Në Kosovë nga korriku me karton të gjelbërt?

Pagesat prej mbi 30 eurosh për një veture të një mërgimtari, që është dashur ta paguajnë çdo herë kur kanë ardhur në vendlindje, ka gjasa që nga korriku i këtij viti të mos vlejnë më. Nga ky muaj Kosova mund të marrë Kartonin e Gjelbër.
Rrahim Pacolli, i cili është emëruar pak ditë më parë nga kryeministri për të udhëhequr bisedimet rreth Kartonit të Gjelbër, ka thënë se po të kishte gatishmëri të drejtuesve të kompanive të sigurimit, sot vendi do ta kishte tashmë kartonin.
Sipas tij, ardhja e delegacionit të Byrosë Evropiane të Sigurimeve vitin e kaluar ka bindur përfundimisht këtë organ që t’i japë dritën e gjelbër Brukselit për arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila do të jetë paralel me marrëveshjen që Kosova pritet të arrijë me Serbinë në këtë fushë.
Ai ka thënë se fondi i kompensimit prej mbi tre milionë eurosh do të mbahet në një nga bankat në Evropë.
Javën që shkoi, guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, kishte thënë se institucionet po e shikojnë mundësinë e ndjekjes së shembullit të njëjtë sikurse ky institucion që mori Swift Kodin Bankar, pa qenë anëtar i OKB-së
E, drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, që prejse është themeluar, janë arsyetuar se mos anëtarësimi i Kosovës në OKB e bën të pashpresë marrjen e Kartonit të Gjelbër.
Por, në fakt, po del të mos jetë ashtu.
Me anëtarësimin e vendit në Kartonin e Gjelbër përfundojnë edhe pagesat që mërgimtarët kanë paguar me hyrjen e tyre në territorin e Kosovës, por edhe të qytetarëve të vendit që u është dashur të harxhojnë goxha shumë para kur kanë vendosur që me veturat e tyre të shkojnë në ndonjë vend të rajonit apo edhe të Evropës. /KosovaPress/