Komuna e Preshevës publikon sukseset me projekte – njëri prej tyre është për përgatitje gullashi

Pas njoftimit të qeverisjes lokale se gjatë vitit 2026 ka aplikuar në projekte me vlerë miliona dinarë, një nga projektet e aprovuara që ka tërhequr vëmendjen është edhe “Miholjski susreti sela”, me vlerë prej 500 mijë dinarësh.
Sipas të dhënave të publikuara në programin zyrtar të manifestimit, aktivitetet në Preshevë, përkatësisht në Mamincë, më 6 shtator 2026, do të përfshijnë përgatitjen e gullashit, prezantimin e ushqimeve tradicionale dhe produkteve vendore në stenda, si dhe gara sportive.
Ndërsa shumë qytetarë presin investime konkrete në infrastrukturë, ekonomi dhe shërbime publike, një pjesë e buxhetit të siguruar përmes këtij projekti do të shkojë edhe për organizimin e një aktiviteti ku pika kryesore duket të jetë… përgatitja e gullashit.
Kështu, në listën e projekteve të aprovuara të Komunës së Preshevës për vitin 2026, krahas projekteve për siguri në komunikacion dhe programe vullnetarizmi, vend të veçantë ka zënë edhe një manifestim ku qytetarët do të mund të shijojnë kuzhinën tradicionale dhe garat popullore.
Mbetet të shihet nëse pas përfundimit të manifestimit do të kemi vetëm një kazan të mbushur me gullash, apo edhe ndonjë rezultat më të prekshëm për zhvillimin e fshatrave të komunës.

