Kamberi: Kosova është e pavarur
Kosova është e pavarur – paqja me shqiptarët garancion për stabilitet dhe perspektivë në Ballkanin Perëndimor
Z. Kryetar i Kuvendit,
Zonja dhe zotërinj deputet,
Z. President i Republikës,
Pas rezultateve të arritura në periudhën 2011 deri në vitin 2014, viteve të fundit ka ardhur deri tek te ngrirja e Dialogut të Brukselit.
Është e qartë që ngrirja e atij procesi ka të bëjë edhe me krizën e identitetit brenda BE-së dhe turbulencave brenda mardhënieve transatlantike.
Për fat të mirë, administrata e re amerikane ka shpërfaqur një qasje të re, më aktive ndaj çështjeve në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara janë kthyer si palë e interesuar në dialog, që ka rezultuar edhe me emrimin e diplomatëve special për Ballkanin.
Ripërtrirja e interesimit amerikan për Ballkanin Perëndimor por edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, vjen edhe si reagim ndaj ndikimit gjithnjë e më të madh të fuqive tjera që po tentojnë t’a destabilizojnë rajonin.
SHBA-të, e kanë bërë të qartë që po i japin mbështetje të pakontestueshme dialogut i cili po udhëhiqet në Bruksel, e në lidhje me këtë, dakordimi i fundit në mes të Serbisë dhe Kosovës mbi pranimin e letërnjoftimeve, shënon momentum të ri i cili duhet të shfrytëzohet për vazhdimin e dialogut deri në normalizimin e plotë të mardhënieve.
Gjithkush e ka të qartë se perspektiva e interaseve të popujve të Ballkanit ndodhet në bashkëpunimin e ndërsjelltë, edhe interesi i serbëve dhe shqiptarëve është në bashkëpunim. Por, nuk ka asnjë dilemë që kushti kryesor për mardhënie të mira është normalizimi i mardhënieve me Kosovën.
Janë për t’u përshëndetur përpjekjet për avancimin e mardhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë nëpërmjet bashkëpunimit bilateral ose atij rajonal, por secili politikan racional, është i vetëdijshëm që në aspektin afatgjatë, këto mardhënie ndërshtetërore, do të varen nga mënyra se si do të zgjidhet dialogu me Kosovën.
Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur për këtë çështje, prandaj ajo paraqet momentin kryesor për perspektivën jo vetëm të dy popujve por edhe për të gjithë rajonit.
Ka vite që nga Brukseli marrim mesazhe që “dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i lidhur me të ardhmen e dy vendeve” që nënkupton se pa avancimin në këtë proces asnjëra palë nuk mund të shpresojë për anëtarësim në BE.
Sot, përsëri, nga krerët e BE-së, thuhet që “Dialogu me Kosovën është kyç për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së”.
Edhe pse e ka humbur fuqinë lëvizëse, Bashkimi evropian mbetet edhe më tej motor i reformave dhe demokratizimit të Ballkanit Perëndimor, në këtë rast edhe të Serbisë edhe të Kosovës.
Është e vërtetë që çështja e marrëveshjes finale me Kosovën është njëra nga sfidat, para të cilave gjendet Serbisa. Megjithatë, zotëri President, ju nuk jeni të zgjedhur që vetëm ta përfaqësoni shtetin në aspektin protokolar, por edhe t’i përgjigjeni e të gjeni zgjidhjen e problemeve të mëdha politike nga të cilat varet e ardhmja e këtij shteti dhe gjeneratave që vijnë.
Është obligim i juaji që të udhëhiqni shtetin drejtë zgjidhjeve të cilat hapin perspektiva të reja. Edhe atë jo çfarëdo perspektive por perspektivës evropiane.
Republika e Serbisë ndodhet në Evropë, prandaj duhet të bëhet anëtare e plotë e BE-së dhe pjesë e demokracive liberale perëndimore. Vërtetë që është e vështirë, por është edhe urtë ta drejtoni vendin drejt arritjes së këtij qëllimi.
Avancimi i mardhënieve me “armikun e përjetshëm” kërkon aftësi për pajtim.
Nuk ka ardhmëri për asnjë vend pa pajtim.
Nuk ka pajtim pa ballafaqim me të kaluarën.
Paqe ju nevojitet me shqiptarët, jo konflikt. Konflikti me të tjerët, siç do të thonte Bogdan Bogdanoviqi, ju çon drejtë vetëshkatërrimit.
Prandaj Serbisë i nevojitet paqe me Shqiptarët. Përshkak të perspektivës së vet. Për gjeneratat e ardhshme. Për perspektivën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
“Arritja e miqëve është më e rëndësishme se pushtimi i territoreve”, do të thoshte i urti Bogdanoviq.
