Shpërblimi i djersës së ballit
Ai ishte njeri i thjeshtë dhe merrej me kullotjen e deleve të një pasaniku. Për punën që bënte, paguhej pesë dërhemë. Një ditë, padroni i tij i thotë se ka vendosur ti shesë delet dhe se do të niset për udhë, prandaj dhe shërbimit të tij i kishte ardhur fundi. Për tu ndarë të kënaqur, padroni i zgjati një shumë të madhe parash, por bariu i refuzoi dhe kërkoi vetëm hakun e tij, atë shumë për të cilën kishin rënë dakord dhe që kishte marrë çdo ditë.
Mes habisë që shkaktoi kjo tek padroni, bariu i mori pesë dërhemët dhe u nis rrugës për në shtëpi. Për ditë me radhë kërkoi punë, por nuk gjeti. Me gjithë nevojën, pesë dërhemët e fundit që kishte marrë, nuk i prishi, por i ruajti për ndonjë ditë të vështirë.
Në fshat, jetonte një tregtar, të cilit njerëzit i jepnin të holla, për tu blerë mallra. Ai udhëtonte me karvanë tregtare dhe në qytetet ku kalonte, shiste e blinte mallra të ndryshme. Ishte koha që tregtari do të nisej për tregti dhe bariu vendosi t’ia japë pesë dërhemët e tij, me shpresë se do i ecte tregtia. Pasi u larguan njerëzit e tjerë, iu afrua bariu dhe i zgjati pesë dërhemët e tij. Tregtari i pa dhe qeshi, duke i thënë:”E çfarë dashke të bëj me pesë dërhemë?”
Bariu i tha:”Merri! Çfarëdo malli që të blesh me pesë dërhemë, ma sill!”
Tregtari u habit dhe i tha:”More djalë, unë shkoj në qytete dhe bëj tregti me tregtarë të mëdhenj, të cilët nuk merren me mallra që kushtojnë pesë dërhemë. Ata shesin e blejnë gjëra të shtrenjta, more vesh?”
Megjithatë, bariu nuk hiqte dorë nga e tija. Duke parë insistimin e tij, tregtari i mori pesë dërhemët. Gjatë rrugëtimit të tij të gjatë, ai bleu e shiti shumë gjëra. Njerëzve që u kishte marrë paratë, u bleu gjërat që i kishin kërkuar, sipas nevojës. Kur po bënte llogaritë, i dolën pesë dërhemët e bariut, të cilat nuk i kishte shpenzuar akoma. E çfarë mund të blinte me pesë dërhemë? Aty pranë, i zunë sytë një mace të shëndoshë, të cilën një fshatar donte ta shesë, por që askush nuk i afrohej. Nuk u mat dy herë, por i zgjati pesë dërhemët fshatarit dhe i mori macen bullafiqe. Gjatë rrugës së kthimit, karvani u ndal në një fshat. Banorët e fshatit panë macen në karvan dhe kërkuan të zotin e saj për t’ia blerë. Tregtari u çudit nga insistimi i tyre për të blerë atë mace bullafiqe. Fshatarët i thanë se u duhet për minjtë të cilët ishin përhapur si epidemi, duke u shkatërruar drithërat dhe prodhimet e tyre bujqësore. Kishte kohë që ata kërkonin një mace për këtë qëllim dhe u treguan të gatshëm ta peshojnë me flori macen bullafiqe. Pasi tregtari u sigurua se ajo që kërkonin nuk kishte të bëjë me ndonjë shaka, ua shiti macen me peshën e saj flori.
Kur u kthye në fshatin e tij, njerëzit e rrethuan nga të katër anët, duke i kërkuar mallrat e porositura. Kur e pa bariun, tregtari e kapi për krahu, u veçua me të dhe e pyeti:”Pash Zotin, më thuaj si i ke fituar ato pesë dërhemë!”
Bariu u çudit nga kjo kërkesë dhe i tregoi historinë e tij me padronin e vet. Atëherë, tregtari e puthi në ballë dhe me lot në sy i tha:”Zoti ti kompensoi djersën e ballit me peshën flori të një maceje.” Mandej i dha sasinë e floririt të maces.