Magazina

Mësimi i gjuhës serbe, mollë sherri mes Luginës dhe Beogradit

Tryeza e mbajtur sot (e premte) në Beograd në të cilën përveç përfaqësuesve shtetëror dhe ndërkombëtar morën pjesë edhe liderët institucional të Luginës, është “nxehur” si shumë, sa që ka detyruar Ministrin e Arismit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Sërgjan Verbiq të lëshojë këtë tryezë.

Edhe pse qëllimi i kësaj tryeze të mbajtur në ndërtesën “Pallati Srbija” ishte prezantimi i studimit për mundësitë e avancimit të gjuhës serbe si gjuhë joamtare në shkollat fillore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ajo morri drejtim tjetër nga ç’prisnin organizatorët, në momentin kur fjalën e morën përfaqësuesit shqiptarë të Luginës, raporton portali informativ Titulli.com.

Këtë studim të zhvilluar nga Trupi Koordinues, për dallim nga ministri Verbiq që tha se ai është  ekonomik, liderët shqiptar e kritikuan duke thënë se ai është politik.

“Kam lexuar këtë studim. Personalisht mendojë se ky komision do të duhej që të merrej me ate se pse nxënësit deri në vitet e 90-ta e kanë ditur më mirë gjuhën serbe, ndërsa tani më pak. Shqipëtarët edhe pse të varfër në atë kohë kanë siguruar satelitë që të mos dëgjojmë serbisht pasi që transmetohej gjuhë e urrejtjes ndaj shqiptarëve, ju këtë shumë mirë e dini”, tha në analizën e këtij studimi, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Majkëll Davenport përshëndeti punën e bërë nga komisioni.

“Gjuha serbe i duhet pakicave për integrim edhe në institucione si në gjyqësi dhe polici”, tha Davenport duke shtuar se integrimi luan rolë të rëndësishëm.

Ai theksoi se përveç që shqiptarët mësojnë gjuhën serbe duhet inkurajuar edhe popullsinë serbe të këtij rajoni që të mësojnë gjuhën shqipe.

Për ministrin Sërgjan Vrbiq, i cili me të filluar kritikat në adresë të qeverisë dhe ministrisë për mungesën e teksteve lëshoi mbledhjen, ky studim mbi mundësitë e avancimit të mësimdhënies  dhe mësimit të gjuhës serbe si gjuhë joamtare, nuk ka arsye politike por ekonomike.

“Organizimi i këtij studimi është për t’u marrë shembull. Këtë që po bëjmë është në përputhje me strategjinë e arsimit në Republikën e Serbisë”, ka thënë ministri, duke i dëshiruar organizatorëve implementim të suksesshëm të këtij studimi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) Galip Beqiri i cili mori pjesë në këtë organizim, duke iu drejtuar të pranishmëve në gjuhën shqipe, uroi Trupin Koordinues për këtë studim.

Beqiri shfrytëzoi rastin të paraqesë edhe problemet e pakicës shqiptare, duke vënë theks të veçantë tek mungesa e teksteve për nxënësit shqiptar të Luginës së Preshevës.

“Nuk jamë kundër kësaj pune që është bërë, në fillim e kemi përkrahë, mirëpo disa gjëra nuk duhet të qëndrojnë në këtë formë se shqiptarët nuk e njohin gjuhë serbe. KKSH prioritet kryesor i ka dhënë çështjes së arsimit, sidomos teksteve shkollore.  Pas 20 viteve morëm iniciativë që t’i sigurojmë tekstet në gjuhën shqipe pasi është e drejtë ligjore që shqiptarët të mësojnë në gjuhë amtare”, tha Beqiri.

Nga ana tjetër Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd Denis Kif tha se përfaqësia e tij që tre vite mbështet projektet e tilla të mësimit të gjuhës serbe dhe se deri më tani ka pasur interesim të madh të shqiptarëve për të mësuar gjuhën serbe.

