Receta ‘magjike’/ Si këto qofte nuk keni ngrënë ndonjëherë
Mishi i grirë nuk është përbërësi i vetëm kryesor i qofteve! Të paktën këtë mund të keni menduar përpara se të provoni qoftet me perime apo me jeshillëqe!
Sot do t’ju tregojmë recetën ku patatet dhe bizelet janë ingredientët kryesore! Provojini
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA:
3 patate të mëdha
300 g bizele kokërr, të freskëta ose të ngrira
1 qepë e kuqe mesatare
80 g djathë kaçkavall i grirë
1 vezë e madhe
kripë, piper, arrë moskat, sipas nevojës
vaj ulliri
bukë e thekur e grirë, sipas nevojës
PËRGATITJA:
1.Qërojmë patatet dhe i presim në kubikë të vegjël. Qepën e presim hollë.
2.Vëmë një tigan me pak vaj ulliri në zjarr dhe skuqim qepën, patatet dhe bizelet. I spërkasim me pak kripë e piper dhe i lëmë në zjarr duke shtuar herë pas here pak ujë, derisa të shohim që patatet dhe bizelet janë zbutur. Më pas, i grijmë në mikser të gjitha dhe i lëmë mënjanë të ftohen.
3.Në një tas, përziejmë perimet e grira, vezën, pak majdanoz, arrë moskat, djathin e grirë dhe pak bukë të thekur të grirë, derisa të shohim që kemi një brume që nuk ngjit në duar. Vëmë një tigan me pak vaj ulliri në zjarr. Me duar të lagura marrim pak nga brumi dhe i japim formë të sheshtë. I skuqim në tigan me zjarr të ulët nga të dyja anët.