nga copyright vetëm në 3 raste: kur bëhet fjalë për një rast special, që nuk konfliktuon me shfrytëzimin normal e materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe nuk paragjykon në mënyrë të paarësyeshme interesat legjitime e titullarëve të të drejtave.

Pastaj, me Nenin 11, paraqitet një e drejtë e re për botuesit: deri më tani copyright mbron punët letrare, shkencore ose artistike; u lejon edhe prodhuesve të filmave dhe transmetuesve të drejta afërsie, që e shpërblejnë kontributin e tyre ekonomik dhe krijues për të asembluar, edituar apo investuar në përmbajtje.

Megjithatë, sot për sot nuk ekziston asnjë e drejtë e ngjashme për botuesit e publikimeve gazetareske: për të ndërmjetësuar, Komisioni propozon që të futet në legjislacionin e Bashkimit Europian një e drejtë e re e lidhur, që do t’u mundësonte botuesve t’i ruanin me copyright edhe publikimet gazetareske. Kështu, botuesit do të kishin një të drejtë të lidhur ekskluzive për përdorimin dixhital e publikimeve të tyre. sipas Komisionit, kjo e drejtë do të duhej të zgjaste 20 vjet dhe do të kishte të bënte ekskluzivisht me publikimet gazetareske, si të përditshmet e të përjavshmet, por duke përjashtuar revistat shkencore dhe akademike. Mbi bazën e kësaj të drejte të re, botuesit do të ishin në gjendje të lidhnin marrëveshje liçence, për shembull, me agreguesit e lajmeve.

Direktiva sqaron që mbrojtja e kësaj të drejte nuk shkon deri tek publikimi i lidhjeve hipertekstuale – ose linqeve – duke qenë se kjo, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, nuk përbën komunikim me publikun. Megjithatë, shtrirja e saktë e kësaj të drejte ngre pikëpyetje, ka vërejtur Parlamenti: për shembull, duhet sqaruar nëse e drejta e re zbatohet apo jo për blogjet dhe nëse përdoruesit finalë mund të përdorin ose jo të ashtuquajturit “snippet”, domethënë pjesë të shkurtëra teksti që shfaqen nën titujt kur kryhet një kërkim nëpërmjet një motori kërkimi. Duhet sqaruar saktësisht edhe se çfarë nënkuptohet me “përdorim dixhital” të një publikimi shtypi.

Një tjetër pikë kontradiktore është Neni 13, me të cilin Komisioni synon që të forcojë pozicionin e titullarëve të të drejtave që të mund të negociojnë dhe të sigurojnë një shpërblim të drejtë për shfrytëzimin online të përmbajtjeve të mbrojtura nga copyright në platformat e ndarjes së videove. Praktikisht, kush ruan dhe bën të aksesueshme për publikun “sasi të mëdha përmbajtjesh të ngarkuara nga përdoruesit” duhet të adoptojë masa të përshtatshme dhe proporcionale për të siguruar funksionimin korrekt e amrrëveshjeve të lidhura me titullarët e të drejtave, me qëllim që të zbulohen dhe të hiqen përmbajtjet e mbrojtura nga copyright të bëra “upload” nga përdoruesit dhe t’i heqë po të jetë nevoja.

Ky detyrim do të zbatohej pavarësisht nga rrethana nëse provider-i në fjalë përfiton ose jo nga përjashtimi i parashikuar nga direktiva lidhur me tregëtinë elektronike. Ligji i Bashkimit Europian, në funksion të Kartës Europiane të të Drejtave Themelore, i ndalon furnizuesit e shërbimeve që të kryejnë një monitorim të përgjithshëm të përmbajtjeve. Megjithatë, platformat kryejnë rregullish kontrolle duke përdorur teknologji të njohjes së përmbajtjeve, me kërkesën e atyre që kanë të drejtën apo sipas urdhërave të gjykatave. Direktiva u kërkon edhe botuesve një transparencë më të madhe: duhet të informojnë rregullisht autorët e shfrytëzimit të punës së tyre.

Këshilli, institucioni i Bashkimit Europian që përmbledh shtetet anëtare, ka arritur një pozicion të tijin 25 majin e kaluar. Për “text and data mining” (Neni 3) është dashur të futet një përjashtim i mëtejshëm, që mundëson përdorimin e materialit të mbrojtur edhe nga ana e entiteteve private, kur këto materiale janë ligjërisht të aksesueshëm. Për Nenin 11, Këshilli ka dashur të shmangë që e drejta e cila mbron botimet gazetareske online të zbatohet me përdorimin e “pjesëve josubstanciale të publikimit gazetaresk”.

Dhe copyright do të zgjaste vetëm 1 vit, jo 20 sa është dëshiruar nga Komisioni. Lidhur me Nenin 13, atë që do të zhdukte “value gap”, Këshilli e ka tejkaluar Komisionin, pasi sipas mendimit të tij platformat do të kryenin një akt komunikimi me publikun, kur përdoruesit e tyre publikojnë material të mbrojtur nga copyright.

Pozicioni i Komisionit Juri të Parlamentit Europian, i përpunuar nga relatori i PPE-së Axel Voss, që ka zëvendësuar maltezen Therese Comodini Cachia, ka kaluar më 20 qershor në komision, me 14 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime. Vendimi për të negociuar me Këshillin mbi bazën e Raportit Voss ka pasur nevojë për dritën jeshile e seancës plenare.

Për Nenin 13, Parlamenti ka qenë dakord me Komisionin përsa i përket krijimit të një përjashtimi të detyrueshëm të mbrojtjes së copyright për “text and data mining” (Tdm) në kërkimin shkencor dhe në linjë me Këshillin, kur dëshirohet të futet një përjashtim shtesë që i mundëson Tdm-të nga ana e entiteteve publike e private për të aksesuar në të dhëna ligjërisht të përdorshme. Për Nenin 11, kompromisi i arritur në Komisionin Juri e ka amenduar në mënyrë substanciale propozimin e Komisionit: e drejta do të zgjasë 5 dhe jo 20 vjet; veç të tjerash, teksti sqaron se një e drejtë e ngjashme nuk do t’u aplikohet hyperlink-eve, domethënë lidhjeve hipertekstuale.

Parlamenti ka rënë dakord me Komisionin edhe mbi vendosjen e detyrimeve të monitorimit ndaj furnizesve online të përmbajtjeve; platformat kryejnë “akte komunikimi me publikun”, prandaj duhet të lidhin marrëveshje liçence me titullarët e të drejtave, që të mos u përgjigjen shkeljeve të copyright të kryera nga përdoruesit e tyre. në mungesë të marrëveshjeve të liçencës, duhet të marrin masa të duhurua dhe proporcionale për të zbuluar disponueshmërinë e përmbajtjeve të mbrojtura nga copyright. Problemi i ruajtjes së copyright është tejet kompleks e delikat, duke qenë se përfshin disa të drejta themelore të qytetarëve dhe se prek interesa të sektorëve thelbësorë në demokraci. Këto kanë qenë çështjet që kanë pasur të bëjnë me ligjin e copyright që janë marrë parasysh në votimin e Parlamentit Europian.

Përgatiti: ARMIN TIRANA / Bota.al

Related Articles

Back to top button