Me këtë rast do të citoja edhe një deklaratë të B. Bogdanoviq dhënë të përditshmës “Zëri”. “Interesi ynë nacional është që me ju shqiptarët të jemi miq dhe që përmendoret tona t’i lëmë në oborrin e miqëve tanë”.
Si njeri që udhëheq me shtetin, keni përgjegjësinë më të madhe që qytetarëve të Republikës së Serbisë, rreth Kosovës, t’ia thoni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, jo dëshirat dhe ambiciet joreale politike. Mjaft me këtë politikë.
Është rregull që secili që merr pjesë në procesin e zgjidhjes së një problemi, përfundimin e suksesshëm mund të presë vetëm atëherë kur bën dallimin e qartë në mes të ambicieve reale dhe dëshirave të pamatura.
Në përputhje me këtë, nuk mund të priten rezultate pozitive nëse vazhdoni të mbani qëndrime të cilat janë produkte të miteve të Mesjetës dhe fantazmagorisë, siç e thatë ju, dhe mohimin realitetit aktual.
SHBA dhe BE po i thonë Serbisë se nuk është çështja se a do të shkojë shkojë në Lindje apo Perëndim, por se ekziston vetëm një drejtim, dhe Serbia duhet të vendosë se sa shpejt dëshiron të arrijë atje.
Cili është qëndrimi i BE-së dhe SHBA-së mbi domosdoshmërisë e arritjes së marrëveshjes me Kosovën ju e dini më mirë se unë. Cilat janë mundësitë reale që BE dhe SHBA të ndryshojnë mendimin mbi këto çështje, poashtu e dini më mirë se të gjithë ne këtu.
Emërimi i “njësisë elitë” nga Franca dhe Gjermania dhe porositë nëpërmjet të cilave po ju ftojnë të merrni “vendime të vështira në lidhje me Kosovën” flasin qartë për një koordinim të plotë transatlantik mbi këtë çështje.
Prandaj kam pritur sot që këtij parlamenti t’i thoni që jemi gati të marrim përgjegjësi për të ardhmen e këtij vendi, të besojmë që të ardhmen e afërt Serbia të jetë e gatshme që me vlera të reja të ndërtojë lidhje të reja me Kosovën.
Kushdo që pak është i njoftuar me qëndrimin e shoqërisë serbe mbi këtë çështje e ka të qartë që nuk është e lehtë të mirren vendime konkrete, por a nuk janë rrugët më të vështira nganjëherë edhe të vetmet të drejta?
Për një faqe të re nevojitet një qasje e re.
Po e shoh që në Serbi ende nuk ka atmosferë në të cilën dikush do t’i kërkonte falje shqiptarëve për ato se çfarë është bërë në Kosovë. Po shihet që për një gjë të tillë duhet të presim një momentum të ri.
Wili Brant nuk i ka thënë viktimave “unë ju kërkoj falje” por i ka thënë “ne kemi ndryshuar, ne nuk do ta përsërisim më një gjë të tillë”, na kujton Latinka Peroviq.
Natyrisht, sot, këtu do të ndëgjojmë edhe zëra kundër marrëveshjes, zëra të atyre që do të dëshiron të krijonjnë konflikt të ngrirë, zëra të atyre që nuk do dëshironin Serbinë ta shohin si pjesë të demokracive liberale, por të inkuadruar në „Perandoritë e lindjes”.
Gjithë ata që kështu mendojnë kështu, e kanë për të fituar poena politik ditorë, ata kanë qasje të politikanit e jo të burrështetasit, “shkojnë drejtë ardhmërisë duke ecur mbrapsht”, dëshirojnë vazhdimin e jo zgjidhjen e problemit.
Politika realiste na bënë me dije që ëndrra për bashkangjitjen e Republikës së Serbisë me mbretëritë e lindjes, në kuadër të aktualiteteve gjeopolitike, nuk është vetëm joreale por edhe e rrezikshme për të ardhmen e këtij vendi.
Nobelisti turk, Orhan Pamuk, njëherë ka thënë që “Lindja mundet të përbijë njerëzit dhe ëndrrat e tyre”. Prandaj duhet të kenë kujdes çfarë dëshirojnë.
Kundërshtarët e marrëveshjes e mendojnë ta arrijnë me dhunë atë që më së shpeshti mund të arrihet me marrëveshje. Përveç kësaj, me dhunë edhe mund të humbet. Shembuj të tillë ka plot, të freskëta madje.
Dhe në fund, si përfaqësues i pakicës shqiptare që jeton në Luginë të Preshevës, besojmë se normalizimi i mardhënieve me Kosovën është një rëndësi vitale edhe për të ardhmen tonë.