“Mësimi jo vetëm që përmirëson komunikimin në mes të rinjve, por njëherit rritë edhe konkurrencën në punësim. Ky studim është një hap i vogël por që do të shërbejë për mësimin e gjuhës që në të ardhmen do t’i nevojitet të rinjve”, u shpreh ambasadori Denis Kif.
Përfaqësuesit tjerë shqiptarë, pjesëmarrës në këtë tryezë të rrumbullakët vazhduan me kërkesat e tyre, pasi në Luginë nxënësit kanë mungesë të madhe të teksteve mësimore në gjuhë amtare.
“Për çështjet e shqiptarëve po vendos dikush që nuk është shqiptar. Në shekullin 21 të bëhen punët kështu? Më nuk pinë ujë kjo”, tha deputeti popullor Riza Halimi.
Pas deklaratës së deputetit dhe shtruarjes së kërkesave për të pas tekste në gjuhën shqipe, Ministri i Arsimit i Serbisë lëshoi tribunën.
“Ministri ik nga tryeza e rrumbullakët, nuk ka fuqi as ky, as i kaluari e as ministrat që do të vijnë, që të thonë: Ja Abetaren zgjedheni vetë, zgjedheni ate që ju e vlerësoni se është më e mira për fëmijët tuaj. Ne sot kur do të kthehemi në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë çka duhet të themi, që biseduam për përsosje të gjuhës serbe, tekstet, ndërsa fëmija shtatë vjeçar të pyet ku është Abetarja ime”, kështu u shpreh kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, pasi mbledhja u lëshua nga Ministri, ndërsa nga e njëjta u larguan edhe kori diplomatik, i cili u regjistrua nga gazetarët e portalit informativ Titulli, të cilët po përcillnin nga afër këtë ngjarje.

Përndryshe, derisa ishte në sallë Komisarja e Lartë për pakicave kombëtare, Astrid Tors, përgëzoi studimin e realizuar nga Trupi Koordinues i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe.
“Ju përgëzoj për këtë studim. Jam e interesuar në implementimin e saj. Shfrytëzojeni këtë mundësi për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Mësimi i gjuhës është pjesë e integrimeve”, u shpreh komisarja Tors.

Deputeti Shaip Kamberi duke folur rreth studimit theksoi se vet përfshirja e akterëve politikë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja  dhe dhënia e kontributit për këtë studim flet se ata e kanë njohur këtë problem dhe kanë qenë të gatshëm që së bashku me institucionet përgjegjëse do të bashkëpunojnë që ky problem të tejkalohet.
“Unë nuk do të flasë për tekstet, së paku jo deri më 1 shtator pasi kamë premtimin publikë të kryeministrit Vuçiq që nxënësit shqiptarë do të marrin falas librat”, u shpreh Kamberi,

Ai, duke cituar obligimet ndërkombëtare tha se nuk mund të kushtëzohen shqiptarë me njohje të gjuhës serbe për të gjet një vend pune.

“Unë frikohem. Ndoshta studimi ka pas si qëllim theksimin e mungesat e njohjes së gjuhës serbe nga shqiptarët, të cilët i frikohen politikës ditore që në mënyrë kundërproduktive të shfrytëzohet, pasi kemi parë që kryeministri kushtëzon dhënien e teksteve falas me pagesën e rrymës”, tha Kamberi.

Kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq ka falënderuar ekipin i cili realizoi studimin në mënyrë profesionale, duke i shprehur mirënjohje edhe të ftuarve për pjesëmarrje në  këtë tryezë.
Përndryshe, sipas koordinatores Natasha Boshkoviq, studimi mbi mundësitë e avancimit të mësimdhënies dhe mësimit të gjuhës serbe si gjuhë joamtare në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk është e kënaqshme.

“Vetëm 5 për qind kënaqë me njohjen e gjuhës serbe në të cilën ishin të përfshirë 733 nxënës të klasës së katërt deri në të tetën të 16 shkollave fillore të këtij rajoni”, u shpreh Boshkoviq.

Sipas studimit, nxënësit nuk janë në gjendje të kuptojnë gjuhën serbe qoftë me gojë apo shkrim, sikurse edhe në gramatikë./Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button