Magazina

​Isa, Vjosa apo Luta?

Të dielën do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK – së. Konkurrentë thuhet të jenë Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani. Tre kandidatë – tre mendësi! Pse? Në cilën linjë do të vazhdojë LDK?
Të dielën mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së.
A do të shërbejnë karriget kësaj radhe vetëm për tu ulur?
Donika Gërvalla, kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani u tha medieve se asgjë nuk është e garantuar – pra sërish mund të kërcas.
Gjasat që të kjo „profeci“ e zonjës emërmadhe të ndodhë, nuk janë të pakta. Shenjat e nervozës paraprake mund të lexohen edhe në alarmet, këshillat dhe preferencat publike të „etërve“ të partisë, të cilët në prapaskenë bëjnë gati delegatët Kuvendin e së dielës ta bëjnë si tek partia e Fidelit – pa debat dhe pa vota të fshehta!
Keq për LDK-në?
Metoda se si do të zgjidhet -në mënyrë demokratike apo me diktat e ndërskamca – bëhet problem i madh sidomos kur në garë nuk përballen vetëm tri biografi e karriera të ndryshme, por edhe tre mendësi, jo vetëm jokompatible me njëra tjetrën, por që edhe që mund të vendosin se edhe sa gjatë do të jetë LDK ndër partitë më të mëdha.
Nuk thuhet aq zëshëm por mendohet gjithandej se secili prej kandidatëve përfaqëson një drejtim: Isa Mustafa qenka lider i grupit të ish-titistëve, Lutfi Haziri i pro-islamikëve dhe Vjosa Osmane e post-titistëve, pra e asaj gjenerate prindit e të cilëve e kishin mirë në ish-Jugosllavi dhe që besojnë të jenë e ardhmja e Kosovës. Sipas kësaj renditjeje vërejmë se njëra masë brenda LDK-së mbetet pa përfaqësues: ajo e rugovistëve!
Sa qëndrojnë këto „gjykime“ rreth kandidatëve?
ISA MUSTAFA – Përkundër të gjitha kritikave të mundshme një gjë nuk i mohohet dot kryeministrit aktual: se rigjeneroi LDK-në nga një parti në gjumë dhe të shkapërderdhur në një forcë sërish të fortë dhe vendimmarrëse të vendit. „Gabimi i pafalshëm“ i tij, hyrja në koalicion me partinë e Thaçit tashmë duket sikur të perceptohet më me kthjelltësi, pra më shumë si hap pragmatik për ruajtjen e forcës së fituar në zgjedhje se sa koketeri personale. Isa Mustafa vazhdonë të jetë kuadri më me përvojë dhe më i përgatituri brenda LDK-së.
Pandehjet të jetë përfaqësues i asaj suprakategorie shoqërore që ishte e akomoduar „mirë“ në kohën e Titos qëndrojnë, i saktë është informacioni profesori i ekonomisë të përkrahet nga strukturat e vjetra të partisë. E qartë: ai nuk i takon asaj të quajturës „krahu i luftës“.
VJOSA OSMANI – Nuk ka biografi udhëheqëseje sepse është e re. Në politik u kyç si këshilltare e Fatmir Sejdiut dhe Atifete Jahjagës. E zëshme u bë për shkak të shpalimit të kontradiktave brenda LDK-së si dhe afinitetit për të mbrojtur të drejtat e grave. Nga gjenerata e re e LDK-istëve respektohet edhe për studimet në Universitetin e Pittsburgut amerikan, jo se punimet e saja gjenden si referencë shkencore dikund, porse ka studiuar atje dhe kjo mjafton. Gjersa Isa Mustafa ka përvojë, për këtë thuhet se është e dëgjueshme dhe lejon të këshillohet. As kjo nuk i përkon „krahut të luftës“. Për shkak të mosdeklarimit në tema si rugovizmi, fanatizmi fetar e të ngjashme tek shumë njerëz krijon përshtypjen e një politikaneje oportuniste, për karrierë dhe që kalkulon mjaftë hapat e saja.
LUTFI HAZIRI – Sonnyboy i partisë me unaza në bark, i cili nëpërmjet numrit të gishtave të ngritur demonstron fazat e biografisë së tij: 2 – 4 – 1. U kyç në parti i rugovist, atëbotë kur dy gishtat simbolizonin „Victory“-në. Para se të bëhej kryetar i Gjilanit i çoi të katërtit në formën „R4bia“ që simbolizojnë mbështetjen e protestave egjiptase në sheshin Rabia-al-Adawija kundër marrjes së pushtetit nga ushtria dhe së fundi shihet me një gisht përpjetë që don të thotë ai lartë është një. Përkrahësit vendorë të tij thonë se Lutfi Haziri është besimtar i devotshëm dhe asgjë më shumë. Ka prej tyre që madje pohojnë të mos jetë fare fetar, porse vepron ashtu pasi kërkon votat në një terren ku ka vend edhe për një sekt teopolitik radikal siç është PD. As shpjegimin e fundit nuk duhet refuzuar. Megjithatë njerëzit vlerësohen më së shumti nga ajo që mbrojnë qoftë edhe simbolikisht.
Lutfi Haziri është poashtu një politikan me përvojë. Aktualisht është ende herët të konstatohet se sa para ka ecur Gjilani nën udhëheqjen e tij, por se është prijës i aftë as që mund të diskutohet.
Tashti: Isa, Luta apo Vjosa. Në fakt Kuvendi i radhës disponon si kurrë më parë me tre kandidatë të fortë, të zgjedhshëm dhe secili për vete me veti që do t’i ndihmonin partisë, në një mënyrë po tjetër, të ecë para. Mirë të dielën kjo nuk është çështja fare. Dilemat e së dielës do të jenë; 1. a do të ketë fuqi partia të mos veprojë si ato komunistet duke manipuluar votat e fshehta e të hapura dhe 2. Në cilën linjë do të vazhdojë LDK- si parti e gjenaratës së ish-funksionarëve, post – funksionarëve apo pro-islamikëve? Për një parti qytetare të kohës i duhet edhe më shumë kohë. Me rugovizmin le të merret historia! 

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button