Magazina

A duhet të bëjnë meshkujt punë shtëpie?

Eh, ç’të bëjmë që jetojmë në Shqipëri dhe na duhet të diskutojmë ende për tema të tilla. Ndërkohë që jashtë vendit janë të ndara detyrat në një familje, këtu tek ne as që diskutohet që burrat të bëjnë punë shtëpie. Unë mendoja se vetëm im atë ishte kështu, sikur vetëm ai nuk bënte na ndihmonte me punët e shtëpisë, derisa një ditë, kur po bëja muhabet me një fqinjën time, më pohoi të njëjtën gjë. “As babi im nuk bën punë shtëpie. Madje çdo gjë e do të shtruar në tavolinë e të përgatitur. I tha një herë mami ta ndihmonte për të fshirë oborrin nga gjethet e pemëve që kishin rënë, dhe e pa një herë që ç’të të them”, ma ktheu.

Aty kuptova që realiteti ka mbetur po ai. Ne kot flasim që teknologjia na ka ndryshuar botëkuptimin. Aspak. Teknologjia përveçse i ka tërbuar njerëzit dhe i ka ftohur ndjenjat, nuk ka bërë asgjë tjetër. Mashkulli shqiptar mbetet po ai i dekadave më parë kur nuk njiheshin smarfonët. Është po i njëjti. Mendon po njësoj dhe nëse i qëndrojmë besnikë konceptit të burrërisë shqiptare, të marrësh fshesën e të fshish, apo të gatuash, shkon diametralisht kundër asaj që një burrë i vërtetë duhet të bëjë.

Po dilja një ditë tjetër dhe s’po i besoja syve. Një komshi i imi po gatuante. Më foli nga ballkoni dhe e pyeta : “Po gatuan groshë?”, pasi ndihej aroma e tyre në rrugë.

“S’kam çfarë të bëj. Gruaja del vonë nga puna, kështu që gjellën e bëj unë përditë”, – ma ktheu.

E përshëndeta dhe në darkë ia them babit këtë histori. Në atë moment ishim duke ngrënë darkën dhe babi më thotë “Epo s’është burrë ai. Kot e mori gruan ai?”.

Si im atë, mendojnë shumë e shumë meshkuj të tjerë. Madje, me atë përgjigje më kujtoi kohën e shumë viteve më parë, kur është filmuar “14 vjeç dhëndër”. Të njëjtin problem kishte edhe Tana e shkretë. Donte të martonte Gjinon, se ishte lodhur përditë duke i bërë vetë punët e shtëpisë. Tani më thoni, ku qëndron ndryshimi këtu? Mendësia është e njëjtë me atë të shumë viteve më parë, pavarësisht se neve na pëlqen të mburremi pak dhe të mos e shprehim hapur që asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën e të menduarit. Kot përpiqemi të dukemi si të sofistikuar, sepse janë pikërisht këto shembujt e përditshëm që e tregojnë mungesën e ndryshimit.

Gruaja shqiptare mund të vijë e lodhur, mund të vijë me shumë orë punë mbi supe atë ditë, por gjithsesi në shtëpi e pret një punë e dytë, një punë pa pagesë, e cila mund të ishte shumë më e reduktuar nëse bashkëshorti i saj, ato orët e lira pas pune të mos i kalonte në kafenenë e lagjes, apo përpara televizorit. Dhe nuk ka asgjë të gabuar në këtë pjesë, madje në botë, sipas asaj që shumë femrave pohojnë, nuk ka gjë më të bukur se sa një mashkull që të bëjë punë shtëpie. Pyeteni një femër, se sa romantike i duket sikur një mashkull t’i përgatisë asaj mëngjesin e t’ia çojë në shtrat, apo darkën dhe t’ia servirë, kur ajo të vijë e lodhur nga puna.

Duhet të kalojnë vite që perceptimet tona mbi të duhurën dhe të gabuarën të ndryshojnë. Unë thjesht dua të shpresoj se një ditë punët në familjen shqiptare do të jenë të ndara dhe secili nga partnerët të japë kontributin e vetë në shtëpi. Por, deri atëherë, me shumë trishtim e pranoj se do më duhet të pres të kalojnë dekada të tëra për ta parë diçka të tillë të shndërruar në realitet.

Related Articles

Back to top button