Opinione

Tradhëtitë “patriotike” të politikbërjes kosovare ndaj Luginës së…

Shkruan: Nehat Hyseni

Askush nga bota e qytetëruar demokratike, europiane e euroatlantike, nuk mundet ta kuptoj politikbërjen kosovare, sidomos atë të pasluftës, nga viti 1999 e këndej.
Shumëçka që ka ndodhur në këtë nënqiell, nga shporrja e ushtrisë, policisë dhe pushtetit të Serbisë nga Kosovaa, paraqet problem të madh për t’u (mirë)kuptuar nga njerëzit e zakonshëm dhe bota e civilizuar dhe demokratike, meqë u zhvilluan pafundësisht shumë procese e ndodhí jonormale dhe të pakuptimta.
Kështu, skenën e politikbërjes kosovare, pa Serbinë brenda Kosovës, e kaploi një histeri misterioze e të menduarit mbrapsht dhe e të vepruarit akoma më mbrapsht!
Sa hapë e mbyllë sytë, kjo klasë e re politike e Republikës së Kosovës u “sëmurë” nga një amnezi (harresë) kolektive, e cila, fatkeqësisht, ishte e plotë dhe totale.
Pra, shumë shpejt u harruan vuajtjet e të qënit pa shtet dhe nën zgjedhën e pushtetit antishqiptar e gjenocidal të Serbisë!
Hiç më larg se para dy-tre ditësh, Kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta ndërtojnë fatin e vet në Serbi. Kulmi i cinizmit të tij ishte kur deklaroi se në Serbi ata do ta kenë mirë! (Sic!!!).
Kush po i tradhëton shqiptarët e Luginës së Preshës?
Përgjigja më e thuktë në këtë pyetje do të ishte se Luginën e Preshevës e kanë tradhëtuar dhe akoma vazhdojnë që ta tradhëtojnë të gjitha partitë politike shqiptare. Kuptohet, disa më shumë e disa më pak. Varësisht nga “kaçiku” i tyre politik dhe nga kapacitetet e tyre “patriotike”, dmth nga pjesëmarrja e tyre në pushtet dhe nga niveli dhe përmasat e (keq) qeverisjes së tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.
Aktualisht, në skenën e politikbërjes kosovare mbretëron një mjegullnajë dhe kaos i pakuptimtë reth zgjidhjes së çështjes së shqiptarve në Luginën e Preshevës, duke e thjeshtëzuar atë deri në absurd, madje dhe në banalitet të turpshëm, por dhe të kobshëm për këtë pjesë të gjeografisë kombëtare të shqiptarve në Ballkan!
Si po e tradhëtojnë partitë politike të Kosovës Luginën e Preshevës?
Secila prej tyre në mënyrë e vet, dhe të gjitha së bashku janë bashkëpjesëmarrëse në gjëmën makabre dhe në humbjen e shpresës së shqiptarve të Preshevës, Bujanocit, e sidomos atyre të Medvegjës për të qëndruar në trojet e tyre stërgjyshore.
Asnjërës nga partitë politike të Republikës së Kosovës, e sidomos atyre në pushtet, asnjëherë nuk u ka shkuar në mend se kanë obligim kombëtar, por dhe shtetëror që t’i ndihmojnë shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Kosovës, në mënyrë konkrete dhe pragmatike, e jo me floskula të papërgjegjëshme e demagogjike.
Si e tradhëtoi LDK Luginën e Preshevës?
Tradhëtia e LDK-së ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës konsiston në mos futjen e kësaj çështjeje në bisedimet e Vjenës dhe në abstenimin e pakuptimtë të saj, duke ia lënë asokohe këtë çështje në dorë Veton Surroit, i cili, përveç kapaciteteve të admirueshme intelektuale, nuk posedonte kurrëfarë fuqie apo peshë të respektueshme politike.
Prandaj, mund të thuhet se në këtë mënyrë asokohe LDK me “pedantëri” iu shmang kësaj çështjeje, duke ia lënë “këmbë e Arushës” në dorë Veton Surroit të pafuqishëm, mbase edhe të pavullnetshëm politik.
Nga bisedimet e Vjenës pasoi Pakoja famoze e Ahtisaarit, ku nuk figuronte absolutisht askund, madje as në margjina e as, së paku si referencë krahasuese dhe orientuese, pozita e shqiptarve në Serbi, të cilët ishin dhe mbetën si komuniteti më i diskriminuar në Europë.