Në kontekst me marrëveshjen e ardhshme, më duhet të them që reciprociteti është parim i drejtë nëse qëllimi është që problemet të zgjidhen me mjete politike. Interesat duhet t’i realizoni me marrëveshje sepse nuk mundeni me vendime të njëanshme.
Kosova është e pavarur nga Serbia dhe çfardo që dëshironi të arrini atje duhet ta arrini në marrëveshje me autoritet e Kosovës. Cilido që të vijë në pushtet atje, nuk është Serbia ajo që vendosë.
Serbët në Republikën e Kosovës kanë drejta të shumta të garantuara me Kushtetutë, sa i përket edhe përfaqësimit parlamentar por edhe inkuadrimit në pushtetit ekzekutiv. Shqiptarët, dhe pakicat tjera këtu, nuk i gëzojnë ato të drejta.
Në përputhje me kërkesën për më shumë të drejta për serbët e Kosovës, Beogradi duhet patjetër t’a ketë parasysh që është e logjikshme dhe legjitime që pakica shqiptare në Serbi të kërkojë statusin e njejtë që Serbia kërkon për serbët në Kosovë.
Për të krijuar kushte për ripërtrirje të besimit të pakicës shqiptare, është e domosdoshme që Qeveria dhe institucionet shtetërore të tregojnë vullnetin e tyre dhe seriozisht të angazhohen në integrimin e shqiptarëve, për të cilën Republika e Serbisë është obliguar me nënshkrimin e tri marrëveshjeve që kanë të bëjnë me tri komunat ku Shqiptarët janë shumicë ose pjesë e popullsisë.
Siç ju kemi njoftuar, në konsultat e 14 Korrikut të këtij viti, nga Qeveria e re presim që të punojë në:
1. Realizimin e Planit shtatë pikësh në një kohë të definuar qartë. Sa për dijeni, Qeveria e R.Serbisë ka aprovuar këtë plan në Qershor të vitit 2013.
2. Ndaljen e procesit të pasivizimit të adresve dhe themelimin e komisionit parlamentar me përfaqësues të Qeverisë, opozitës, në të cilin do të merrnin pjesë, përveç deputetit nga Lugina e Preshevës, edhe shoqëria civile dhe OSBE, me qëllim të verifikimit të të dhënave të sakta mbi qytetarët e pasivizuar dhe për të propozuar masat për kthimin e adresave të qytetarëve të pasivizuar.
3. Formimin e Fondit Zhvillimor për Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën bashkë me dyfishimin e buxhetit të Trupit Koordinues për projekte kapitale dhe subvencionim të bizneseve lokale si dhe sjelljen e investitorëve të huaj.
4. Intensifikimin e dialogut në mes të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve të zgjedhur të Luginës së Preshevës, me pjesmarrjen e OSBE dhe grupës së ambasadorëve “Miqt e Jugut”.
5. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të Ligjit mbi pakicat nacionale, neni 16, pika 2 e Ligjit e që ka të bëjë me përdorimin e lirshëm të flamurit.
Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë komunat më të pazhvilluara në Serbi. Nuk janë shumë më të zhvilluara as komunat tjera për rreth. Të rinjët Shqiptar, Serb e Rom, po ikin çdo ditë përshkak të mungesës së perpektivës dhe gjendjes në të cilën ndodhen.
Këto komuna, ngadalë por sigurt, po shëndrrohen në shtëpi për të moshuarit, prandaj edhe është koha që shteti të tregojë trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve, të sigurojë qëndrimin e jo largimin e njerzve në shtëpitë e tyre.
Të rinjët janë e ardhmja jonë e përbashkët dhe rreth tyre duhet bashkërisht të kujdesemi, si prindër e jo politikan.
Prandaj, ju ftoj që të bëni përpjekje në zgjidhjen e çështjeve të mëdha, të shfrytëzoni fuqinë politike që ju kanë dhënë qytetarët e këtij vendi në mënyrë që ta shëndrroni atë ne perspektivë për të gjithë njerzit dhe që bashkë me shqiptarët të punoni në ndërtimin e një Ballkani më stabil, më të sigurt e me më shumë perspektivë.
Juve ju mbetet të vendosni se a do të mbeteni vetëm një politikan i radhës apo do të dëshmoni se doni të merrni përgjegjësitë prej burrështetasi.
Bëhuni de Gaulle.
Në këtë rrugëtim, marrëveshja me shqiptaret ju imponohet si çështje e patejkalueshme.
Marrveshje përmes ambicieve realiste, pa fantazmagori dhe mitologji.
Faleminderit.