E rrallë/Efthimiou: “Mësova shqipen në mënyrë që t’u mësoja greqishten”
Maria Efthimiou, një profesore e historisë në Universitetin e Athinës, – e vlerësuar me çmim nderi nga presidenca greke, si dhe e angazhuar në mësimdhënie në mjedise të shumta, – jep në pjesën e parë të kësaj videoje, një leksion për arvanitasit në Greqi.
Pa bërë dallimet e zakonshme terminologjike, shqiptar apo arvanitas, Efthimiou flet për rolin e tyre, gjuhën dhe faktin se, “shqipja asokohe në Greqi ishte gjuhë autoktone në disa rajone”.
Një moment interesant është hapja e shkollave greqisht për fëmijët arvanitas në ishullin e Specës, ku një prej mësuesve shkruan se “ndërkohë që po u mësoja greqisht, fëmijët po më mësonin shqip”.
“Mësova shqipen në mënyrë që t’u mësoja greqishten”, vijon më poshtë ky moment.
Leksioni i përcjellë ka edhe vlerën e vet komunikuese, pasi nuk shihet aty kompleksi i shumëpërfolur i shmangies, anashkalimit apo edhe gënjeshtrës që na kanë mësuar t’i mendojmë si kritere me të cilat operon historiografia fqinje.
Video është realizuar me titra në gjuhën angleze dhe shqip nga “Pantheon Studios”, në bashkëpunim me “Traboini Film” (Kolec Traboini).
Maria Efthimiou
Ka lindur në Larisa, në vitin 1955. Studioi në degën e Historisë në Departamentin e Historisë dhe Arkeologjisë të Universitetit të Athinës. Studimet pasuniversitare e grade shkencore i kreu në Universitetin e Sorbonës në Paris.
Që nga viti 1981, është anëtare e Fakultetit të Historisë dhe Arkeologjisë, Universiteti i Athinës, – ku jep leksione mbi historinë greke të periudhës osmane, dhe historinë botërore.
Zotëron shtatë gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, turqisht dhe shqip. Ka botuar tre libra, si dhe ka fituar një prej çmimeve më të rëndësishme për akademikët mësimdhënës universitarë.