Spanja bëhet “parajsa” e re e emigrantëve që kalojnë Mesdheun
Spanja ka pranuar mbi 40% të të gjithë emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar detin Mesdhe për të mbërritur Europën gjatë këtij viti. Shifrat janë bërë publike në një raport të Agjencisë së Emigracionit në OKB.
Në raport thuhet se numri i emigrantëve të regjistruar pothuajse është trefishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Spanja kryeson listën e destinacioneve, me 23 741 emigrantë të mbërritur nga Mesdheu deri në fund të korrikut, krahasuar me 8 677 të së njëjtës periudhë të 2017-s.
Muajin e kaluar, Agjencia e Emigracionit në OKB bëri të ditur se Spanja e ka kaluar Italinë për numrin e emigrantëve të pranuar.
Mbërritjet në Itali janë reduktuar me 80% krahasuar me 2017-n. Megjithatë, numri i emigrantëve të mbërritur në Greqi është rritur me 50%, me 5 mijë më shumë se vitin e kaluar.
Megjithatë, panorama e përgjithshme tregon një rënie të madhe të numrit të migrantëve dhe refugjatëve që hyjnë në Evropë nëpërmjet rrugëve detare. Sipas Agjencisë së Emigracionit në OKB, IOM, 59 271 emigrantë kanë arritur deri më 5 gusht, krahasuar me më shumë se 117 000 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe mbi 263 000 gjatë të njëjtës periudhë në 2016-n.
Komisioni Evropian ka caktuar një fond prej 30 milionë eurosh për Spanjën, që do të shërbejë për përballimin e fluksit të shtuar të emigrantëve.