Merr fund kriza politike, Justina Shiroka Pula zgjidhet Presidente me 81 vota

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur me 81 vota Justina Shiroka Pulën Presidente të re të vendit, pas një seance të jashtëzakonshme që zgjati deri pak pas mesnate. Votimi erdhi pas një marrëveshjeje të minutave të fundit mes lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, për ndryshimin e ligjit të Speciales, i cili u miratua me 88 vota.
Mes tensioneve nga protestat e vazhdueshme, të përshkallëzuara me kërkesën për votimin e plotë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen, dhe nën presionin e afatit të fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kuvendi i Kosovës i dha fund një prej ngërçeve më të gjata politike të viteve të fundit. Pas rreth dy vitesh krizë politike dhe përplasjesh mes forcave kryesore, deputetët zgjodhën Justina Shiroka-Pulën Presidente të Republikës së Kosovës. Justina Shiroka Pula mori 81 vota, kundrejt një vote që ka marrë Eliza Hoxha.
‘Betohem, do i kryej me përgjegjësi detyrat e mia në shërbim të Republikës së Kosovës’, tha Pula gjatë betimit në Parlament.
Më pas gjatë fjalës para deputetëve, Pula tha se do i shërbejë interesit qytetar dhe do të punojë për unitetin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.
“E pranoj me nder e përgjegjësi detyrën e Presidentes së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Do të punoj për unitet dhe forcimin e institucioneve tona. Kosova do të duhet të ecë përpara e sigurt me orientim të qartë euroatlantik. Do mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, tha mes të tjerash Pula.
Justina Shiroka-Pula është Presidentje e tretë grua e Kosovës, pas Vjosa Osmanit dhe Atifete Jahjagës. Kosova deri më tani ka shtatë presidentë në historinë e saj.
