Rrëfim rrënqethës për fëmijët që refuzohen nga nënat
Vetëm nëntë muaj mund ta shijojnë ngrohtësinë e nënave, atëherë kur foshnjat gjenden në barkun e tyre. Por, për fatin e keq, disa prindër zgjedhin që bebet e tyre t’i lënë nën mëshirën e askujt, duke i braktisur që në momentin e lindjes.
Në repartin e fëmijëve të braktisur aktualisht është duke qëndruar një foshnje. Ndërkohë që nga viti 2018 e deri në muajin tetor në repartin e Neonatologjisë janë pranuar 9 foshnje të braktisura. Në Klinikën e Neonatologjisë tregojnë se pikërisht në sallën e lindjes, këto “nëna” e bëjnë deklaratën e tmerrshme, se i porsalinduri i tyre është i padëshiruar.
Përqafimin e parë pas braktisjes së prindërve, këtyre foshnjave ua jep motra Naile Nitaj, infermiere në repartin e fëmijëve të braktisur. Nitaj ka 36 vite punë që ua ka kushtuar foshnjave. Ajo për emisionin ‘Human’, në T7 ka dhënë detaje rreth trajtimit të këtyre foshnjave në Klinikën e Neonatologjisë.
“Sa i përket kujdesit në Klinikën tonë, jepet maksimumi për to. Prej higjienës, ushqyeshmërisë e deri tek kontrollet e këtyre foshnjave. Ne kujdesemi për këto foshnje deri sa të bëhen gati me i dërgua në institucionet tjera”, tregon Nitaj, duke rrëfyer se momenti i ndarjes me këto foshnje përjetohet shumë rëndë nga ana e stafit mjekësorë.
“Ne këtu, jemi afër tyre për çdo gjë që ata kanë nevojë:, ka sqaruar ajo.
E përgjatë nëntë muajve të parë të këtij në Neonatologjinë e QKUK’së janë pranuar nëntë foshnja të braktisura.
Ndërkohë, gjatë gjithë vitit të kaluar mbi 20 foshnje janë braktisur nga prindërit. Ndër shkaqet kryesore që këto nëna të reja braktisin fëmijët, janë kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe mospajtimi mes çiftit dhe familjes së vajzave për t’i mbajtur këta fëmijë.