Magazina

Dashuria për macet, shenjë e besimit në Islam

Macet e Stambollit janë po aq të famshme sa edhe qentë e këtij qyteti të madh. Në ditët e sotme gjen nëpër banorët e lagjeve shumë persona që perkujdesen dhe që i ushqejnë macet e rrugëve. Kur këta persona dalin në rrugë, të gjitha macet e lagjes mblidhen rreth tyre dhe i hapin gojët e tyre sikur të ishte shpallur një mobilizim i përgjithshëm ndërkohë që gjatë kësaj kohe minjtë hedhin valle.

Fëmija i shtëpisë

Minjtë kanë qenë gjithmonë banorët e padëshiruar të shtëpive të vjetra prej druri kurse macet ishin armiqtë e tyre të betuar. Në të kaluarën, ishte e paimagjinueshme që një shtëpi të mos kishte mace. Jo çdo mace mund të kapë minj pasi në radhë të parë duhet që macja të jetë një mace minjsh. Macet që nuk janë gjuetare nga instinkti, çiftëzohen me mace gjuetare dhe në një periudhë të shkurtër kohore mësohen të gjuajnë minj.

Macet i ushqenin dhe i mbanin jo vetëm për të kapur minjtë por edhe për tu miqësuar me fëmijët dhe me më të moshuarit. Veçanërisht njerzit që nuk gjejnë besnikëri tek të afërmit dhe miqtë e tyre ose njerëzit që nuk kanë fëmijë, tregojnë një dashuri të madhe dhe një dhembshuri të vecantë për macet. Princi Sherefeddin Efendi ishte dëbuar nga vendi i tij dhe ishte detyruar që të jetonte i vetëm në Bejrut. Ishte pikërisht shoqëruesi i tij i përhershëm, macja e tij, e cila i sinjalizoi fqinjët për vdekjen e tij.

Çdo mace e butë është pothuajse si fëmija e shtëpisë. Kur dikush në shtëpi tregon pak më shumë afrimitet me ndonjë fëmijë, ato bëhen xheloze. Ka pasur njerëz që ushqenin dhe përkujdeseshin për dhjetra mace, madje edhe për qindra mace rrugësh. Në shumë tregime, ku protagonistët kryesorë janë xhindët, gjithmonë gjenden mace që në të vërtetë janë xhindë të maskuar.

Macet janë kafshë të mençura dhe kanë shqisa të forta. Edhe nëse largohen me kilometra larg shtëpisë, ato mund ta gjejnë përsëri rrugën e tyre të kthimit për në shtëpi. Për disa, macet konsiderohen si mosmirënjohëse ndërsa qentë njihen për besnikërinë e tyre. Megjithatë, dijetarët muslimanë kanë simpati të madhe për macet, të cilat sipas tyre e presin ushqimin e tyre nga Zoti pa treguar mirënjohje ndaj kujdo dhe nuk i preferojnë qentë që janë të dashur për pronarët e tyre por që janë të papastër për nga higjena.

Në fenë islame, nëse urina e maces prek rrobat e nje muslimani, ajo nuk konsiderohet si papastërti e dëmshme, ndërsa përkundër kësaj, pështyma e një qeni konsiderohet e papastër dhe nëse bie në rrobat e dikujt, personi nuk mund të falet me ato rroba nëse nuk i pastron ato. Në fakt, sipas shkollës së mendimit Shafi, nëse pështyma e një qeni prek rrobat e dikujt, kjo njollë duhet të shpëlahet shtatë herë në mënyrë që besimtari të jetë në gjendje të lutet përsëri me të njëjtat rroba.

Macet dhe njerëzit

Afrimiteti i Profetit Muhamed me macet transmetohet në hadithe të ndryshme. “Dashuria për macet është pjesë e besimit”, thotë në një hadith Profeti Muhamed (Maqasid el-Hasanah, el-Sakhawi). Pra, ti duash macet është tregues se dikush është besimtar. Kur Profeti Muhammed ishte nisur për në betejën e Uhudit, rrugës pa një mace abisiniane me ngjyrë të bardhë në të zezë e cila po ushqente me gji të vegjlit e saj. Ai menjëherë urdheroi ushtarët e tij që të ndryshonin rrugën. Në rrugën e tij të kthimit ai e gjeti përsëri atë mace, e mori me vete dhe i vuri emrin “Muezza”. Në një rast tjetër ai e largoi pak më tutje enën e tij me të cilën po pinte ujë në mënyrë që një mace që po kalonte aty pranë të mund të pinte ujë nga ena.

Një shoku të Profetit Muhamed iu vu emri Ebu Hurejre, që do të thotë “babai i maces”. Ebu Hurejres ju vu ky emër, sepse kudo që ai shkonte, gjithmonë e kishte një mace me vete. Madje thuhet se Profeti Muhammed ja fërkoi kokën dhe shpinën një maceje pasi ajo e kishte vrarë një gjarpër që kishte qenë gati për të pickuar një njeri.