Asokohe, LDK bashkëqeveriste Republikën e Kosovës me PDK-në, e cila i bojkotoi bisedimet e Vjenës me arsyetimin se aty ofrohej pak për Kosovën.
Kurse, Luginën e Preshevës as që e përmend askund!
Si e tradhëtoi PDK dhe Hashim Thaçi Luginën e Preshevës?
Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Republikës së Kosovës në tre mandate, edhepse jo të plotë. Por, gjatë qeverisjes së tij, Lugina e Preshevës u injorua skajshmërisht, si të mos ekzistonin fare!
Thuhej se ai kishte aversion dhe urrejtje enigmatike ndaj Luginës. Prandaj, asnjëherë nuk i pranoi dhe as që i ftoi përfaqësuesit e saj politik ndonjëherë gjatë periudhës shtatë vjeçare të sundimit të tij si kryeministër.
Përjashtim të vetëm bëri në vitin 2013, pas heqjes së Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.
Por, i nervozuar se pse nuk e kishin mbrojtur me luftë heqjen e Lapidarit nga Xhandarmeria e Serbisë në mëngjesin e hershëm të së dielës së acarrtë, më 20 janar 2013, Hashim Thaçi, publikisht ua kishte sharë nënën dhe i kishte quajtur tradhëtarë dhe “pa ndjenja kombëtare”, duke përdorur një fjalor të pistë e fyes dhe skajshmërisht poshtrues ndaj tyre!
Në të vërtetë, Hashim Thaçi këtë fjalor fyes dhe këtë shfryerje me sharje nëne dhe poshtrime, së bashku me Fatmir Limajn, e kishte përdorur kohë më parë edhe ndaj Kryeparlamentarit, Akademik Nexhat Dacit, i cili është me origjinë nga Lugina e Preshevës.
Gjithashtu, në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, askund, asnjëherë dhe absolutisht as në margjina apo fusnota, nuk është përmendur çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Hashim Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit dhe të kryemegociatorit kosovar, nënshkroi Marrëveshjen për normalizimin e raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, më 19 prill 2013, me homologun e tij të Serbisë, Ivica Daçiqin dhe më ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të Unionit Europian, baroneshës Catherine Ashton. Por, çështja e Luginës u anashkalua plotësisht nga Hashim Thaçi gjatë kohës sa ishte ai kryenegociator i palës kosovare në Dialogun e Brukselit!
Ngjashëm veproi edhe Kryeministri Isa Mustafa më 25 gusht 2015, me nënshkrimin e Marrëveshjes me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me ndërmjetësimin e përfaqësueses së UE, zonjës Federica Mogherini.
Edhe në këtë Marrëveshje nuk u përmend fare Lugina e Preshevës.
Si mund të kuptohet ndryshe ky injorim total i palës kosovare në dialogun e Brukselit dhe në Marrëveshjet e nënshkruara atje, duke e injoruar plotësisht dhe absolutisht çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, përveç se një tradhëti ordinere ndaj Luginës, por dhe ndaj Kosovës dhe ndaj kauzës kombëtare të shqiptarve në Ballkan?
Sepse, duhet hequr definitivisht maskat dhe “syzat” e tradhëtisë kombëtare, se Republika e Kosovës dhe Pavarësia e Sovraniteti territorial i saj mund të mbrohen duke e sakrifikuar dhe duke e injoruar e harruar plotësisht çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Ky është një iluzion makabër dhe absurd!
Ashtu siç është iluzioni makabër dhe absurd i politikbërjes serbe se “Kosova është Serbi”, që është i ngulitur në Kushtetutën e Serbisë dhe në kokat e tyre të krisura mesjetare, të çmendura dhe anticivilizuese, që po ua mundëson qëndrimin në pushtet dhe privilegjet e komoditetin e shfrenuar që vetëm performansa e politikbërjes primitive e iluzioniste ballkanike mund ta ofroj.

Nehat Hyseni

Related Articles

Back to top button