Unë, biri yt, Luginë…
Unë, biri yt, Luginë…
Ka netë që nuk më zë gjumi. Dita më është bërë e gjatë njëzetë e katër orë. Nganjëherë ulem pranë birit tim e gruas, e bëhem sikur ia dëgjojë secilën frymëmarrje të tyren.
Në fakt, në mendjen time rrokullisen hallet, vuajtjet e sakrifica e shumë bashkëkombësve e bashkëvendësve të mi.
Më parafytyrohen shqiptarët e mi, sytë që u qeshin ngaqë lotët ju kanë tharë, rrudhat fisnike të ballit të secilit prej tyre, duart e çara e të ashpra që presin përditë të shtrëngojnë e të përqafojnë dikë.
Më sillen në mend shqiptarët e mi plot shpresë, që shpirti i tyre reflekton pozitivitet e mirësi, punëtorë e besnik, të palodhur edhe pse jeta i ka përballur me atdhedashurinë dhe diskriminimin shtetëror.
Pastaj, më bien në mend shqiptarët e mi të etur për dije, të përkushtuar për të shkëlqyer në universitete edhe pse duhet të largohen nga vendlindja e familja, e mbi të gjitha më bën krenar qëndresa e tyre ballë mohimit të profesionalizmit të tyre nga shteti, i cili as nuk ia njeh diplomën, e as nuk i hap universitet në gjuhën amtare.
Mbi të gjitha, këto ditë ndihem fajtorë paksa, meqë kam parë shumë fëmijë të cilët nuk e dinë akoma se sa me vështirësi po e kryejnë shkollimin e mesëm në këto treva, pa libra në gjuhën e tyre. Ndihem i tillë, meqenëse historia e librave shqip në Luginën e Preshevës, ka qenë dashur të marrë një epilog shumë më herët, me punë e përkushtim shumë më të madh, të secilit prej nesh.
Kam ecur gjatë këto ditë, kam udhëtuar në çdo vendbanim të Luginës. Edhe atje ku nuk kisha qenë më parë.
Kam parë familje shqiptare të përvuajtura nga malli për fëmijët e tyre të larguar në perëndim. Kam shkuar edhe te familjet e dëshmorëve, të cilat janë shndërruar në themel të historisë sonë kombëtare. Gjatë takimit me ta, ndjeja sikur isha në shtëpinë time. Sikur isha me familjen time.
Shumë halle, derte, probleme më sillen në mend, por mbi të gjitha e kam një frymëzim. Në shpirtin tim është një ndjenjë e fuqishme mbështetjeje, për të punuar fort për secilin shqiptar, e për të bashkëpunuar me secilin prej tyre.
E di që ditët e netët e ardhshme do të më mbajnë larg familjes, birit e gruas time. Por, e di që do të jem afër shqiptarëve të mi.
Në ditët më të errëta të kombit tonë, babi im e bëri të njëjtin veprim.
Qëndroi larg nesh, por afër të gjithë shqiptarëve.
Prandaj, fitoi zemrat e gjithsecilit. Ai sot është krenaria e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Po të na shikonte nga qielli, jam i sigurt se do të ndihej krenar edhe me veprimet e mia. Sepse, para se gjithash për kandidimin tim, mora bekimin e familjes, e të nënës loke. Ajo më puthi në ballë, e më uroi.
Me thënë të drejtën kisha pak hezitim. Mirëpo, këto ditë kam parë se sa shumë kanë nevojë shqiptarët e këtij rajoni për unitet, e dinjitet mbi të gjitha.
Këtyre ditëve njoha dëshirat e heshtura, ëndrrat, vuajtjet e gëzimet e tyre.
Do të bëj çmos, ditë e natë, për t’ia rikthyer unitetin e dinjitetin.
Do të punojë fort e do të angazhohem për barazi e drejtësi.
Për mirëqenien e shqiptarëve të mi.
Faleminderit për mbështetjen!
I juaji Leventi!