Dënohet Meta me gjobë rekord prej 567 milionë dollarësh për dëmtimin e shëndetit mendor të fëmijëve

Një gjykatë në shtetin e Nju Meksikos në SHBA i ka shqiptuar një dënim masiv prej 567 milionë dollarësh kompanisë Meta (pronare e Facebook dhe Instagram), pasi e shpalli përgjegjëse për dëmtimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe dështimin për mbrojtjen e tyre nga shfrytëzimi në rrjetet sociale.

Sipas vendimit të gjykatësit Bryan Biedscheid, Meta ka krijuar një “shqetësim publik” duke projektuar funksione që nxisin varësinë te të rinjtë dhe duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të ndryshme në internet.

420 milionë dollarë do të destinohen drejtpërdrejt për shërbimet e trajtimit mendor për të rinjtë.
Pjesa tjetër e mjeteve do të përdoret për fushatë ndërgjegjësimi, programe parandaluese, kontrolle mjekësore dhe masa të tjera mbrojtëse gjatë pesë viteve të ardhshme.

Kjo masë vjen pas një vendimi të mëparshëm të marrë në mars, ku një juri e dënoi kompaninë me 375 milionë dollarë për mashtrim lidhur me sigurinë e platformave të saj për përdoruesit e rinj. Me këtë vendim të ri, vlera totale e dënimeve ndaj Metës arrin në pothuajse 1 miliard dollarë.

Përveç gjobës financiare, gjykata ka urdhëruar Metën të zbatojë një sërë masash të reja sigurie:

– Vendosjen e kufizimeve mujore në kohëzgjatjen e përdorimit të Instagram-it dhe Facebook-ut nga adoleshentët.
– Kufizimin e njoftimeve (notifications) gjatë orëve të vona.
– Kontrolle më të rrepta mbi kontaktet midis të rriturve dhe të minorëve.
– Mbrojtje shtesë te zgjidhjet e inteligjencës artificiale (AI chatbots).

Kompania Meta ka njoftuar se nuk pajtohet me vendimin dhe do të paraqesë ankesë në gjykatë, duke pretenduar se vazhdimisht investon në sigurinë e përdoruesve të rinj.

Back to top button