Presheva dhe Bujanoci ndër komunat më të varfra në Serbi

Të dhënat më të fundit të Entit Republikan të Statistikave për muajin mars 2025 konfirmojnë realitetin e zymtë ekonomik në jug të Serbisë, ku komunat shqiptare të Preshevës dhe Bujanocit vazhdojnë të renditen ndër më të varfrat në vend.
Presheva është këtë muaj ndër tre komunat me pagat më të ulëta në Serbi, me një pagë mesatare neto prej vetëm 72.253 dinarësh. Me këtë shifër, Presheva është menjëherë pas komunës më të varfër, Bojnikut, dhe në nivel të barabartë me Vranjskën Banjë. Kjo pozitë tregon qartë izolimin ekonomik dhe mungesën e investimeve serioze në këtë komunë me shumicë shqiptare.
As Bujanoci nuk qëndron shumë më mirë. Paga mesatare në këtë komunë për muajin mars është raportuar 74.148 dinarë, çka e vendos atë po ashtu në fund të listës së komunave më të zhvilluara ekonomikisht në Serbi.
Në krahasim, paga mesatare në nivel shtetëror është 108.013 dinarë, ndërsa në rajonin e Beogradit kjo shifër kap 137.749 dinarë, pothuajse dyfishin e asaj që fitohet në Preshevë e Bujanoc.
Këto të dhëna vetëm sa theksojnë hendekun e madh ekonomik midis veriut dhe jugut të vendit, por edhe diskriminimin ekonomik të vazhdueshëm ndaj komunave shqiptare. Mungesa e zhvillimit industrial, papunësia e lartë dhe investimet minimale nga niveli qendror vazhdojnë të mbajnë Preshevën dhe Bujanocin në gjendje të rënduar sociale dhe ekonomike.