Magazina

Ngjarja te “bira e kaçakëve” në vendin Vaçkë të Preshevës në vitin 1945

Lufta e Dytë Botërore ndodhi edhe në Luginë të Preshevës, në këtë luftë antifashiste morën pjesë Abdullah Krashnica, Selim Selimi, Xheladin Kurbalia, Selami e Shenasi Hallaçi, Qemal Shehu, Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë.
Në shtator të vitit 1944, kur kapituloi Bullgaria fashiste. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sëbashku me Gjilanin dhe Kumanovën, për ta mbrojtur ate nga njësitë partizane, bullgare, maqedonase, organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore, përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati disa muajë, Ibrahim Kelmendi patriot nga Prsheva e quajti Epope që nderoi historinë e Shqiptarëve, luftë që u bë kundër tre armiqëve të përbashkët aleatë : bullgarëve, serbëve dhe partizanëve shqiptarë.
Kështu në Preshevë , po edhe në krejt Luginën lindi kërkesa për ta mbrojtur ate, me shpresë se një ditë ajo dhe Shqiptarët do të jenë të lirë dhe vet do të qeverisin me fatin e vet. Për ta mbrojtur Luginën, atëherë u bë organizimi i popullatës për luftë përgjatë hekurudhës, u bë organizimi civilo-ushtarak në Preshevë, pra Adem Kamberit iu dha qeverisja e Bashkisë, Liman Stanecit drejtimi dhe organizimi i nënprefekturës dhe Ibrahim Kelmendit, drejtimi e organizimi i operacioneve ushtarake. Qeverisja e Bashkisë zgjati 4 muajë, ndërsa sipas materialeve arkivore të ish-Jugosllavisë zgjati vetëm 2 muajë dhe këtë Mbrojtje e quanin reaksion shqiptar. Ndërsa popullata shqiptare e quajti “Shqipëri e Vogël”,periudhë të ndritshme, me plotë sakrifica. Mirëpo erdhi edhe zhgënjimi, sespe Shqiptarët u përçanë për vende politike dhe udhëheqëse në Bashki. Këtë e shfrytëzuan forcat e mëdha ushtarake, njësitë e shumta bullgare, maqedonase dhe serbe , të cilat e pushtuan Preshevën më 14 nëntor 1944, e mposhtën Rezistencën e Shqiptarëve dhe me këtë rast bënë kërdi në popullatën shqiptare, sidomos në Sopot, Iseuk, Sopot, Gosponicë e tjerë.
Në anën e Rezistencës së Armatosur të Shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë ishin edhe këta patriot: Hoxhë Mulla Idrizi i Gjilanit, i cili ishte kryekomandant i zgjedhur nga Lidhja e II Shqiptare e Prizrenit, ndërsa komandant ishin edhe Ajet Rainca, Ali Syla Staneci, Lam Breznica e tjerë.
Po Rezistencën e Armatosur të Shqiptarëve e përkrahën dhe e ndihmuan edhe Shahin Aliu i Mëhallës së Alimetëve, Shukri Mehmeti i Mëhallës së Dodajve, Mustafë Aliu i Mëhallës së Alimetëve, Shukri Veliu, Jahja Selimi, Musë Veliu, Nijazi Kamberi – Aga Azi, të Mëhallës së Kamberëve, pastaj Hysen e Maksut Limani-Totorllozi, e tjerë, të cilët pasi hyn forcat partizane në Preshevë qenë të detyruar të fshihen te “Bira e Kaçakëve” në Vaçkë të Preshevës. Në bisedë me Bejtullah Osmanin e Mëhallës së Alimetëve, i cili thotë se te “Bira e Kaçakëve” ishin të fshehur 11 deri 13 kaçakë, siç i quanin at kohë. Për ate edhe ajo birë-shpellë e vogël ku ishin vendosur kaçakët e Preshevës e mori emrin “Bira e Kaçakëve”. Gjatë qëndrimit të tyre te “Bira e Kaçakëve”, ata pastroheshin te vendi i quajtur “Gjerizat e Kaçakëve”, të cilët gjendeshin në Vaçkë të Preshevës.
Sipas dëshmisë së Hysen Limanit-Totorllozit, i cili pos këtyre emrave përmend edhe Sadullahun, sigurisht të Kamberëve. Ky në rrëfimet e veta qe i ka lënë gojarisht dhe të cilat i shkruoi Edmond Kamberi i Mëhallës së Hamishëve, thotë se me Veli Veliun të Qorvelivepaskanë pasur marrëveshje, që ushqimin ai ta siguroje për kaçakët, dikund për tri javë.Marrëveshja ishte që ushqimin ta marrin te Arat e Allajve të Preshevës, të cilin Veliu e mbështillte dhe e futte brenda në kerrin përplotë me pleh.Tregojnë dëshmitarët se shpesh Xhandarmeria e ndalte dhe e shpërthente me bajoneta plehin, për të gjetur diçka, sepse ekzistonte tek ta dyshimi.
Në nëntor të vitit 1945, njësitet partizane e rrethuan vendin “Bira e Kaçakëve”, në mbështetje të tymit që e pa roja ushtarakeprej Livadhit të Shehut. Mirëpo këta i zbuloi OZNA e atëherëshme/Odeljenje za zastitu naroda-Shërbimi për mbrojtjen e popullit/, bile një officer boshnjak. Ndërsa Hysen Limani në rrëfimin e vet thotë se në mëngjes kanë ndezur zjarrin, ata kishin pa tymin nga dilte dhe menjëherë i kishin rrethuar njësitet partizane. U bë një luftë e rreptë, në të cilën u vranë Shahin Aliu i Mëhallës së Alimetëve dhe Shukri Mehmeti i Mëhallës së Dodajve, ndërsa Nijazi Kamberi-Aga Azi iku nga rrebeshi i madh i plumbave të luftës, por duke e mbështetur shokët deri në fund, të tjerëtr u zunë robë , pasi iu harxhua municioni i luftës. Atëherë, thotë Hysen Limani e valvitëm një leckë të bardhë në shenjë dorëzimi. Të gjithëve na lidhën, nëpërmes të qytetit na dërguan në stacionin e policisë, na dërmuan së rrahuri, rrëfen Hysen Limani. Hysen Limani si i burgosur punoi 9 muajë në ndërtimin e aeroportit të Shkupit.

Referencat

1.Bisedë me Bejtullah Osmanin të Mëhallës së Alimetëve, më 7 nëntor 2012
2.Edmond Kamberi i Mëhallës së Hamishëve i shënoi rrëfimet e Hysen Limanit-Totorllozi.
3.Arkivi i Serbisë dhe Historik i Vranjës
Shkruan : Xhemaledin SALIHU

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button