Magazina

Thaçi: Jam pro krijimit të ushtrisë së Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shkruar në lidhje me projektligjin e FSK-së duke vazhduar të akuzojë lidershipin që e ka vonuar transformimin e FSK-së në ushtri.

Ai ka thënë se është pro transformimin e FSK-së në ushtri.

“Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Unë vazhdimisht kam qenë i pajtueshëm në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Me iniciativën time si President, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi.

Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë.

Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim.

Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën. HTH”.

Related Articles

Back to top button