Rikthehen reshjet e shiut, erërat e forta dhe bora në zonat malore

Pas disa ditëve me diell dhe temperatura relativisht të buta, edhe komuna e Preshevës po përballet me një ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike. Masat ajrore të ftohta që kanë kapluar rajonin kanë sjellë rënie të dukshme të temperaturave, vranësira të dendura dhe reshje shiu në të gjithë territorin e Preshevës.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e shiut në Luginë do të shoqërohen me erëra të forta e të ftohta verilindore. Ndërkohë, në zonat më të larta malore të komunës sonë, si në Malin e Zi të Preshevës e fshatrat malore, reshjet e shiut pritet të shndërrohen në borë.
Ndryshimi i shpejtë i motit ka sjellë rikthimin e plotë të temperaturave tipike vjeshtore, ndërsa ditët në vijim do të mbeten të ftohta.
Ekspertët e komunikacionit dhe autoritetet apelojnë te të gjithë ngasësit e automjeteve në Preshevë për kujdes të shtuar gjatë vozitjes, veçanërisht në rrugët që dërgojnë drejt zonave malore ku lagshtia dhe ulja e dukshmërisë mund të vështirësojnë qarkullimin.