Pseudonimi i Pir Asadit, njërit prej kalifëve të kohës së Rumit, që shquhej për dashurinë e tij për macet, ishte “Pisili Sultan” (Sulltani i maceve). Kur macja e tij e dashur një ditë prej ditësh ngordhi, ai e varrosi atë afër këmbëve të tij, në vendin ku qendronte. Tregohet njëherë se ndërsa Ahmed Rufahi, njëri nga muslimanët e gjeneratës së parë ishte ulur diku, macja e tij erdhi dhe e zuri gjumi brenda mëngës së mantelit të tij. Kur u afrua koha e namazit të xhumasë, ai nuk deshi që ta shqetësonte macen, kështu që në vend që ta zgjonte macen nga gjumi e preu mëngën e tij vetëm e vetëm për të mos e zgjuar atë.

Thënia e Profetit Muhamed, “Kini mëshirë për krijesat e Allahut, që Allahu të ketë mëshirë për ju”, ishte motoja e muslimanëve të parë. Profeti gjithashtu ka thënë se një grua u dënua në xhehenem vetëm se e mbajti një mace të mbyllur dhe nuk e ushqeu derisa ajo ngordhi, ndërsa një grua imorale që i dha ujë për të pirë një qeni që po ngordhte nga etja, ju falën nga Zoti të gjitha gjynahet që kishte bërë.

Dashamirësit e maceve

Në Damask gjendet një xhami që quhet Xhamia El Kitat. “Kitat” në arabisht do të thotë “mace”. Gjithashtu aty gjendet edhe nje fondacion që është ngritur vetëm për të mbrojtur macet e hedhura në rrugë. Kujdestari i xhamisë blen mëlçi me të ardhurat e fondacionit dhe ushqen çdo ditë qindra mace.

Ismail Saib Sencer, drejtori i Bibliotekës Bajazid të Stambollit, ushqente qindra mace. Për këtë arsye, Biblioteka Bajazid u quajt “Biblioteka e Maces”.

Ka shumë lloje macesh. Ato i përkasin të njëjtës specie si luanët dhe tigrat. Disa prej tyre janë shumë të bukura dhe për disa fërkimi i qimeve të shpinës është kënaqësia më e madhe. Ismet Sungurbey, një mësues i jurispudencës në Stamboll, ushqente qindra mace në oborrin e shkollës së tij. Më vonë ai shkroi një libër të quajtur “Hayvan Haklari” (Të Drejtat e Kafshëve). Arndt, një profesor i kimisë në Universitetin e Stambollit, i jepte leksionet e tij ndërsa macja e tij i qëndronte mbi supe. Macet që bredhin lirshëm, që hyjnë brenda, dalin jashtë dhe që flenë gjumë kudo që dëshirojnë pa u shqetësuar nga njerzit i quajnë “mace zotërinjsh.”

Ka pasur edhe nga ata që nuk i kanë pasur shumë qejf macet. Sulltan Abdulmexhidi ishte alergjik ndaj maceve. Ai nuk deshte asnjeherë që të ishte në të njëjtën dhomë me një mace. Thuhet se një mëngjes ndërsa po lexonte një libër, doli jashtë për një kohë dhe kur u kthye pa se një mace ja kishte gërvishtur disa faqe te librit. Kjo ishte hera e fundit që ai iu afrua maces. Në të vërtetë, njëherë kur ai dhe shoqëruesit e tij hynë në pallatin Beykoz, një mace u doli përpara. Ai menjëherë urdhëroi shoqëruesit e tij që të “ktheheshin”. Por djali i tij, Sulltan Abdylhamidi i donte shumë macet. Ky sultan kishte një mace të bardhë me qime të gjata të quajtur “Efendi Aga”.

Macet në ditët e sotme

Qëkur njerzit filluan të jetonin nëpër apartamente, ditëve të lavdishme të maceve u erdhi fundi. Shtëpitë aktuale nuk janë të përshtatshme për të mbajtur dhe ushqyer macet. Macet janë kafshë të pastra, megjithatë ato duan një shtëpi me oborr. Sot që macet shërbejnë më tepër si lodra, ato janë kthyer në kafshë argetimi dhe zbukurimi ndërsa natyra e tyre e vërtetë është harruar.

Macet kanë gjithashtu një vend edhe në letërsinë orientale. Një poet i quajtur Maali, i cili jetoi në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm, shkroi një poemë për macet. Namik Kemal, një nga poetët e shekullit të 19-të, shkroi një poemë të ngjashme, e cila i përshkruante zgjuarsitë, aftësitë, meritat dhe epërsitë e maceve me një gjuhë humoristike.

Macet tregohen edhe nëpër tregime, shaka dhe saga të ndryshme. Tregohet njëherë se gruaja e hoxhë Nastradinit gatoi dhe hëngri tre kilogramë mëlçi që i kishte sjellë në shtëpi Nastradini. Në mbrëmje kur Nastradini u kthye në shtëpi e shoqja ja hodhi fajin maces. Nastradini e peshoi macen me kandar dhe pa që macja peshonte tre kilogramë. “Grua, nëse kjo është macja atëherë ku vajti mishi, nëse ky është mishi, atëherë ku është macja?” i tha të shoqes hoxhë Nastradini. Megjithëse macet janë të famshme për vjedhjet që bëjnë, kafshët e gjora fajësohen për pothuajse çdo gjë që humbet.

Related Articles

Back to top button