Rikthimi i Ragmi Mustafes si opozitar modern dhe i pafajshëm
Para disa ditësh të gjithë ishim dëshmitarë të një konference për media të kryetarit të një partie tashmë opozitare, i cili në ekspozenë e tij një orëshe nuk dëshmoi asgjë tjetër pos që la të nënkuptohej se ende e vuan largimin nga karrika e pushtetit. Bile aq e qartë dukej vuajtja e tij për pushtet, saqë në disa raste ndokush që nuk do t’i njihte rrethanat politike në komunë të Preshevës, lirisht do të bëhej pishman pse nuk ishte pjesë e këtij “zhvillimi” ekonomik i cili për çudi Ragmi Mustafës i kishte mbetur në gjysmë të rrugës.
Në fillim të konferencës së tij, kryetari i PDSH – së nënvizoi se si dy grupime më të vogla se subjekti i tij ndërtuan një koalicion për qeverisjen e pushtetit lokal, madje duke e quajtur këtë edhe të pandershme dhe jodemokratike, me të cilën edhe më shumë na përforcoi bindjen se ish kryetari i komunës assesi s’mund të mësohet me statusin e opozitës. Bile duke përmendur paturpësinë e kryetares së Kuvendit Komunal sa i përket paligjshmërisë sipas tij në zgjedhjen e saj, harroi se paturpësisht po gënjente vet në sy të të gjithëve, sepse përgjigjen për ligjshmërinë ose jo të zgjedhjes së kryetares së Kuvendit tash e sa kohë e ka marrë nga Gjykata serbe, të cilën ai dhe subjekti i tij “nuk e njohin”, por që çuditërisht i ankohen.
Në vazhdim ish kryetari i komunës vazhdoi me tregimet në formë të përrallave, që jam i bindur se edhe vet çuditej me shifrat astronomike të eurove dhe dinarëve si donacione të cilat nëse do të ishte ai ende në pushtet do të ishin realizuar si investime në sektorë të ndryshëm.
Filloi me shumën e 700.000 eurove të cilat BE i kishte planifikuar si ndihmë komunës së Preshevës.
Vazhdoi me shumën e 25.000 eurove që organizata Help kishte planifikuar si donacion për përmirsimin e rrjetit energjetik në komunën e Preshevës.
Poashtu i përmendi edhe mjetet e një institucioni të cilin ai dhe subjekti i tij përgjatë tërë veprimtarisë së tyre politike të pas konfliktit e “injoruan” në deklarata, e në praktikë i merrnin me vehte në çdo përurim të ndonjë projekti…mjetet e Trupit Koordinues, të cilat sipas tij kapin vlerën e 50 milion dinarëve (mbi 400.000 euro).
Dhe në fund, për të na bërë të gjithëve pishman që nuk e zgjodhëm PDSH dhe Ragmi Mustafën si udhëheqës të komunës së Preshevës për një jetë më të begat socio – ekonomike me investime milionëshe, i përmendi edhe 500.000 euro që OKB kishte planifikuar si donacion për rrjetin e ujësjellësit. Pra, me pak fjalë, sipas logjikës së ish kryetarit të komunës, BE, HELP, Trupi Koordinues apo edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara me të kuptuar që PDSH dhe Ragmi Mustafa nuk do të jenë pjesë e qeverisjes së komunës së Preshevës, këto shuma prej mijëra eurove e dinarëve vendosën që mos t’i japin.
Sikur të përsëritej edhe një herë kjo konferencë, un jam i bindur se Ragmi Mustafa do t’i ngatërronte këto shifra.
Por në këtë konferencë protagonist nuk ishte vetëm kryetari i PDSH-së, por më shum bien në sy ata që do të duhej të ishin epiqendra e kësaj konference…gazetarët.
Si ka mundësi që njeriut që komunën e Preshevës e udhëhoqi për më tepër se një dekadë, gazetarët të kenë vetëm pyetje të stilit “kah të çon orientimi politik i dy subjekteve të cilat tash janë në pushtet” apo edhe të ndonjë pseudo qendre hulumtuese të stilit “a është Riza Halimi një satelit i Beogradit për përçarjen e spektrit politik shqiptarë në komunë të Preshevës, sepse në çdo palë zgjedhje është pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare”?!
Ndoshta këta “gazetarë” dhe “hulumtues” nesër do të mund të jenë pjesë e një reformimi eventual të PDSH-së, por së paku në opinion ishte dashur të linin përshtypjen se po shtronin pyetje të vërteta.
P.S. Ky shkrim është shprehje e mendimit personal, dhe cak i këtij shkrimi nuk janë gazetarët, opinionistët apo edhe qytetarët që me kritikat e tyre ishin kujdestar të lëshimeve të të gjitha pushteteve pa dallim!