Magazina

Dhjetë monumente historike që duhet t’i vizitoni në Prizren

Prizreni është quajtur edhe si kryeqyteti historik i Kosovës. Kjo sepse përmban një numër të konsiderueshëm të monumenteve historike që mbajnë brenda histori shumëvjeçare të popullit shqiptar, shkruan albinfo.ch.

Në mesin e shumë monumenteve që promovohen në broshurën “Prizreni, vendtakimi i civilizimeve” të Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik, albinfo.ch iu propozon dhjetë prej tyre që mund t’i vizitoni këtë verë.

Lidhja e Prizrenit – shtrihet në pikën më delikate të hapësirës urbane të qytetit, i rrethuar nga Lumbardhi, Kompleksi i Marashit dhe shtëpitë e kalasë. Përveç vlerave të kulturës materiale, kompleksi ka një rëndësi të madhe historike, pasi që në Medresenë dhe xhaminë e Mehmed Pashës u mbajt kuvendi themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Muzeu i Lidhjes përmban shumë dëshmi nga ajo periudhë dhe njihet si destiancion vizite.

Kalaja e Prizrenit – gjendet mbi qytet në tarracën e lartë lumore, që dominon mbi tërë grykën e Lumbardhit dhe fushën e Prizrenit, në një sipërfaqe prej 15776 metra katrorë. Koha e saktë e ndërtimit të Kalasë nuk është e njohur, por supozohet se ajo daton që nga shekulli XVI, ndërsa në periudha të ndryshme kohore është shfrytëzuar si mjedis banimi si dhe për qëllime ushtarake. Bazamenti i Kalasë përmban një rrjet tunelesh, njëri prej të cilit pas vitit 1938, u përdor si rezervuar uji, si pjesë e sistemit hidro-elektrik dhe atij të furnizimit me ujë të Prizrenit.

Kalaja e Vashave – është fortesa e parë në mesin e tri fortesave në pjesën lindore të qytetit. Gjendet në hyrjen e ngushtë të grykës së Lumbardhit. Gërmadhat e mureve të quajtur Qytet mbi grykë, mund të shihen si nga rruga, ashtu edhe nga Kalaja e Prizrenit. Gjatë periudhave të ndryshme të sundimit, kalaja ndërronte emra, ndërsa sot njihet si Kalaja e Vashave. Besohet të jetë ndërtuar përafërsisht në të njëjtën kohë me Manastirin e Kryeengjujve, dhe ndërkohë është marrë nga ushtria osmane pas arritjes së tyre në këtë zonë.

Hamami i Gazi Mehmet Pashës – gjendet në qendrën urbane të qytetit, që i takon kompleksit të Arastës. Është ndërtuar në vitin 1573/74, në kohën kur Mehmet Pasha e ndërtoi xhaminë e tij në afërsi. Hamami konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në Ballkan dhe ndahet në dy pjesë, për meshkuj dhe femra.

Beledija – është ndërtesa e parë e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e ndërtuar në fund të shekullit XIX. Urën pranë saj populli e quan Ura e Beledijes. Beledija është dëshmia më e mirë e kulturës politike dhe administrative të Prizrenit, ndërsa sot shërben si qendër burimore dhe trajnuese për trashëgiminë kulturore.

Ura e Gurit – U ndërtua nga Ali Beu në shekullin XVI. Ka stil oriental të ndërtimit. Ura kishte trajtë harku, e ndërtuar prej kuadrash guri të lidhura me suve gëlqerore. Ura u bëri ballë shumë ujërave dhe sfidave të kohës, por jo edhe vërshimit të vitit 1979. Më 1982, rikonstruktohet në tërësi dhe i kthehet pamja atraktive, ndonëse me një ndryshim përmbajtjesor.

Ura e Suzi Çelebiut – gjendet pranë xhamisë së Suzi Çelebiut dhe njihet edhe si Ura e Tabakhanës, pasi shërbente për lidhjen me lagjen Tabakhane. Ura u ndërtua në vitin 1513 nga Suzi Çelebiu.

Shtëpia e Shemsedin Kirajtanit – gjendet në zonën e parë të mbrojtur të Prizrenit. I takon fillimit të shekullit XIX dhe është i përfshirë në listën e objekteve të evidentuara për mbrojtje të Monumenteve të Prizrenit.

Shtëpia e Ymer Prizrenit – Ymer Prizreni ishte kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shtëpia e tij që tashmë është monument historik, i takon periudhës së shekullit XIX.

Kroi i Shatërvanit – vjen nga fjala persiane: krua me shumë rrjedha. Gjendet në zemër të qendrës së qytetit të Prizrenit dhe supozohet të jetë më i vjetri në qytet. Pasi gjatë periudhës osmane ka pësuar ndryshme, si rrjedhojë, edhe koha e ndërtimit nuk dihet saktë.

Related Articles

Back to top button