Shqiprim Arifi me mesazh reflektues nga Haga: “Liderët e munguar po lënë boshllëk në stabilitetin e Kosovës”

Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka publikuar sot një reagim të fuqishëm nga Haga, ku ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë dhe mungesën e liderëve që aktualisht po përballen me procese gjyqësore.
Në një postim të bërë në Facebook, Arifi thekson se diskutimet për rikthimin e figurave të rëndësishme politike në jetën publike nuk janë nostalgji, por reflektim mbi udhëheqjen e sotme dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.
Sipas tij, përvoja dhe pesha politike e liderëve që sot ndodhen në Hagë do të sillnin më shumë ekuilibër dhe stabilitet në skenën politike. Ai thekson se vendimet e tyre në momentet kyçe të historisë kanë dhënë gravitet politik, i cili sot, sipas tij, mungon në themelet e shtetit.
“Kosova po përjeton një moment ku ndarja mes përvojës dhe pushtetit, mes përgjegjësisë dhe idealizmit, është bërë më e qartë se kurrë. Dhe pikërisht në këtë zbrazëti shihet se sa shumë rëndonte prania e atyre figurave në stabilitetin e shtetit,” shkruan Arifi.
Ai shton se pavarësisht sfidave aktuale, besimi për të ardhmen mbetet i fortë:
**“Ne besojmë fuqishëm se dielli do të lind përsëri.”**
Postimi i Arifit shoqërohet me një fotografi para objektit të paraburgimit në Hagë, si dhe me imazhe të figurave të njohura politike nga Kosova, të cilët po përballen me drejtësinë ndërkombëtare.
Ky reagim vjen në një kohë kur debati për situatën politike dhe mungesën e stabilitetit në institucionet e Kosovës është intensifikuar, duke rikthyer në qendër të vëmendjes rolin historik të liderëve të luftës dhe ndikimin e tyre në jetën politike të vendit.
