Lajme

Askush si Hashim Thaçi me shokë nuk është tallur me viktimat e krimeve serbe në Kosovë

Askush si Hashim Thaçi me shokë nuk është tallur me viktimat e krimeve serbe në Kosovë

Masakra e Dubravës, është ndër krimet më të faktuara e më të dokumentuara që i ka kryer Serbia kundër shqiptarëve. Krimi u krye ndaj njerëzve më të pambrojtur, u krye ndaj të burgosurve, ndaj njerëzve të ngujuar prapa grilave. Për më tepër këtë krim e faktoi me fotografi rrënqethëse edhe fotoreporteri i Reuters. Gjithashtu kishte, e ka edhe sot, plot dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Por habia është se ASKUSH DHE ASNJEHERE nga paria e Kosovës nuk e ngriti këtë çështje, nuk kërkoi drejtësi për viktimat dhe nuk e denoncoi masakrën te institucionet ndërkombëtare.

Zhurma që po e bëjnë Thaçi e Veseli sot për krimet serbe në Kosovë, është hipokrizia më e neveritshme që i lejojnë vetës kryecubat e Kosovës. Kjo është tallje me viktimat, kjo është tallje me Prekazin, me Likoshanin, me Reçakun, me Rogovën, me Mejën, me Dubravën, me Izbicën, me Krushën, me Qyshkun…, me fëmijët, gratë dhe burrat e përdhunar, me nënat që mbetën me duar në gjinj, me familjet që u shfarosën dhe me shtëpitë e mbetura shkret… Sepse, siç po shihet botërisht, këta që u zgjuan pas 20 vitesh, kanë hall tjetër: Si ta minojnë Gjykatën speciale, e cila është inicuar për ta dhe është themeluar prej tyre!

Por këta batakçinj nuk janë të vetmit fajtorë për nëpërkëmbjen e masakrave serbe dhe viktimave të shumta. Sepse komplet elita politike e Kosovës nuk ka bërë asgjë, ama bash asgjë, për t’i regjistruar, faktuar dhe proceduar krimet e tmershme të Serbisë në Kosovë.

Për turpin tonë, jo pak shqiptarë me emër defiluan edhe para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, si dëshmitarë të Prokurorit e kundër Millosheviqit, por asnjëri prej tyre nuk e shtroi me kompetencën dhe përgjegjësinë që imponohej çështjen e krimeve të panumërta që i kreu Serbia në Kosovë. Duke i dëgjuar me trishtim dëshmitë e tyre, kam mbetur gojëhapur nga mospërgatitja elementare e tyre për të folur bindshëm e përgjegjshëm në emër të viktimave.

Gati çdonjëri prej tyre pati folur për mënyrën se si Serbia e shkatërroi Jugosllavinë duke i akuzuar e shtypur shqiptarët, por asnjëri nuk e përmendi pikën e Arkimedit të shkatërrimit të Jugosllavisë, masakrën e Paraçinit dhe sidomos faktin se si Millosheviqi dhe propaganda e gjyqësia e tij ua faturoi shqiptarëve atë krim të tmershëm.

Masakra në Dubravë e kishte edhe një parathënie: zhdukjen pa gjurmë të njërit prej të burgosurve më të njohur politik shqiptar, Ukshin Hotit. Mjafton rasti i tij, për të kuptuar nivelin e vetëdijes, të përgjegjësisë dhe të mungesës së ndërshmërisë minimale të parisë së Kosovës. Çështja e Ukshin Hotit nuk është ngritur asnjëherë të vetme brenda institucioneve të Kosovës e as para institucioneve ndërkombëtare. Më ka ndodhur shpeshherë ta pyes vetën, si është e mundur që në Kuvendin e Kosovës kishte dhe ka përplot ish të burgosur politikë, por asnjërit prej tyre nuk i ra ndërmend ta shtrojë pikërisht në Kuvend, përmes një Rezolute të posaçme e obliguese, çështjen e njërit prej intelektualve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Dhe përmes Kuvendit t’i kërkohet qeverisë që të bëjë çdo gjë të mundshme për zbardhjen e fatit të këtij kolosi të qendresës dhe të mendimit politik shqiptar!

Ky fakt flet shumë dhe dëshmon se ata që harrojnë në këtë farë feje një bashkëvuajtës, ata mund t’i ketë futur Serbia në burg edhe për motive politike, por ata të burgosur politikë nuk kanë qenë asnjëherë.

Pikërisht kjo kategori hipokritësh i ka dëshpruar njerëzit më shumë se askush tjetër, sepse edhe me ndihmën e tyre po mbijeton politikisht, qe 20 vjet, një vëllavrasës dhe tuxhar territoresh e flamujsh si Hashim Thaçi.

*Shkrimi përcillet nga një dëshmi origjinale për masakrën në Dubravë dhe fotografi të Reuters-it nga vendi i krimit, publikuar për herë të parë në revistën Pasqyra, nr. 17 (26 mars 2000).

Related Articles

Back to top button