Lajme

Njihuni me gjeneralët shqiptarë që drejtuan armatën jugosllave

Nga Leonard VEIZI/

Ai është një libër i rrallë dhe fare pak i njohur në publik, pasi hartuesi i saj, koloneli në rezervë Kujtim Halili arriti të botojë vetëm pak kopje dhe ta shihte veprën e tij të dilte në dritën e botimit vetëm pak orë para se të ndërronte jetë: “Fjalori Biografik Ushtarak”, është një botim, në përbërje të të cilit përfshihen 1200 personazhe ushtarake, në një hapësirë kohore prej 2400 vjetësh. Në të janë përfshirë personalitete, kryesisht me karrierë të plotë ushtarake, por dhe figura me qëndrim të përkohshëm në radhët e ushtrisë. Kjo tërësi figurash është vjelë, jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, por kudo që ata kanë jetuar dhe lënë gjurmë me veprën e tyre në fushën ushtarake.

Në historinë e përbotëshme ushtarake, shquhen jo pak edhe drejtuesit shqiptarë apo me origjinë shqiptare, të cilat kanë dhënë vlera të spikatura, jo vetëm në drejtimin e betejave të rëndësishme, por dhe në fushën ushtarako-shkencore. Në këtë kuadër, një vend të rëndësishëm zënë edhe personalitetet ushtarakë shqiptarë në hapësirën territoriale të Federatës Jugosllave (ish- Jugosllavi). Në këtë “speciale” paraqiten disa nga drejtuesit më të rëndësishëm të ish-ushtrisë jugosllave, deri në shpërbërjen e saj. Emra të rëndësishëm si Bekim Berisha, Fadil Hoxha, Xhemal Bajraktari, Rahim Ademi, Bislim Zyrapi, Ramiz Abdyli, Fadil Çuranolli etj., jo vetëm do të mbanin poste të rëndësishme në ushtrinë jugosllave si gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ashtu dhe pas Luftës së Dytë Botërore, por do të mbanin mbi supe dhe spaletat me yje të gjeneralit. Në të gjithë hapësirën ish- jugosllave, gjeneralët shqiptarë kanë shpërfaqur aftësitë e tyre drejtuese. Kështu, ata janë bërë prezentë në Maqedoni, Kroaci e Bosnje-Hercegovinë. Një ndikim të madh gjeneralët shqiptarë të ish-Jugosllavisë kanë pasur në luftërat e Kroacisë, Bosnjës Qendrore dhe padyshim Kosovës.

Deputeti federativ i të gjithë legjislaturave

Fadil HOXHA

Ka qenë komandant i Shtabit të Përkohshëm Ushtarak të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Armatës Popullore Jugosllave për Kosovën. U lind në Gjakovë, më 15 mars 1916, ku kreu shkollën fillore dhe klasën e parë të gjimnazit. Nga mesi i vitit 1932, deri në vitin 1936 vazhdoi gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe më vonë Normalen e Elbasanit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër agresionit fashist italian më 1939. Pasi kaloi ilegalisht në Kosovë, në prill 1942, u ngarkua me detyra të ndryshme udhëheqëse në Byronë e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste Jugosllave në Kosovë. Ka kryer dhe detyra drejtuese me përgjegjësi në formacionet partizane, si komisar dhe komandant i njësive partizane “Zenel Hajdini” e “Emin Duraku”. Nga vjeshta e vitit 1942, ka qenë njëkohësisht dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për Kosovën. Si anëtar i Byrosë së Komitetit Krahinor qe angazhuar deri në çlirim në çështjet ushtarake. Në tetor-nëntor 1944 u caktua së bashku me Shefqet Peçin komandant i Shtabit të Përbashkët të Brigadës së 5-të Sulmuese shqiptare dhe të formacioneve partizane nga Kosova. Bashkëpunoi aktivisht me gazetat: “Zani i popullit”, “Zani”, “Liria”. Pas çlirimit kreu detyra me përgjegjësi në Kosovë dhe në ish-Federatën Jugosllave, deri si nënkryetar i RSFJ-së. Ishte deputet federativ në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Këshillit të Mbrojtjes me gradën “gjeneralmajor në rezervë”. Është dekoruar me urdhërin e lartë: “Hero i Popullit”, “Trim i Punës Socialiste”, etj. Ka botuar librat: “Kur pranvera vonohet”, “Jemi në shtëpinë tonë”.

