Në diplomaci virtyt është të dish edhe kur duhet heshtur
Kosova ka shumë probleme të veta dhe nuk e ka luksin të merret me problemet e brendshme të Bashkimit Evropian, NATO-s apo SHBA-së. Politikanët, diplomatët, sidomos kryediplomatja e Kosovës, duhet nganjëherë të dinë edhe kur duhet heshtur. Donika Gërvalla e ka thënë një të vërtetë kur ka folur për pafuqinë e BE-së. Por ajo nuk është analiste, as gazetare, e për aq sa është ministre nuk është as eksperte. Më mirë të merret me diplomacinë e Kosovës, që duket anemike, sesa me fuqinë apo pafuqinë e Bashkimit Evropian.
Nga Agustin Palokaj
“Edhe një grup pulash duket si një batalion i fortë luftarak krahasuar me fuqinë e Bashkimit ushtarak Evropian“. Do të habiteshin ata që nuk e dinë kur të mësojnë se kush e ka thënë këtë konstatim kur ka folur për dobësinë e BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. E ka thënë Jean Claude Juncker në kohën kur ka qenë kryetar i Komisionit Evropian. E ka thënë për të arsyetuar nevojën që BE-ja, e kjo do të thotë vendet anëtare, të ndajnë më shumë mjete financiare për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të unionit. Dhe e ka thënë për të ngritur nga gjumi ata evropianë që besojnë se liria është e garantuar vetvetiu dhe nuk kanë nevojë të investojnë në mbrojtje. Dhe për të shtyrë përpara zvogëlimin e varësisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sepse asnjë varësi, as ajo nga miku dhe aleati, nuk është e mirë. Pra, për Evropën as varësia nga SHBA-ja nuk është e mirë. Edhe Amerika do të donte që Evropa të forcohej në aspektin ushtarak. Sepse me këtë do të forcohej edhe NATO-ja dhe e gjithë Aleanca Veriatlantike.
E vërteta është se BE-ja është shumë, shumë e dobët në aspektin ushtarak. Jo që nuk është në gjendje të mbrojë dikë tjetër, por as veten. Edhe sot shtetet lindore të BE-së mbrohen nga NATO-ja, e në NATO pjesëmarrja amerikane në kapacitetet e përgjithshme ushtarake është në mënyrë të papranueshme e madhe dhe disproporcionale. Vlerësohet se 80 për qind e kapaciteteve ushtarake të NATO-s sot janë ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse kësaj ia shtojmë Turqinë, Kanadanë dhe Norvegjinë, si vende me kapacitete të rëndësishme ushtarake, nëse ia shtojmë edhe fuqinë bërthamore Britaninë e Madhe, që më nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, mund të dalë se pjesëmarrja e BE-së në kapacitete ushtarake të NATO-s mund të jetë diku rreth 10 për qind, pra disproporcionale edhe për nga numri i vendeve, edhe për nga fuqia e tyre ekonomike e edhe për nga numri i banorëve.
Nuk e ka zbuluar ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Grvalla-Shwarz, se BE-ja është e pafuqishme. Këtë e dinë të gjithë. Dhe shumë prej tyre e thonë. Për fat të BE-së, e me këtë edhe të Kosovës, sepse është në Evropë dhe gëzon mbrojtje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, amerikanët nuk vënë më në pikëpyetje gatishmërinë e tyre për të mbrojtur Evropën. Vetëm para tre vjetësh në Shtëpi të Bardhë ishte një president i cili nuk shihte më nevojë për funksionimin e NATO-s në mënyrën në të cilën “amerikanët paguajnë për mbrojtjen e të tjerëve”. Dhe Trump, po ashtu, nganjëherë ia ka qëlluar. Me plot të drejtë thoshte se “pse qytetarët e Amerikës të paguajnë për mbrojtjen e Gjermanisë nga Rusia në kohën kur Berlini i jep të njëjtës Rusi miliarda euro përmes kontratave për energji”. Ai president ka pasur edhe një ambasador i cili është marrë me raportet mes Kosovës dhe Serbisë e që tash zbuloi se ka pasur plan edhe të tërhiqeshin forcat amerikane nga Kosova, sepse, sipas ish-ambasadorit Grenell, raportet mes Kosovës dhe Serbisë u paskan normalizuar aq shumë saqë nuk ka më nevojë për prani ushtarake amerikane.
Tash SHBA-ja flet vetëm për forcimin e NATO-s. E forca e saj është dëshmuar më e rëndësishme se kurrë në histori. Pa NATO-n dhe SHBA-në sot vërtet nuk do të mund të imagjinohej siguria e Evropës. Sepse BE-ja është tepër e dobët për të qenë e vetëmjaftueshme në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes. Për këtë po bëhen debate edhe në BE nga vetë ministrat apo kryeministrat e shteteve te BE-së. Nuk u takon atyre që janë përdorues të kontributeve të BE-së, qoftë atyre ushtarake, policore, financiare, shkencore, humanitare apo të vlerave, që të merren me sëmundjet e brendshme të BE-së. E që “BE-ja është e sëmurë” pati thënë para një viti edhe një kryeministër nga rajoni, ai i Shqipërisë, Edi Rama. Një president tjetër nga rajoni, Aleksandar Vuçiq nga Serbia, shpesh i ka quajtur liderët e BE-së si “gënjeshtarë dhe hipokritë”. Por nga BE-ja nuk është dëgjuar ndonjë zemërim. Thjesht, ka pasur një indiferencë ndaj këtyre thënieve që kanë qenë shprehje e një frustrimi të rastit.
Nuk është që BE-ja nuk i meriton kritikat. I meriton edhe shumë bile. Sidomos nga Kosova dhe nga qytetarët e saj të cilët për vite i ka diskriminuar dhe vazhdon t’i diskriminojë. I meriton kritikat edhe tash kur i ka vendosur sanksione Kosovës me shpejtësi dhe vendosmëri të paparë deri tash. Dhe për këtë BE-ja po kritikohet edhe nga jashtë, edhe nga brenda.
Por politikanët e Kosovës, sidomos ata që janë në pushtet dhe flasin në emër të shtetit, duhet të kenë kujdes se çfarë dhe ku e thonë.
Kosova ka shumë probleme të vetat dhe nuk e ka luksin të merret me problemet e brendshme të Bashkimit Evropian, NATO-s apo SHBA-së. Politikanët, diplomatët, sidomos kryediplomatja e Kosovës, duhet nganjëherë të dinë edhe kur duhet heshtur. Donika Gërvalla e ka thënë një të vërtetë kur ka folur për pafuqinë e BE-së. Por ajo nuk është analiste, as gazetare, e për aq sa është ministre nuk është as eksperte. Më mirë të merret me diplomacinë e Kosovës, që duket anemike, sesa me fuqinë apo pafuqinë e Bashkimit Evropian.
Diplomacia e Kosovës, nëse ka dyshime ndaj lehtësuesve në dialog dhe besueshmërinë e tyre, e duket se ka, duhet të punojë me vendet anëtare dhe t’i adresojë këto çështje. Por kjo duhet të bëhet përmes kanaleve diplomatike e jo atyre publike. Sepse BE-ja, e mirë apo e keqe, siç është, nuk do të dalë kundër njerëzve që vetë i ka caktuar ta përfaqësojnë.