Të jesh grua, të jesh dy herë njeri
Jo pak kanë shkruar mbi njeriun dhe peshën e ekzistencës në harqe të ndryshme kohore e periudha të ndryshme historike, mbi çka do të thotë të jesh njeri; të hash, të pish e të flesh me vetëdijen se të nesërmen do të zgjohesh prapë njeri, në të njëjtin kontekst, të njëjtin sistem, të njëjtin vend, me të njëjtën peshë mbi supe, me të njejtën dhimbje në krahëror, me të njëjtën dilemë; a do t’ia dalësh dot në botë.
Dhe kjo, jo si formë e një depresioni ekzistencialist, por si ndjenjë e mendim të cilit i qaset çdokush, të paktën një herë në jetë. Por, a ka dëshiruar realisht dikush të pasqyrojë e të përkthejë në fjalë dramën e jetës së qenies grua?
Të kërkoj për referenca nuk është qëllimi im, dhe as të akuzoj për të kundërtën, siç me të drejtë mund ta bëja, por po ngre një pyetje tjetër përmes të parës: A arrijnë shkronjat të mbërthejnë e përçojne dhimbjen njerëzore të një gruaje? A e nxënë në të vërtetë disa fletë të bardha këtë britmë tragjike të gruas, të qenies?
Të shkruash mbi gratë dhe për gratë, akoma sot, konsiderohet shpenzim energjie dhe kohe i kotë, nga ato shkrime që bëjnë vajzat e periferive, të mbyllura në kullën e tyre prej Hirusheje në fshat, mendim i cili përforcohet dhe më, nëse këto shkrime janë të sinqerta e paraqesin pa mëshirë mediokritetin e përditshmërisë së gruas. Në fakt, nuk janë shkrimet ato që janë mediokre, mediokër është realiteti në të cilin kontribuojnë pikërisht ata që ndajnë këtë mendim mbi këto shkrime.
Këtë e thotë pikërisht njëra nga ato, një nga vajzat e periferive të një qyteti të vogël verior, të një vendi të vogël ballkanas, e cila, më lejoni t’u them, ka zbuluar me kohë se turpi u përket atyre që ndërtojnë realitete të turpshme, e jo atyre që i dëshmojnë. Përkundrazi, të dëshmosh është, me shumë mundësi, detyrim moral ndaj vetes, botës, dhe atyre të cilëve do t’ua trashëgosh këtë botë.
Të jesh grua do të thotë të jesh dy herë njeri. Të vuash dy herë, të përpëlitesh në dhimbjen e ekzistencës dyfish, të ndjesh se mizoria e botës të ka ty në shënjestër të parën. Të jesh grua do të thotë të pozicionohesh përherë në mbrojtje, të kesh përherë dikë ndaj të cilit të rebelohesh, të durosh vetëdijen mbytëse se liria për ty është përjetësisht utopike. Të jesh grua do të thotë të të ngarkojnë me barrën e rëndë të dy dramave njëkohësisht; atë të qenit njeri, dhe atë të qenit grua.
Çdo gjë është ndryshe kur je grua. Çdo gjë e cila mund të të falë ndjesinë e të qenit e lumtur që je, që ekziston..si flladi i freskët i një mbasditeje vere, është aty për të të kujtuar historinë e një bote të uzurpuar nga të tjerët, e një bote që nuk të përket. Kur je grua, stinët shkojnë dhe vijnë për të shenjuar lumturinë e atyre që zotërojnë stinët, tokën, oqeanin, deri dhe jetët e njerëzve. Të jesh grua, dhe e vetëdijshme që je grua, do të thotë të mbytesh çdo ditë në vetëdijen tënde, të qash çdo ditë për lirinë.. lirinë që mirëpret dhe lëkund ëndërrimtare në prehrin e vet ata, të tjerët. Të jesh grua do të thotë të presesh dhe të përcjellësh nga kjo botë gra te cilave u falet një grimcë nga ajo… dhe u këshillohet të falenderojnë për të, e ti të vuash për çdo grimcë bote të dhuruar kaq poshtërsisht, të ndjesh nën lëkurë dhimbjen e heshtur të të ngjashmeve me ty.
Kur je grua, gjithcka që teë përket është e të tjerëve, vetë qenia jote nuk është e jotja, dhe padroni është dikush me të cilin duhet të bashkëjetosh. Të jesh grua do të thotë të shikosh shkëlqimin dhe rënien e dhjetëra teokracive, pa dëshmuar asnjëherë shkëlqimin tënd. Gjithçka është ndryshe kur je grua. Të jesh grua do të thotë të jesh dy herë njeri.
Nga: Brigela Demaj