Bekim BERISHA

“Ramboja” shqiptar i Luftës së Gjirit Persik

Me pseudonimin ABE-ja, ai njihet si krijuesi i shkollës së parë ushtarake në Kosovë. U lind në Shkozet-Grabovc të Pejës, më 15 qershor 1960. Shkollën e mesme e kreu në Pejë, ndërsa studimet e larta për inxhinieri mekanike në Kroaci. Është aktivizuar me policinë ndërkombëtare në luftën kundër krimit në Nikaragua, Panama dhe Kolumbi. U angazhua në ushtrinë amerikane në Luftën e Gjirit Persik, në përbërje të trupave komando në prapavijat e ushtrisë irakene. Gjatë Luftës Serbo-Kroate arriti në detyrën e komandantit të regjimentit të këmbësorisë. Me këtë njësi zhvilloi një sërë luftimesh të suksesshme kundër ushtrisë serbe. Falë aftësive të shkëlqyera drejtuese, e nxjerr regjimentin e tij nga rrethimi i një divizioni serb pa asnjë ushtar të vrarë, qoftë dhe të plagosur. Ky është një rast i rrallë në historinë e ushtrisë kroate. Për këto merita ai u gradua gjeneral. Mori pjesë në fillesat e para të Lidhjes Popullore të Kosovës. Me të filluar Lufta Çlirimtare në Kosovë, në mars 1998 hyn në territorin e saj. Mbante pseudonimin ABEJA. Krahas veprimtarive të shumta luftarake, në këtë vit ngre shkollën e parë ushtarake shqiptare në Kosovë (Likoshan të Drenicës). Gjatë luftimeve në Rekën e Keqe (mbrojtjen e Junikut), duke u kthyer nga Shqipëria me armatime të shumta për në Drenicë, u vra më 16 gusht 1998 nga ushtria serbe. Me rënien e tij, Parlamenti kroat shpalli tri ditë zie kombëtare, ndërsa ish-sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dik Çenei, ato ditë i propozoi Kongresit Amerikan për një minutë heshtje në nderim të gjeneral Bekim Berishës.

Kundëradmirali shqiptar që drejtoi flotën jugosllave

Xhemal BAJRAKTARI

Ka mbajtur postin e kundëradmiralit të Ushtrisë Jugosllave. Rrjedh nga një familje atdhetare nga Gostivari. Qysh në bankat e shkollës u mor me organizimin e rinisë në Luftën Antifashiste. U rreshtua në Brigadën e VII Sulmuese në Maqedoni. U ngarkua me detyrën e drejtuesit të rinisë pranë kësaj Brigade. Pas çlirimit kaloi në disa shkolla ushtarake. Kreu detyra të rëndësishme dhe mori gradën e lartë të kundëradmiralit të Ushtrisë Jugosllave. Mbrojti me fanatizëm vlerat e Luftës Antifashiste derisa vdiq tragjikisht në vitin 1994, në Beograd.

Komandant divizioni në mbrojtje të Bosnjës Qendrore

Bislim ZYRAPI

U lind në Studençan të Therandës në Suharekë (Kosovë), më 8 maj 1960, ku kreu dhe shkollën 8-vjeçare. Shkollën e mesme ushtarake e ndoqi në Beograd, ndërsa Akademinë Ushtarake e përfundoi në Sarajevë (Bosnje). Në vitin 1992 mori pjesë në Luftën e Bosnjës, ku u aktivizua për mbrojtjen e Sarajevës. Ka luftuar heroikisht për të mos lejuar rrëmbimin e Presidentit Alia Izetbegoviç në aeroportin e Sarajevës nga trupat serbe. Më vonë mori pjesë në luftimet në Bosnjën Qendrore. Arriti në detyrën e komandantit të divizionit me gradën madhore kolonel. Në maj 1998 u angazhua në Luftën për Çlirimin e Kosovës, fillimisht si shef i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, në korrik 1998, emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Pas mësymjes dymujore ndaj ushtrisë serbe, ai vlerësohet të ketë meritë të veçantë në organizimin dhe ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në prill 1999, me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, dhe sipas marrëveshjes të të gjitha forcave politike kryesore të Kosovës, pjesëmarrëse në Konferencën e Rambujesë në Paris, u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes për politikat e mbrojtjes. Në këtë periudhë u nis në Shqipëri për përgatitjen dhe drejtimin e operacionit “Shigjeta”, planizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pas çlirimit të Kosovës, emërohet drejtor i Departamentit të Sigurisë në Këshillin e Përgjithshëm Administrativ të Kosovës.

Gjeneralkoloneli i kërkimeve strategjike

Ramiz ABDYLI

Megjithëse është dhe shkencëtar e akademik, mban gradën e gjeneralkolonelit.U lind në Pejë, në vitin 1928. Aty mbaroi dhe shkollën fillore dhe disa klasa të gjimnazit. Pastaj mbaroi shkollën normale në Prishtinë. Në vitin 1947 mbaroi Akademinë Ushtarake në Beograd. Në vitin 1952 u specializua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vitin 1959 në Suedi. Në vitin 1962 mbaroi fakultetin e inxhinierisë së makinave e të anijendërtimit në Zagreb. Në vitet 1970-1971 kryen specializimin shkencor për teknikën e regulacionit në Universitetin Teknik të Gotenborgut në Suedi. Inxhinier makinash, i diplomuar, doktor i shkencave teknike, pedagog i Akademisë Ushtarako-Teknike në Zagreb, shef i qendrës së kërkimeve strategjike të Kroacisë. Ka publikuar 33 punime shkencore, profesionale e pedagogjike, veçanërisht nga fusha e servosistemeve hidraulike e të tejçimit, si dhe të drejtimit automatik në armatim. Autor i librit “Modulimi analogjik e shifror (digital) i sistemit automatik me tejçues hidrostatik”, më 1976. “Sistemet për drejtimin automatik në teknikën ushtarake”, “Elemente të automatikës” etj. Arriti gradën e gjeneralkolonelit në ushtrinë kroate, ndërsa Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i ka dhënë titullin “Akademik” në vitin 1983. Vdiq në vitin 1996, në Zagreb.

