Vajza e Malcolm X: “Presidenti Erdogan përfaqëson trashëgiminë intelektuale të babait tim”
Vajza e Malcolm X: “Presidenti Erdogan përfaqëson trashëgiminë intelektuale të babait tim”
Ilyasah Shabazz, vajza e tretë e Malcolm X, deklaroi të hënën vonë se Presidenti Recep Tayyip Erdogan i Turqisë përfaqëson trashëgiminë e babait të saj.
E intervistuar në Nju-Jork nga korrespondenti i Agjencisë Anadolli (AA), vajza e liderit mysliman me ngjyrë, i cili mbetet një prej simboleve të luftës kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, shprehu kënaqësinë e saj nga takimi me kreun e shtetit turk.
“Është një nder i madh për mua që pata rastin të takohem me një lider të tillë, i cili flet sidomos në emër të dinjitetit njerëzor, ndjenjës së dhembshurisë e mëshirës dhe drejtësisë sociale”, tha ajo.
“I pyes njerëzit nëse e shikojnë se sa i sjellshëm, i thjeshtë dhe i paanshëm është dr. Aziz Sancar, fitues i çmimit Nobel për Kimi. Ai takohet me njerëz, gra e fëmijë të origjinave të ndryshme dhe kurrë nuk ka paragjykime ndaj tyre. Ja pra, ‘kjo është Turqia’, është ajo që u them njerëzve”, shtoi Ilyasah.
Duke theksuar se ndjen gjithnjë kënaqësi nga takimet e saj me turqit, vajza 56-vjeçare e Malcolm X tha se popullit turk është me të vërtetë i sjellshëm, nuk i gjykon njerëzit sipas ngjyrës, gjinisë apo gjërave të tjera të tyre.
Ajo u ndal më tej mbi përpjekjet humanitare të Turqisë duke i quajtur ato si të jashtëzakonshme.
“Fakti që një shtet u ka hapur portën 3,5 milionë refugjatëve nuk lë vend për fjalë të tjera, sepse gjetkë në botë ka nga ata që flasim për të ndërtuar mure apo që nuk arrijnë ta kuptojnë mëshirën”, vlerësoi Ilyasah duke potencuar se kur flitet për Turqinë, në mendje të vjen menjëherë një vend që ka pritur krahëhapur miliona njerëz të shtypur e të vuajtur.
Siç thotë ajo, mikpritja dhe trajtimi njerëzor që Turqia u ka bërë viktimave të luftës është një shembull për të gjithë botën.
E pyetur në lidhje me mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të asaj që konsiderohet gjerësisht si trashëgimia intelektuale e Malcolm X, Ilyasah tërhoqi vëmendjen se trashëgimia e babait të saj vë në pah humanizmin e çdo individi.
“Ne të gjithë jemi vëllezër para Allahut. Prandaj ajo (trashëgimia intelektuale e Malcolm X) nuk flet për fenë, ngjyrën dhe racën; por ndan të vërtetën nga e gabuara. Kur shohim diçka të gabuar, ne duhet të bëjmë diçka për ta ndryshuar atë. Pikërisht kjo është arsyeja pse unë jam pranë Presidentit Erdogan, bashkëshortes (Emine) dhe vajzës së tij të nderuar (Esra), sidomos tani që ata janë këtu, sepse kjo është ajo çfarë ai përfaqëson”, përfundoi Ilyasah Shabazz.
Malcolm Little, i njohur botërisht si Malcolm X, fitoi respektin e madh të masave të gjera në mbarë botën me luftën e tij efektive kundër racizmit në SHBA. Më 21 shkurt 1965, ai u qëllua për vdekje nga 3 persona të armatosur teksa ishte duke mbajtur një fjalim në Nju-Jork.