Masa të rrepta në Britani: Vetëm dy orë në ditë për TikTok dhe Instagram?

Qeveria britanike planifikon të vendosë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, në përpjekje për të ulur, siç thonë ata, kohën e tepërt para ekranit.

Ministri i Teknologjisë, Peter Kyle, tha për Sky News se është i shqetësuar për sa kohë kalojnë fëmijët në aplikacione, por edhe për përmbajtjen me të cilën përballen çdo ditë.

Pas bisedave me ish- dhe aktualë punonjës të kompanive teknologjike, po shqyrtohet mundësia e vendosjes së një kufizimi prej dy orësh për secilën rrjet sociale. Po ashtu, po mendohet ndalimi i përdorimit gjatë natës dhe gjatë orarit shkollor. Plani është që, pasi fëmijët të arrijnë limitin ditor, t’u bllokohet plotësisht hyrja në aplikacione si TikTok apo Snapchat, jo thjesht të paralajmërohen se po kalojnë shumë kohë duke lëvizur ekranin.

Prindërit ndihen të pafuqishëm

“Së shpejti do të publikojmë më shumë detaje, por jemi duke shqyrtuar me kujdes kohën që fëmijët kalojnë në aplikacione,” tha Kyle. “Shumë prindër ndihen të pafuqishëm dhe nuk e dinë si t’u sigurojnë fëmijëve një ambient digjital më të shëndetshëm. Disa fëmijë vetë ndiejnë se janë të varur nga rrjetet sociale dhe kanë nevojë për ndihmë për të rifituar kontrollin mbi jetën e tyre online.”

Ministri theksoi se parimet e një fëmijërie të shëndetshme në jetën reale duhet të aplikohen edhe në hapësirën digjitale. “Flitet shumë për një fëmijëri të shëndetshme jashtë rrjeteve, por e njëjta gjë vlen edhe online. Gjumi është kyç, ashtu si edhe aftësia për t’u përqendruar në mësim,” tha ai, duke shtuar se dëshiron të parandalojë që fëmijët të konsumojnë me orë të tëra përmbajtje që, ndonëse nuk është e paligjshme, “nuk është as e shëndetshme.”

Çfarë thonë adoleshentët?

Deklaratat e ministrit vijnë pas një studimi të realizuar me 1,000 fëmijë nga Darlington, shumica të moshës 14 dhe 15 vjeç. Rezultatet tregojnë se 40% e fëmijëve kalojnë të paktën gjashtë orë në ditë online, ndërsa një në pesë deri në tetë orë. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve nën 16 vjeç (55%) kanë parë përmbajtje të papërshtatshme seksuale ose të dhunshme, shpesh pa e kërkuar vetë. Tre të katërtat janë kontaktuar nga të huaj.

Pesëmbëdhjetëvjeçari Jacob mendon se mungesa e kufizimeve është problemi më i madh. “Njerëzit ngjisin sytë pas telefonit dhe kalojnë orë të tëra në to, në vend që të jetojnë jetën reale,” tha ai. Bashkëmoshatari i tij, Matthew, shton: “Të gjithë janë gjithë kohën online dhe askush nuk kontrollon se çfarë publikohet apo shpërndahet. Kjo ndikon vërtet në jetët tona sepse nuk ndalet kurrë. Sapo zgjohem, kontrolloj telefonin, dhe vazhdoj kështu deri në gjumë.”

Disa adoleshentë pranuan se kalojnë deri në 16 orë në ditë në rrjete sociale.

Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Charlotte thekson se kontrolli prindëror nuk funksionon: “Nëse prindërit të kufizojnë kohën në Instagram, kalon në TikTok, Pinterest, Facebook ose Snapchat. Ka shumë opsione dhe në fund e kalon të gjithë mbrëmjen në rrjete sociale. Mendoj se na nevojiten masa më të rrepta kontrolli.”

Si do të funksionojë ndalimi?

Teknologjia për zbatimin e këtyre kufizimeve tashmë ekziston. Në Mbretërinë e Bashkuar së shpejti do të hyjnë në fuqi rregulla që detyrojnë faqet pornografike të bëjnë verifikime të rrepta të moshës së përdoruesve, përfshirë kontrollin me kartë krediti, dokumente personale ose vlerësim të moshës përmes inteligjencës artificiale. E njëjta teknologji mund të përdoret për të kufizuar qasjen në rrjete sociale gjatë natës ose në orar shkollor.

Megjithatë, ka sfida të shumta. Kryesoret janë shqetësimet për privatësinë dhe efektivitetin. Kompanitë teknologjike do të duhet të mbledhin më shumë të dhëna personale, dhe adoleshentët mund të mësojnë shpejt si të anashkalojnë sistemin. Por ekspertët thonë se AI po mëson shpejt dhe së shpejti do të mund të dallojë me saktësi fëmijët nga të rriturit, madje edhe brenda grupmoshës nën 18 vjeç.

Qëllimi: fëmijëri digjitale më e shëndetshme

Ministri Kyle është duke zbatuar Ligjin për Sigurinë Online të vitit 2023, dhe që nga e premtja e ardhshme, të gjitha platformat janë të detyruara të rrisin mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë verifikimin e detyrueshëm të moshës në faqet pornografike.

“Nuk dua që shqetësimi ynë i vetëm të jetë që fëmijët të mos bëhen viktima të krimeve. Qëllimi duhet të jetë shumë më i madh – të krijojmë një përvojë të shëndetshme online për çdo fëmijë,” tha Kyle.

Kompanitë e mëdha teknologjike – TikTok, Pinterest, Meta dhe Snapchat – nuk kanë komentuar ende zyrtarisht për njoftimet. Aktualisht, ato ofrojnë versione të llogarive për nën 16-vjeçarë me mbikëqyrje prindërore. TikTok, për shembull, ka një kufizim automatik prej 60 minutash në ditë për përdoruesit nën 18 vjeç, i cili mund të zgjatet vetëm përmes një fjalëkalimi.

Back to top button