Lëngu i Rasojit me Fuqi Kurative – Shëndet dhe Organizëm i Fortë

Në zonat më të thella të vendit qasja ndaj mjekësisë moderne ka qenë prej kohësh e kufizuar prej infrastrukturës dhe motit të egër.
Në rrethana të tilla, njerëzit kanë shfrytëzuar të mirat e tokës për të marrë vlerat më të mira e për të mbrojtur shëndetin.
Një prej tyre është lakra, e cila në zonat e thella përdorej jo vetëm për gatime të përditshme por edhe për turshi.
Lakra përgatitej si turshi por edhe për nxjerrjen e lëngut të rasojit, një lëng i përqendruar e i fermentuar i lakrës që ka fuqi kurative për shumë sëmundje.
Lëngu i rasojit, të cilin AgroWeb.org e sjell më poshtë është ndryshe nga lëngu i zakonshëm i turshisë së lakrës.
Ai ka një sasi të jashtëzakonshme të përqendruar të vitaminës C.
Ai rekomandohet të pihet jo vetëm për imunitetin por edhe për veshkat dhe pastrimin e organizmit.
Në zonat e veriut të fundit, lëngu i rasojit konsiderohet si një pije e shëndetshme dhe shumë energjike.
Lëngu i rasojit me mishin e thatë kanë qenë prej shumë vitesh shoqërueset më të mira të barinjve, grave që punonin tokën e kryenin punë të rënda në fshat e në shtëpi.
Ky lëng përftohet në cilësinë maksimale vetëm në temperatura shumë të ftohta dhe pas pirjes së tij organizmi gjallërohet menjëherë.