U largua nga Gjermania, shikoni çfarë bëjnë në Turqi për Ozil
Një rrugë që mban emrin Mesut Ozil, në vendlindjen e tij në Turqi, ka ndërruar fotografinë ilustruese dhe në vend të mesfushorit me fanellën e Gjermanisë është vënë një foto e re, ajo e famshmja e futbollistit të Arsenal me presidentin Recep Tayyip Erdogan.
“Rruga Mesut Ozil” ndodhet në Devrek, në provincën e Zonguldak, në veri të Turqisë, atje nga ku e ka origjinën familja e futbollistit 29-vjeçar.
Vendimi për të ndryshuar fotografinë u morr nga kryetari i komunës, Mustafa Semerci, menjëherë pasi Ozil deklaroi tërheqjen nga kombëtarja e Gjermanisë, në shenjë proteste për kritikat që vërshuan drejt tij kur postoi në “Instagram” foton me presidentin e Turqisë, pas një takimi në Londër në fund të muajit maj.
Gjermania bëri paraqitjen më të dobët në “Rusi 2018”, në 80 vitet e fundit, dhe nuk arriti të kalojë as fazën me grupe. Ozil akuzoi Federatën që nuk e kishte mbështetur dhe vendosi mos të luajë më për Gjermaninë.
“Largimi i tij nga kombëtarja e Gjermanisë ishte një gjest patriotik,” – tha Erdogan.