Nga 1 janari 2026 rritja e pagave në sektorin publik për 5,1 %

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se pagat në sektorin publik do të rriten për 5,1 për qind duke filluar nga 1 janari 2026, si pjesë e vazhdimit të politikës shtetërore për rritjen e të ardhurave në shërbimet publike.
Sipas tij, rritja kumulative e pagave gjatë këtij viti, së bashku me rritjen e janarit, do të arrijë 28,6 për qind në arsim, ndërsa në shëndetësi do të jetë 19,2 për qind. Ai theksoi se shteti do të “gjejë mundësi” për të rritur edhe pagat e policisë, njësive speciale, njësive të sigurisë së personaliteteve dhe objekteve, si dhe për ushtarakët e njësive të tankeve.
Vuçiq shtoi se pagat minimale janë rritur 37 për qind në 13 muajt e fundit, ndërsa pensionet do të rriten për 12,2 për qind nga 1 dhjetori, me pagesën e shumës së re që pritet rreth datës 6 janar. Në total, pensionet do të jenë rritur me 24,4 për qind brenda 12 muajve.
Ai theksoi se inflacioni në tetor ka rënë në 2,8 për qind, duke hyrë në kufijtë e planifikuar, dhe shtoi se viti 2026 do të jetë “vit i rritjes së jashtëzakonshme ekonomike”.
Duke folur për investitorët e huaj, presidenti kujtoi se kompanitë Geox dhe Benetton janë larguar nga Serbia, ndërsa shteti po përpiqet të mbajë kompaninë Draxlmaier. Po ashtu, kompania Kentaur është larguar nga Vranja për shkak të rritjes së pagës minimale, por një kompani bavareze për prodhimin e çizmeve ka punësuar 130–140 punëtorë.
Në fund, Vuçiq theksoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që deri në vitin 2030 Serbia të jetë ndër dy ekonomitë më të suksesshme në Evropë për nga ritmi i rritjes.