Në drejtimin e armatës

Fadil ÇURANOLLI

Ka mbajtur postin e lartë të ndihmëskomandant armate me gradën gjeneralmajor. U lind në Pejë në vitin 1926. Para Luftës së Dytë Botërore ishte nxënës i shkollës pedagogjike. Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, nga viti 1945 ishte komandant Divizioni, ndihmëskomandant armate, komandant i Shtabit Krahinor të Mbrojtjes Territoriale të Krahinës Autonome të Kosovës etj. Ka kryer Akademinë e Lartë Ushtarake të Ushtrisë Jugosllave. Mbante gradën e lartë të gjeneralmajorit.

Në kërkim të historisë së etnogjenezës

Ali HADRI

Studiues i Historisë së Kosovës. U lind në vitin 1928. Gjithë jetën e tij si studiues ia kushtoi zhvillimit të arsimit dhe përparimit të shkencës së historisë shqiptare në Kosovë. Ka qenë për një kohë të gjatë profesor dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës, si dhe kryeredaktor i organeve të rëndësishme e të specializuara në fushën e historisë si “Përparimi” dhe “Kosova”. Në tetor 1977, Kuvendi i Lidhjes së Shoqatës së Historianëve e zgjodhi kryetar të forumit më të lartë të historianëve të Jugosllavisë. Ka kontribuar në studime për etnogjenezën e popullit shqiptar, për epokën e Skënderbeut etj. Ka merita të veçanta në studimin e historisë së LANÇ-it në Kosovë, duke botuar një varg punimesh monografike, si “Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945”, “Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare” “Këshillat Nacionalçlirimtare në Kosovë”. Vdiq më 2 dhjetor 1987, në Pejë.

Në akademinë ushtarake të Zagrebit

Tom BERISHA

U lind në Podgoricë të Malit të Zi, më 26 korrik 1923. Gjimnazin e kreu në vendlindje. Më 1941-1943 merr pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, ku arriti në detyrën e komisarit të batalionit. Pas lufte ishte sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar për Malësinë e Madhe dhe deputet i Malit të Zi. Në vitin 1946 fillon Fakultetin Teknik të Zagrebit dhe e mbaron në vitin 1953. Në Lubjanë kryen detyra në Armatën Popullore Jugosllave deri në rangun e Shefit të Sektorit Projektues Teknologjik në ofiçinën kryesore të artilerisë të armatës. Më 1955 ishte mësimdhënës në Qendrën Shkollore Teknike të Armatës Popullore të Jugosllavisë, në Zagreb (Akademia Ushtarake). Pas specializimit në Belgjikë në 1957 në L’ecole Aoyale Militare – Division Politechnique Bruxelles, vazhdon me mësimdhënien në Akademinë Ushtarake të Zagrebit. Më 1964 drejton seksionin teknik të Zonës së Pestë të Armatës Popullore Jugosllave. Më 1968 gradohet kolonel. Më 1978 i jepet titulli “Profesor-doktor”. Më 1979 del në pension. Ai është zotërues i pesë gjuhëve të huaja. Në 1990 krijon në Zagreb Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë. Ka përgatitur në gjuhën shqipe dhe atë kroate librin “Motorët reaktivë”.

Një gjeneral shqiptar “Hero i luftës atdhetare Kroate”

Rahim ADEMI

Ishte inspektor i Ushtrisë Kroate me gradën e gjeneralkolonelit, si dhe mbante titullin e “Heroit të luftës atdhetare Kroate”. U lind në Karaçë të Vushtrisë, më 30 janar 1954. Më 1975 mbaroi Akademinë Ushtarake në Beograd. Më 1986 u dënua me një vit burg me akuzën: “për rrënimin e Republikës Federative të Jugosllavisë”. Gjatë shpërbërjes së ish-jugosllavisë në vitin 1991, u rreshtua në radhët e forcave mbrojtëse kroate në luftimet me forcat ushtarake serbe. Në vitin 2000 u gradua gjeneralkolonel i Ushtrisë Kroate. Është shpallur “Hero i luftës atdhetare Kroate”. Pas luftës kryen detyrën e inspektorit të ushtrisë Kroate.

Related Articles

Back to top button