Kosova, zyrtarisht në Parlamentin Serb

Diplomatë të Republikës së Kosovës për herë të parë organizojnë takimim zyrtarë të protokoluar nga shteti Serb, në Parlamentin Republikan në Beograd.
Pas një viti e gjysmë prej që është themeluar zyra ndërlidhëse diplomatike e Republikës së Kosovës në Beograd, për herë të parë diplomatë të këtij misioni kanë arritur të fillojnë takimet zyrtare me institucionet serbe.
Takimi i parë zyrtar i protokoluar nga shteti serb, u organizua të mërkurën, në parlamentin e Republikës së Serbisë, me deputetë të këtij vendi.
Zëvendës shefi i Zyrës së Kosovës në Beograd, Amir Haziri, në ambientet e Parlamentit Republikan ka takuar dy deputetët e këtij vendi të komunitetit shqiptarë, nga Lugina e Preshevës, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin.
“Eshtë me rëndësi se ka ndodhur ky takim dhe kemi biseduar për temat aktuale të interesit të përbashkët. Eshtë theksuar nevoja e komunikimit më dinamik dhe intensifikimit të takimeve të këtij lloji edhe në të ardhmën”, ka deklaruar Riza Halimi, deputet në parlamentin e Serbisë, transmeton RTK.
Ky takim vjen pas disa aktiviteteve dhe organizimeve që i ka bërë zyra e kosovës në Beograd, me komunitetin shqiptarë nga Lugina, si dhe takimeve tjera të ndërsjellta me komunitetin e biznesit në Serbi dhe përfaqësuesve të biznesit Kosovar.
Megjithëkëtë, takimi i të mërkurës i diplomatëve kosovarë me Parlamentin Republikan të Serbisë shënohet si i pari zyrtarë i këtij misioni, pas themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Serbisë.

Leave a Reply

Back to top button