“Presheva ka tifozët më të zjarrtë” – FC Jetoni rrëfen suksesin dhe emocionet e fitores

Turniri tradicional i futbollit në Preshevë ka përfunduar me një tjetër sukses për ekipin nga Kosova, FC Jetoni Futsall, të cilët për të tretën herë radhazi kurorëzohen si kampionë. Ky triumf nuk ishte vetëm sportiv, por edhe emocional – sepse ndodhi në një qytet që ata e konsiderojnë të afërt, përballë një numri të madh tifozësh preshevarë që i mbështetën fuqishëm gjatë gjithë garës.
Në një intervistë ekskluzive për Presheva.AL, drejtuesi i ekipit ndan emocionet e fitores, sfidat gjatë turnirit, yjet e skuadrës dhe planet për vitin e ardhshëm. Me një përbërje ku përzihen emra të njohur të futbollit dhe futsallit, FC Jetoni dëshmon edhe një herë se është një forcë dominuese në këtë turne. Lexoni më poshtë intervistën e plotë:
Si ndiheni pas kësaj fitoreje të tretë radhazi në turne?
Është një ndjenjë e veçantë kur fiton trofe, sidomos kur e fiton për të tretën herë radhazi. Kjo tregon se qëllimi ynë, përveç respektimit dhe nderimit të turnirit, është edhe fitorja e tij.
Cilat ishin pritjet tuaja para turneut?
Në bazë të konsolidimit të ekipit, pritjet e mia ishin të bëheshim kampionë – dhe ne i arritëm objektivat. Lojtarët tanë dhanë maksimumin, dhe i falënderoj nga zemra për shpirtin e tyre luftarak në çdo ndeshje.
Çfarë na tregoni për përbërjen e ekipit këtë vit?
**Brenda ekipit kemi emra të mëdhenj të futbollit dhe futsallit. Dy prej tyre, Eduart Salihu dhe Algres Aliu, kanë filluar karrierën në klubin tim të futsallit – FC Jetoni Futsall – që garon në Ligën e Parë të Kosovës. Ata, dhe të tjerët, po dëshmojnë kualitet të jashtëzakonshëm. Vendosa të ftoj edhe lojtarë nga futbolli i madh, sepse në gjysmëfinale e finale vendosin edhe përvojat dhe detajet e vogla.
Cila ishte ndeshja më e vështirë?
Çdo ndeshje ishte e vështirë, por veçoj gjysmëfinalen kundër FC Lindorët. Ata ishin vendas dhe kishin lojtarë cilësorë. Kemi krijuar një rivalitet sportiv me ta, pasi edhe vitet e kaluara i kemi mposhtur në finale. Kësaj here ishte më e vështirë, por ia dolëm me sukses.
A veçoni ndonjë lojtar për performancën e tij?
I gjithë ekipi ishte në nivel të lartë, por Elbasan Thaqi ishte më i dalluar në momentet kyçe të disa ndeshjeve.
Çfarë do të thotë kjo fitore për ju dhe për klubin?
Kjo është hera e tretë që e fitojmë këtë turne. Është një ndjenjë e veçantë që tregon se jemi ekip cilësor. Kjo u arrit falë ndihmës së sponsorit tonë, Norcaffe, që u përkujdes për pajisjet sportive dhe shpenzimet e udhëtimit.
Si e vlerësoni përkrahjen e tifozëve?
I falënderojmë tifozët preshevarë për përkrahjen – sidomos në finale, ku ishin në numër të madh. Ata janë një ndër arsyet pse marrim pjesë në këtë turne. Ju premtoj që vitin tjetër do të sjellim edhe më shumë yje, vetëm që shikuesit të kënaqen.
Çfarë mendoni për turneun dhe organizimin?
Presheva është qytet i bukur dhe vijmë me shumë dëshirë. Atmosfera në këtë turne është e jashtëzakonshme. Turne të tilla ndikojnë shumë në zhvillimin e futbollit dhe të lojtarëve të rinj. Organizimi ishte në nivel të lartë – falënderim i veçantë për Besim Nasufin për organizimin e mirëfilltë.
A do të merrni pjesë vitin tjetër?
Gjithsesi, planifikojmë të marrim pjesë edhe vitin e ardhshëm me befasi të reja dhe një ekip edhe më të fortë. Nëse e kam fituar 3 herë, pse mos ta fitoj edhe 4 herë? Ne gjithmonë do t’i kënaqim tifozët preshevarë me lojëra të bukura – përkrahja e tyre është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk do t’i zhgënjejmë kurrë.
FC Jetoni Norcaffe dëshmon për të tretin vit me radhë se me përkushtim, cilësi dhe përkrahje të sinqertë, suksesi nuk mungon. Shihemi vitin tjetër në “Musa Musahu” – me energji të reja dhe synime të qarta!