Arrestohet Sërbi, tentoi të korruptojë Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të Novi Pazarit, shofer i kamionit “Mercedes Actors” me targa NP 001 -LR, në rrugën magjistrale Pejë-Prishtinë, afër terminalit doganor në Pejë.
Policia e Kosovës njofton se gjatë një kontrolli, ka ndaluar të dyshuarin, i cili, duke mos dashur që t’i shqiptohet gjoba për mos posedim të certifikatës mjekësore, zyrtarëve policorë iu ka ofruar ryshfet në vlerë prej 50 euro.
“Patrulla e trafikut e ka arrestuar të dyshimtin, shtetas të Serbisë, Fikret A. (1980) nga Novi Pazari, me ç’rast janë informuar hetuesit e këtij njësiti të cilët janë përgjigjur në rast, kanë informuar Prokurorin e Shtetit në Pejë dhe intervistuar të dyshimtin në prezencë të avokatit”, njofton Policia.
Pas intervistimit, me urdhër të PPK-ës në Pejë, është liruar i dyshimti, por është urdhëruar që të paraqitet në Gjykatën themelore në Pejë më datë 03.03.2014 në ora 11:00 për të vazhduar me procedurë të mëtejme. Rasti është dërguar në PPK me procedurë të shpejtë.