Mrekullia dhe tragjedia e Preshevës!

Opinion nga Lolita (Lol Albania)
Presheva më duket si ai fëmija që fati e la pa përqafimin e nënës biologjike(Shqipërisë) dhe e vendosi nën kujdesin e njerkës(Serbisë), që nuk e ka dashur kurrë dhe që herë pas here ka qenë e ashpër me të edhe pse nuk ka bërë asnjë faj. E megjithatë, si një fëmijë që përpiqet t’i dëshmojë vazhdimisht se sa vlen, Presheva ka vazhduar të japë më të mirën e vet.
Është hera e dytë që shkoj në Preshevë. Herën e parë kisha një lloj sikleti se po shkoja në Serbi dhe mendoja se aty do ta ndieja veten të huaj. Por sapo hyn në Preshevë, gjithçka të duket e njohur dhe familjare. Çdo gjë është shqiptare: njerëzit, gjuha, humori, mikpritja, mënyra si zihen për të paguar kafet, madje edhe gurët flasin shqip. Mbase kjo është në të njëjtën kohë mrekullia dhe tragjedia e Preshevës: një vend që është përpjekur t’i ruajë shqiptarët brenda vetes, ndërsa vetë ka mbetur kaq gjatë jashtë nesh.
Mjafton të të dëgjojnë duke folur në dialekt të Shqipërisë dhe menjëherë të japin një lloj dashurie që nuk kërkon as shpjegim, as arsye. Nga lloji i vëmendjes që të japin, të duket vetja sikur po këndon me zërin e Mentor Xhemalit: “Për ty Atdhe”.
Preshevarët të ftojnë të flesh në shtëpitë e tyre pa të njohur, vetëm për faktin që vjen nga Shqipëria, por duke e ditur që përbëj rrezik për burrat në përgjithësi dhe veçanërisht për ata andej kufirit, vendosa të qëndroj në hotel.
Por përtej mikpritjes dhe folklorizmave të mia, ata janë një shoqëri që ka investuar shumë te vetja. Shumica janë të shkolluar dhe ata që nuk kanë ndjekur universitetin kanë një zanat. Kanë gjetur një mënyrë për të mos qenë të varur nga askush, për të punuar dhe për të qëndruar me dinjitet në vendin e tyre.
Përveç sherrit si çdo shqiptar “kush do paguajë kafet”, kanë edhe disa gatime tradicionale si pite e përpeq, që ngjajnë shumë me lakrorin e Korçës.
Por Presheva ka edhe plagët e veta…
Flamuri shqiptar nuk mund të valëvitet lirshëm. Në Preshevë mund ta gjesh vetëm mbi varrin e një dëshmori. Nga rruga mund të dallosh flamurin mbi varrin e Bardhyl Osmanit, komandantit “Delta” të UÇPMB-së, vrasja e të cilit mbetet një plagë e gjallë në kujtesën e shumë preshevarëve.
Unë nuk dua që Preshevën ta shikoni si një histor konflikti të largët që lexohet në libra. Është mire t’i njihni nëpërmjet zemrës ato histori familjesh, dëshmorësh, shtëpish dhe njerëzish që kanë jetuar me pasigurinë e të qenit shqiptar në një shtet që nuk e ka respektuar identitetin e tyre. Megjithatë të bën përshtypje që nuk ta shprehin as mllefin ndaj Serbisë dhe as zhgënjim ndaj indiferencës së Shqipërisë, sikur nuk duan të të ngarkojnë me brengat e tyre.
Preshevarët janë myslimanë dhe ndoshta janë myslimanët më intelektualë dhe më tolerantë. Disa breza hoxhallarësh janë arsimuar në qendra të rëndësishme të botës islame, përfshirë Kajron, Damaskun dhe Jordaninë, duke sjellë me vete jo vetëm dije fetare, por edhe gjuhë e horizonte të tjera kulturore. Besimi, kur shoqërohet me dije, mund të bëhet burim qytetarie dhe kjo duket në mënyrën e tyre të sjelljes.
Por, si shumë vende shqiptare, Presheva po përballet me largimin masiv të të rinjve. Është e trishtueshme të shohësh shtëpi të reja, të bukura, me kopshte të sistemuara, pemë të mbjella dhe oborre të mirëmbajtura, por pa njerëz dhe me grila të ulura. Shtëpi që duken sikur presin njerëzit e tyre. Një pjesë e madhe e të rinjve kanë ikur dhe pas tyre ka mbetur një shtëpi që është më e madhe nga sa duhet, por më bosh nga sa duhet të ishte.
Ndoshta Presheva nuk ka nevojë për fjalime patriotike politikanësh, por ka nevojë të mos harrohet.
Prandaj, të paktën një herë në jetë duhet të shkoni në Preshevë. Jo për patriotizëm, jo për të bërë foto me shqiponjën me duar, por për të parë nga afër një copëz të asaj që historia e ka shkëputur nga trungu shqiptar, pa mundur ta shkëpusë nga identiteti i saj.
Shkoni për njerëzit, për gjuhën e pastër shqipe, për mikpritjen, për ato shtëpi të bukura me dritaret mbyllur, për historinë që ende jeton mes tyre.
Dhe, me shumë gjasë, do të doni të ktheheni përsëri…
